LAJMI I FUNDIT:

Turpërimi poshtërues i regjimit karikaturë të carit të ri – Vladimir Putinit

Turpërimi poshtërues i regjimit karikaturë të carit të ri – Vladimir Putinit
Ilustrim

Plot një vit më parë, Ushtria ruse, me urdhër të carit të ri Vladimir Vladimiroviq Putin, ndërmori sulmin agresiv dhe barbar mbi popullin dhe shtetin ukrainas. (Në të vërtetë, këtë luftë, ai e kishte nisur qysh nëntë vite më parë, në shkurt-mars 2014, kur me një agresion të pabesë, tipik sovjetik, sulmoi, pushtoi dhe aneksoi Gadishullin e Krimesë, e me të njëjtin skenar, të ideuar dhe realizuar personalisht prej tij, si ish-Kreu i KGB-së, tashmë sa herë do Kryeministër, e sa herë do President i Federatës Ruse, ku në çdo rast përdor kukullën Dmitri Anatolijeviq Medvedev, këtë burrac të lëngshëm, që merr formën e enëve ku e hedh Putini, madje e përdor si gomë rezervë).

Duke nxitur popullsinë me origjinë ruse, që historikisht ka bashkëjetuar me ukrainasit, ai njohu si të “pavarura” të vetëshpallura, edhe rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut.


Pas një dështimi total në front nga ushtria e lodhur e tij, edhe pas shantazhit dhe kërcënimit, se mund të përdorë edhe armët bërthamore, paradoksalisht ai kërkoi ndihmën e Grupit Wagner, kompani private ushtarake, themeluar më 1 maj 2014 me pronar oligarkun e fuqishëm Prigozhin, ardhur nga bota e nëndheshme e krimit ordiner, e më pas edhe atij politik – i akuzuar dhe sanksionuar nga ShBA-ja, për ndërhyrje në zgjedhjet e 2016 për president, me dyshime të forta edhe për ndërhyrje në zgjedhjet e 2018 për gjysmën e mandatit të Kongresit.

Sipas hetimeve të Bellingcat, “The Insider” dhe “Der Spiegel”, operacionet e Grupit Wagner të Prigozhinit, janë të lidhura ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë, e personalisht me ministrin Sergej Kuzhugetoviq Shojgús dhe shefin e Shtatmadhorisë Valerij Vasiljeviq Gerasimov, nëpërmjet GRU-së, Shërbimit Sekret të Ushtrisë Ruse.

Nga pikëpamja ushtarake, Këshilli i BE-së njeh si themelues të këtij grupi nënkolonel Dimitri Valerjeviq Utkinin, lindur në Asbest të Svjerdllovskut, ish-komandant i Brigadës 700 të GRU-së, shkëputur prej saj, për të krijuar privatisht “Moran Security Group”, që veproi së pari nga Hong Kongu në Siri, e që pak më vonë do të krijojë organizatën “Slavonic Corps”, në mbrojtje të rezervave e shtresave të naftës dhe vetë naftësjellësve kudo. Kjo ishte edhe baza e krijimit të grupit, në Luhansk, që do të marrë emrin Wagner, së pari me 250 anëtarë të “zbukuruar” me tatuazhe naziste. Lidhur me emrin, nuk ka një përcaktim të saktë, por mendohet se ishte pseudonimi luftarak i Utkinit, mbajtur në nder të Richard Wagnerit, kompozitorit të madh, e të parapëlqyer të Hitlerit.

Drejtues të tjerë të saj, në të vërtetë, sipas të përditshmes turke “Yeni Shafak”, ishin koloneli Konstantin Pikalov, kolonel Anton “Lotos” Elizarov , Andrej Bogatov, Aleksandër Kuznjecov dhe Andrej Troshin. Këta dhe Utkini, madje u panë në krah të Putinit në festimet e Ditës së Heronjve të Atmëmëdheut, Rusisë, më 2016, pranuar kjo dhe një prej lakejve më besnikë të tij dhe dhënës i Kremlinit, Dmitri Peskov.

