Sapo ke lënë cigaren? Lëkura jote ka nevojë për një kohë të domosdoshme për t’u rigjeneruar. Minimumi? Një javë për të humbur gjurmët e nikotinës në duart e tua, maksimumi dy muaj për të zbehur ngjyrën gri të fytyrës…

Ndoshta ka qenë ky momenti i duhur për t’i thënë mjaft cigares. Më në fund e ke kuptuar se cigare pas cigare, muaj pas muaji dhe vit pas viti, lëkura jote po i ngjante gjithnjë e më shumë një toke të tharë. Tani që ke ndaluar tymin e duhanit që prek lëkurën dhe mushkëritë e tua, je në një dilemë dyfishe, transmeton Telegrafi.

Një kontroll i paevitueshëm i dëshirës për nikotinë dhe shqetësimet për numrin e kilogramëve që priten të shtohen që nga dita e lënies së duhanit. Qëndro fort dhe mos u dorëzo. Përpiqu ditë pas dite të ulësh dëshirën për duhanin dhe njëherësh të kuptosh se me pak vullnet të mirë mund të mos u dorëzohesh ushqimeve në rritje që kërkon çdo ditë trupi yt.

Mos harro se ditë pas dite lëkura jote do të rifitojë shkëlqimin e humbur, duart do të humbasin dridhjet e javës së parë dhe numri i kilogramëve shumë shpejt do të stabilizohet. Sigurisht do të të duhet të kuptosh me saktësi se sa ditë do të kalojnë që këto gjëra që thamë më sipër të ndodhin vërtet. Shumë shkurt dhe shpejt po të ndihmojmë për t’u njohur me kohën teknike që të duhet për të fituar shkëlqimin e humbur të lëkurës tënde.

7 ditë për të zhdukur të verdhën e nikotinës nga gishtat

Mjafton vetëm një javë për të hequr të verdhën bezdisëse të nikotinës nga gishtat dhe thonjtë, krijuar nga kohëzgjatja e pirjes së cigareve njëra pas tjetrës.

Idealja do të ishte që çdo ditë duart të qëndrojnë në ujë të vakët për dhjetë minuta. Në këtë mënyrë fillon të krijohet pastrimi i zonave më të zverdhura, të cilat ndihmohen më pas nga një furçë dhëmbësh që nuk përdoret më. Më pas gishtat zhyten në tulin e një gjysme limoni. Dhe në fund shpëlahen duart dhe lyhen me vaj esence limoni.

20 ditë për të rregulluar urinë

Uria është e para që të bën më nervoze që nga momenti i parë i lënies së cigares. Por me pak vullnet mund të mbash nën kontroll sulmet e urisë në 20 ditët e para. Përdor një strategji: mbushe frigoriferin plot me sallata dhe perime të lara dhe të prera, gati për t’i ngrënë. Mirë do të ishte të zgjidhnit karota, selino dhe sallatë jeshile. Janë shumë të pasura me vitamina dhe ndihmojnë në rigjenerimin e organizmit dhe të lëkurës.

Tymi i cigares, veç dëmeve të tjera, varfëron edhe bagazhin vitaminoz të organizmit. Mjafton të dini që një cigare e vetme djeg 25 mg vitaminë C, që është e barabartë me një gotë lëng portokalli të shtrydhur. Kjo është arsyeja që kur lë duhanin duhet të “zhytesh” në fruta dhe perime. Ushqimet jeshile janë perfektë për t’u konsumuar midis vakteve, për drekë ose për darkë. Në këtë mënyrë, shtimi i karbohidrateve, përveçse do t’ju japë një ndjenjë ngopjeje, do të stimulojë edhe prodhimin e serotoninës, hormon që ndihmon në përmirësimin e humorit dhe në qetësimin e stresit që sjell mungesa e duhanit.

30 ditë për të rifituar energji

Duhet të paktën një muaj për të rifituar energjinë dhe të arrish të mbushësh përsëri mushkëritë me ajër. Për ata që kanë dëshirë të këndojnë, do të kenë një zë më të qartë dhe melodik.

Për të çliruar rrugët e frymëmarrjes që janë intoksikuar nga tymi i cigares, do t’ju ndihmojë aktiviteti fizik, vrapi, ose një ecje e shpejtë tre herë në javë. Por duhet të kini parasysh që për të riparuar dëmet e shkaktuara nga duhani, duhet një kohë shumë e gjatë. Për të përshpejtuar këtë proces merruni me sport dhe frekuentoni saunat, në mënyrë që mushkëritë të hapen dhe të lirohen nga lëndët e helmëta. Edhe në shtëpi kini parasysh që të aromatizoni ajrin me aroma qetësuese, p.sh. mjafton të shpërndani disa pika esencë eukaliptusi.

