U përfol për kalim tek Milani, Igli Tare tregon a ka arritur marrëveshje me gjigantin italian

Ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare dhe drejtori i njohur sportiv, Igli Tare, është përfolur gjerësisht si kandidati kryesor për postin e drejtorit sportiv tek Milani. Mediumet italiane raportojnë për një takim të mundshëm me drejtuesit kuqezi brenda 48 orëve të ardhshme. Por, në një prononcim ekskluziv për Radio Dukagjinin, Tare, i pyetur nëse ka arritur tashmë një marrëveshje me Milanin, është përgjigjur shkurt: “Akoma jo.” Shqiptari, i cili kaloi 15 vjet duke punuar nën Claudio Lotiton tek Lazio, ishte zgjedhja e parë e Ibrahimovic kur Milani filloi procesin e tyre të rekrutimit, por klubi filloi të eksploronte opsione të tjera, veçanërisht me Fabio Paraticin, i cili nuk do ta marrë më detyrën për shkak të komplikimeve ligjore.
Arsyeja pse Tare mbetet një objektiv realist për Milanin ështe pasi ai ka rreth dy vjet që është pa punë, dhe për këtë arsye nuk është i lidhur me ndonjë kontratë të pazgjidhur. Kjo do të thotë se Milani nuk do të duhej t’i paguante asnjë kompensim ndonjë rivali të Serie A nëse do të emëronte Taren./Telegrafi/




































