Sipas disa statistikave që vijnë nga Beogradi, në Kosovë janë rreth 5380 serbë të punësuar nëpër institucionet paralele, prej të cilëve 3050 me punë të përhershme dhe të 2330 me punë të herëpashershme

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë për t’ua zbritur pagat punonjësve serbë të punësuar nëpër institucionet ilegale-paralele serbe në Kosovë, në vlerë prej 50 për qind, dëshmon se Serbia tashmë çështjen e Kosovës është duke e renditur si çështje dytësore, për t’iu kthyer në paritet problemeve të shumta ekonomike dhe sociale me të cilat po përballet për shumë vjet me radhë shteti serb, por që duket se e kanë arritur pikën kulminante kohëve të fundit. Vet vendimi si i tillë, i marrë nga një organ aq i lartë siç është Gjykata Kushtetuese, dëshmon më së miri se sa i domosdoshëm, por aq i vështirë ka qenë ky vendim për t’u përballur niveli politik në Serbi. Ndaj, ky vendim ka të bëjë me dy interpretime krejtësisht të ndryshme që duhet të shtrohen si dy çështje kryesore. Interpretimi i parë, në radhë të parë mund të justifikohet me faktin se politikës aktuale të Beogradit karshi Kosovës tashmë është duke i ardhur fundi, moderatorët e saj nuk guxuan ta marrin këtë hap, por “ia besuan” gjykatës, e në radhë të dytë mund të justifikohet se qytetarët serbë, thënë më mirë, taksapaguesit serbë brenda në Serbi duket se më nuk mund të mashtrohen duke ua çuar taksat së koti në Kosovë.


Vendimi për t’ua hequr “mjaltin nga goja” punonjësve serbë nëpër institucionet paralele në Kosovë, ka ardhur jo shumë kohë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, e në shumë aspekte këto dy vendime, meqenëse krejtësisht të ndryshme, jo rastësisht kanë një lidhshmëri mes vete. Udhëheqësit aktual të Serbisë, deri në vendimin e GJND-së, kanë arritur të mashtrojnë qytetarët serbë se institucionet e tyre në Kosovë janë të forta, po funksionojnë si duhet, se ato duhet të jenë të privilegjuara, duhet të marrin paga të dyfishta, janë të rrezikuar, etj, etj., por vendimi i GJND-së ka bërë që një pjesë shumë e madhe e qytetarëve në Serbi të mendojnë më ndryshe, të kuptojnë se diçka nuk po shkon, të zgjohen si kurrnjëherë më parë dhe ky “zgjim” i tyre ka qenë shumë i drejtë dhe i ka kushtëzuar udhëheqësit në Beograd për një hap të tillë. Zaten, shumica e opinionit në Serbi mendojnë se taksat e tyre kanë shkuar drejt e në xhepat e siç thonë ata të “politicki llopovi” (hajnave politikë) në Kosovë (shih opinionet e qytetarëve serbë në mediet serbe) dhe jo rastësisht disa udhëheqës të institucioneve ilegale paralele serbe në Kosovë i quajnë me nofkën “deviza”, “patrioti”..., të cilët më së miri kanë ditur dhe po dinë të shfrytëzojnë situatën, duke u bërë patriot se po punojnë për Serbinë e duke marrë paga të majme dhe në anën tjetër duke i shfrytëzuar edhe institucionet e Kosovës.

Vështruar në aspektin ekonomik, sipas disa statistikave që vijnë nga Beogradi, në Kosovë janë rreth 5380 serbë të punësuar nëpër institucionet paralele, prej të cilëve 3050 me punë të përhershme dhe të 2330 me punë të herëpashershme. Për t’i paguar këta njerëz, Serbia duhet të harxhojë me miliona euro në vit, e kur i shtohen pagat e dyfishta këtu për secilin të punësuar, shpenzimet e Serbisë në Kosovë janë marramendëse. Sidomos shqetësues ndër qytetarët në Serbi ka qenë fakti kur kanë zbuluar se shumë njerëzve që u ka figuruar emri se jetojnë e punojnë në Kosovë, në fakt ata kanë jetuar në Serbi, e vetëm pagën e kanë marrë në Kosovë. Kjo ka qenë pakënaqësia kryesore e qytetarëve të Serbisë. Pa dashur këtu që t’ia qajmë hallin Serbisë për këto para që derdh në Kosovë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese Serbe për t’ua hequr pagat e dyfishta punonjësve serbë nëpër institucionet ilegale në Kosovë patjetër se ka të bëjë edhe me interpretimin e dytë e që është konotacion kryekëput politik, duke vërë në test së pari bashkësinë ndërkombëtare, pastaj institucionet e Kosovës dhe së fundi vetë qytetarët serbë, të cilët ende s’e kanë pranuar realitetin në Kosovë.

Kjo lojë me shumë kute e Serbisë, aq sa është e dobishme për Kosovën, aq është edhe me prapavijë. E gjendur para presionit ndërkombëtar, sidomos para shteteve të Quint-it, Serbia duket se ka qenë e detyruar të marrë një hap të tillë. Detyrimi i tillë është deklaruar haptas nga udhëheqësit në Beograd. Sidomos, duhet pasur parasysh se ky vendim ka ardhur pas shumë deklarimeve për bisedime të mundshme, që herë quhen teknike, e herë politike. Nëse vendimin e Serbisë për t’ua hequr pagat e dyfishta serbëve “servis” në Kosovë, e marrim si hap pozitiv atëherë duhet të mendojmë në një lloj nivelizimi me pagat e institucioneve të Kosovës, në mënyrë që ata punonjës që sot punojnë nëpër institucionet e Serbisë në Kosovë, të kenë mundësi të zgjedhin mes institucioneve të Kosovës dhe atyre të Serbisë dhe t’u lihet në dorë vet atyre që të zgjedhin, e Serbia të luajë këtu rolin e as, as-it, e të “tërhiqet” ashtu pa shkaktuar rrëmujë. Mirëpo duke qenë dëshmitarë të ecurisë së ngjarjeve të gjertanishme, hartuesit e politikës serbe me këtë hap duket se më shumë kanë për qëllim të hutojnë bashkësinë ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës sidomos me integrimin/mosintegrimin e veriut të Mitrovicës, duke deklaruar se pagat e dyfishta u hoqën, por në anën tjetër duke ua rritur koeficientin e pagave njerëzve të vet me ndikim dhe për të mbajtur gjendjen pezull edhe për një kohë.
Sido që të jetë, pagat e dyfishta nga Serbia, të paktën deri më tash, kanë qenë çështje kryesore që serbët e Kosovës nuk janë integruar në institucionet e shtetit kosovar, sidomos punëtorët e arsimit dhe të shëndetësisë.

(Autori është koordinator i OJQ-së “Sharri” në Shtërpcë dhe gazetar në “Zëri”)