LAJMI I FUNDIT:

U tha se do të dihet në muajin janar, ende mbetet e paqartë vlera e koeficientit të Ligjit të Pagave

U tha se do të dihet në muajin janar, ende mbetet e paqartë vlera e koeficientit të Ligjit të Pagave

Kur kanë mbetur jo më shumë se dy ditë nga përfundimi i janarit, Qeveria e Kosovës ende nuk ka caktuar vlerën e koeficientit ashtu siç ishte premtuar të ndodh brenda këtij muaji.

Më 22 dhjetor 2022, Ligji ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, i cili parasheh ndryshim të pagave për punëtorët e sektorit publik, ndërsa më 4 janar ishte dekretuar nga Presidenca.

“Zyra e Presidentes ka pranuar për shpallje, Ligjin 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, më 4 janar 2023. Pas analizave ligjore nga Zyra e Presidentes, presidentja Vjosa Osmani e ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik po më 4 janar 2023”, është shprehur një ditë më parë për Telegrafin këshilltari për Media i Zyrës së Presidentes, Bekim Kupina.

Reklama

Pas dekretimit, ky Ligj është publikuar në Gazetën Zyrtare, e që do të jetë i gatshëm për zbatim brenda 30 ditëve.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Telegrafin ishte shprehur se vlera financiare e koeficientit pritet të caktohet brenda muajit janar.

“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”, ishte shprehur zëdhënësi Përparim Kryeziu.

Se koeficienti do të dërgohet në Kuvend brenda javës e kishte premtuar edhe shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila.

“Koeficientin shumë shpejtë Qeveria brenda pak ditësh, nëse jo këtë javë atëherë javën tjetër gjithsesi do ta përcjellin në Kuvend të miratuar në kuadër të Projektligjit të Buxhetit. Do të bëhet një ndryshim në buxhet, në mënyrë që të jetë fiks vlera e koeficientit, një praktikë që do ta lehtësojë trajtimin e koeficienteve të pagave gjatë viteve në vijim”, kishte thënë Kusari-Lila në një konferencë për medie.

Reklama

Por, për shefin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri procesi i përcaktimit të koeficientit të pagave është jo-transparent.

“Këtë proces e ka karakterizuar një proces jo-transparent. Pra, përcaktimi i koeficientit të pagave do të duhej të mendohej si një debat i gjerë ndërmjet Qeverisë dhe akterëve të ndryshëm të shoqërisë, grupeve të interesit dhe përfaqësuesve të sindikatave”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati është shprehur se çështja e koeficientit për Ligjin e Pagave nuk është duke u mbajtur fshehtë.

Murati përmes një konference për media ka thënë se vlera e koeficientit është duke u përllogaritur nga informatat që vijnë nga organizata të caktuara.

“Disa çështje i takojnë dikastereve të tjerë, ekipet po punojnë në aktet nënligjore. Edhe për koeficientin dhe tema tjera do të përditësohen. Koeficienti nuk është duke u mbajtur fshehur. Po përllogaritet ashtu siç vijnë informatat në organizatat buxhetore”, është shprehur Murati.

Reklama

Kujtojmë se, opozita ashtu dhe sindikatat në vend kanë kërkuar që koeficienti i pagave të mos jetë më i vogël se 120 euro.

Koeficienti më i lartë, pra 18 i takon vetëm presidentit të Kosovës, niveli 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, deri sa koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit dhe shefit të Qeverisë.

Ndryshim të pagave do të ketë për mjekët specialistë, mësimdhënësit dhe policët.

Për mjekët specialistë, koeficienti do të jetë 12, ndërkaq, për mësimdhënës në shkolla fillore dhe ato të mesme koeficienti është 5.6, përkatësisht 5.8. Me Ligjin e ri, koeficienti për policët është 5.

Koeficienti më i ulët është 2 dhe ai iu takon pozitave për rekrut/kadet të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, doganor dhe korrektues.

Reklama

Ligji i cili ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit.

Pra, Ligji rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind e tyre mbetën jashtë. Por, punëtorë në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligj. /Telegrafi/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Qeveria miraton Projektligjin për tatimet, ministri Murati tregon se kush do të përfitojë nga falja e tatimit për vitin 2023

Qeveria miraton Projektligjin për tatimet, ministri Murati tregon se kush do të përfitojë nga falja e tatimit për vitin 2023

Ekonomi
Këto janë lagjet që pritet të futen në sistem të ngrohtores, Osmani tregon për shtrirjen e rrjetit të Termokosit në Prishtinë

Këto janë lagjet që pritet të futen në sistem të ngrohtores, Osmani tregon për shtrirjen e rrjetit të Termokosit në Prishtinë

Albert Spahiu
Gjermania miraton Projektligjin që lejon ardhjen e 50 mijë punëtorëve në vit nga Ballkani, këto janë lehtësimet për t'u pajisur me vizë

Gjermania miraton Projektligjin që lejon ardhjen e 50 mijë punëtorëve në vit nga Ballkani, këto janë lehtësimet për t'u pajisur me vizë

Botë
Në librarinë “Dukagjini” promovohet libri “Pse s’ma ka thënë njeri më parë” i autores Julie Smith

Në librarinë “Dukagjini” promovohet libri “Pse s’ma ka thënë njeri më parë” i autores Julie Smith

Ekonomi
WSJ: Ekonomia ruse drejt kolapsit, lufta dobësoi të ardhurat dhe frenoi investimet

WSJ: Ekonomia ruse drejt kolapsit, lufta dobësoi të ardhurat dhe frenoi investimet

Botë
Paqartësi për qytetarët lidhur me pagesën e tatimit në pronë, Ministria e Financave nuk përgjigjet

Paqartësi për qytetarët lidhur me pagesën e tatimit në pronë, Ministria e Financave nuk përgjigjet

Ekonomi
Kalo në kategori