Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale që lidhet me terrorizëm.

Arrestimi i Alban Bibajt dhe Muhamet Musliut u bë sot e enjte gjatë një aksioni të policisë të zhvilluar në Fushë Kosovë e Malishevë.


Të njëjtit sipas njoftimit të policisë thuhet se kanë përdorur rrjetet sociale për të bërë shpërndarje të propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste.

Lidhur me rastin nga Prokuroria Speciale e Kosovës kanë bërë të ditur për Telegrafin se këto janë dy raste të ndara.

Ndaj të njëjtëve pritet që prokurori të kërkoi caktimin e masës së paraburgimit.

“Ju njoftojmë se, me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”. Mund të konfirmojmë se rastet janë të ndara dhe se prokurori i çështjes, brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.

Ndryshe KALLXO ka raportuar se njëri nga të arrestuarit ka dy vëllezër të vrarë në konfliktin në Siri e tjetri është i njohur për policinë. /Telegrafi/