LAJMI I FUNDIT:

Uji në Dibër nuk duhet të pihet

Uji në Dibër nuk duhet të pihet

Më se dhjetë ditë, ujësjellësi Rosok-Dibër ka patur ujë të turbullt për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme të shiut. Enti për Shëndet Publik në Ohër ka kumtuar se uji i turbullt nuk guxon të pihet. Megjithatë, nga ana e ndërmarrjes komunale “Standardi”, e cila menaxhon me ujin në Dibër, në faqen e saj zyrtare ka informuar se për shkak të turbullimit të ujit, para përdorimit uji duhet të zihet dhe të konsumohet.


Por, udhëheqja e Sektorit për kontroll të ujërave pranë Entit për Shëndet publik në Ohër, Lidia Simonovska, këmbëngulë në mospërdorimin e ujit. Kjo situatë dukshëm ka shqetësuar qytetarët dibran, por edhe pushtetin vendor. Prandaj, në një seancë të Këshillit të Komunës është kërkuar që institucionet kompetente patjetër që çdo ditë të informojnë qytetarët për gjendjen e ujit të ujësjellësit me të cilin furnizohet me ujë Dibra, disa fshatra të Dibrës, si dhe një pjesë të fshatrave të Komunës rurale të Qendër Zhupës.

Sipas informatës të Entit për Shëndet Publik në Ohër, pas më shumë se një javë, uji nuk është i turbulluar, por analizat që merren nga disa pjesë të ujësjellësit në Dibër tregojnë se në disa pjesë të qytetit ka probleme me cilësinë. Në një situatë të këtillë, dibranët kërkojnë informim të shpejt dhe të saktë nga institucionet kompetente për kualitetin e ujit. Në një debat që u zhvillua në nivel të Këshillit të Komunës, mes tjerëve u theksua se gjatë gjithë kohës që uji ka qenë i turbulluar, kanë munguar informatat zyrtare ose janë dhënë me vonesë. Në një pjesë të restoranteve, së bashku me kafen e mëngjesit, janë shërbyer klientët edhe me ujin e pasigurt. Turbullimi i ujit në ujësjellësin Rosok-Dibër është një dukuri e cila gjithmonë paraqitet gjatë reshjeve të rrëmbyeshme të shiut.

Në ndërmarrjen komunale “Standardi”, e cila menaxhon me këtë ujësjellës të ndërtuar qysh në vitin 1986, thonë se dukuria në fjalë është prezente në kontinuitet, por që nuk ka nevojë për panik. Sipas tyre, bëhet fjalë për turbullim të ujit në burimet e fshatit Rosok. Po, sipas tyre, në raste të këtilla uji klorohet sipas nevojave në rezervuarin kryesor të Dibrës. Por, përfaqësuesit e Entit për Shëndet Publik thonë se aktualisht, gjatë turbullimit të fundit, është interesant të theksohet fakti se në disa pjesë të qytetit ka pas turbullim të ujit nga ujësjellësi e në disa pjesë jo. Madje, ka dyshime që mund të ketë probleme edhe në rrjetin e ujit që është prezent në qytet. Dhe, derisa nuk “merren vesh” institucionet, konkretisht ndërmarrja “Standardi” me Entin në Ohër, qytetarët dyshojnë në kualitetin e ujit dhe nuk kanë guxim ta përdorin të njëjtin. Kjo ka bërë që uji të shitet me të madhe, ndërsa tregtarët thonë se si asnjëherë më parë po shitet uji i ambalazhuar. (koha.mk)