40 ditë për t’i dhënë shkëlqim fytyrës

Lëkura e duhanpirëseve është në përgjithësi pa shkëlqim. Gjithçka varet nga kapilarët e gjakut, të cilët të irrituar nga nikotina, nuk mund të garantojnë një qarkullim të rregullt dhe si rrjedhim, një lëkurë elastike të shkëlqyeshme. Kjo gjë mund të rifitohet brenda një muaji. Mund ta arrini më shpejt nëse mbani një regjim të rregullt me bazë rrushi të thatë dhe boronice, që ndihmojnë në forcimin e kapilarëve të gjakut.

Është shumë e nevojshme një pastrim i thellë për të eliminuar mbetjet e depozituara në shtresat e brendshme të lëkurës. Dy herë në javë, në kushtet e shtëpisë, duhet të bëni për tre minuta një trajtim pastrues: masazhoni për tre minuta lëkurën, pasi ta keni pastruar dhe të jetë pak e njomë, me një produkt që të ketë për bazë acidin e frutave. Më pas shpëlajeni fytyrën me ujë të vakët dhe menjëherë më pas aplikoni një maskë ushqyese. Kujdes duhet të tregoni për pjesën e buzëve, atje ku edhe kontakti me cigaren ka qenë më i madh. Çdo ditë kujtohuni të bëni edhe një masazh për të rizgjuar mikroqarkullimin e gjakut. Pickoni lehtë lëkurën e fytyrës, duke e shtrënguar me gishtin e madh dhe atë tregues. Vazhdoni kështu për rreth 30 sekonda dhe më pas vendosni një krem.

60 ditë për të zhdukur ngjyrën gri të fytyrës

Duhet të kalojnë rreth dy muaj para se epiderma të çlirohet nga të gjitha mbetjet e cigares. Siç e shpjeguam edhe më lart, tymi i cigares ashpërson muret e enëve të gjakut. Kjo zvogëlon edhe kapacitetin e lëkurës për të thithur oksigjenin, e cila nga pamjaftueshmëria e tij bëhet gri dhe e zbehtë. Mbi të gjitha, në shtresat sipërfaqësore depozitohet një blozë e lehtë, e shkaktuar nga djegia e letrës dhe tabakut.

Ky pluhur i padukshëm shkatërron lëkurën, duke e bërë më të thatë dhe më të pandjeshme. Çfarë të bësh? Mjafton të përdorni çdo mëngjes një krem të pasur me substanca vegjetale, si ekstrakt embrionesh gruri. I mundëson epidermës të marrë frymë më mirë dhe në këtë mënyrë lëkura rifiton shëndet dhe shkëlqim.

Stop duhanit dhe kilogramëve

Do të lësh duhanin, por ke frikë se mos shëndoshesh. Të jetë e vërtetë? Me një dietë të rregullt mund të evitosh shtimin në peshë. Është e vërtetë që nikotina ndihmon për të djegur shumë kalori (një paketë në ditë djeg 10% më shumë), por nuk është një arsye e fortë për të vazhduar më tej me këtë ves.

Zgjidh një dietë të ekuilibruar që të ndihmon ty për të mos u shëndoshur dhe organizmin që të lirohet nga nikotina, transmeton Telegrafi.

Në çdo vakt duhet të kombinosh karbohidratet dhe proteinat, yndyrat, vitaminat dhe kripërat minerale. Mos harroni aktivitetin fizik, që do t’ju ndihmojë dhe çlirojë nga stresi. Kur ke dëshirë të pish një cigare, mos ha ëmbëlsira, por përtyp një çamçakëz.

Përse duhet të konsumosh produktet e mëposhtme

Makarona: Janë të pasura me karbohidrate dhe stimulojnë prodhimin e sterotoninës, që përmirëson humorin dhe zvogëlon urinë.

Oriz: Përveç karbohidrateve komplekse, përmban silic, që forcon muret e hundës, gojës dhe trakesë.

Qumësht: I pasur me vitaminë B2, që mbron brendësinë e mukozës.

Produkte vegjetariane: Përmbajnë acid folik, që mbron shëndetin dhe sistemin qendror (të ndihmon të jesh më pak nervoze në ditët e para pa cigare).

Peshk: I pasur me acide yndyrore dhe Omega 3, që kryejnë aksion mbrojtës mbi enët e gjakut.

Vezë: E pasur me vitaminë A dhe B5, ndihmon në rregullimin e sistemit nervor.

Vaj ulliri: Falë vitaminës E, lufton radikalet e lira, molekulat përgjegjëse për të ngadalësuar plakjen. /Telegrafi/