Grupi Wagner është aktiv në mbi 20 vende afrikane, aziatike e deri latino-amerikane dhe, jo rrallë, ka pasur rol deri në grushte shteti.

Brenda grupit, ka edhe njësi speciale avangarde, rikonjicioni, sabotazhi e spiunazhi, si “Rusiq”, “Rusët e Zinj” (kryesisht mercenarë afrikanë)etj.

Brenda Grupit Wagner, ka edhe shumë mercenarë nga 14 vende të botës, ku s’mund të mungojnë ata nga Serbia, që përbëjnë një njësi të madhe luftarake, qysh nga 2016, nën komandën e Davor Saviçiqit, një vrasës serbo-boshnjak, dikur pjesë e paramilitarëve super kriminelë të Tigrave të Arkanit, që kryen krime të tmerrshme dhe masakra në Bosnjë dhe Kosovë.

Nga Krimea në Donbas, nga Siria në Libi, nga Çeçenia në Sudan, nga Republika Qendrore Afrikane në Madagaskar, nga Mali në Mozambik, nga Venezuela e Maduros në Kubën post-kastriste, nga Burkina Faso në Bjellorusi, nga Nagorni Karabaku në Kongo etj., njësitë e Wagnerit kanë kryer krime të tmerrshme, ku spikatin tashmë ato në Ukrainë, nga të cilët, shquan rrëzimi i avionit të Malaysia Airlines, me 272 viktima në 17 korrik 2014?!

Ata deri tani, kanë dështuar tre herë të vrasin me atentat presidentin Zelenski.

Me një buxhet në rritje, mbi 185 milionë dollarë aktualisht dhe të armatosur rëndë, ata janë protagonistë në luftime, masakra, vrasje, atentate, sabotazhe etj.

Masakrat në Buça dhe Bahmut kanë vulën e tyre, por edhe humbjet e pësuara nga ata, janë shumë të mëdha. Vetëm më 2022 u vranë mbi 5.000 mercenarë të grupit.

Mes tyre ka edhe shumë dezertorë, që po u kapën, ekzekutohen në vend. Të shumtë janë ata që arratisen, siç ishte rasti i një prej komandantëve, kolonelit Andrej Medvedev, arratisur në Norvegji, që s’duhet ngatërruar me kolonelin tjetër Jurij Medvedev, shtypur çuditshëm me makinë luftarake nga një prej ushtarëve të tij.

Lidhjet me Putinin i tregon edhe fakti që spitali kryesor ku mjekohen të plagosurit e Wagner-it i përket Vladislav Baranovit, mik i ngushtë i vajzës së madhe të Putinit, Marija Putina Voroncova.

Në delirin shoven të madhështisë ruse, duke gjykuar thjeshtë sa një operativ KGB-je, Putini, me vetësigurinë në një fitore spektakolare, të ushtrisë së tij, nisi agresionin barbar ndaj popullit ukrainas, të cilin do ta mundte mes 24-72 orëve.

Por, gaboi rëndë, mbasi nuk llogariti mirë se ç’mund të bëjë një popull, që mbron atdheun e vet dhe lirinë e tij, dhe unitetin e NATO-s.

“Strategët” e “Ushtrisë së Kuqe”, dikur plot mareshalë me gjoksin mbushur me dekorata në vend të jelekëve antiplumb, e sot të degraduar në gjeneralë Armate prej vetë Putinit, kishin kalkuluar gabim jo vetëm strategjinë, por edhe taktikat e luftës. Ata nënvlerësuan edhe presidentin e ri 45 vjeç ukrainas, një ish-aktor komedish, Volodimir Oleksandroviq Zelenski.

Kësaj here, përkrah Ukrainës u rreshtua si një trup i vetëm, i tërë Perëndimi demokratik me ShBA-në në krye dhe krahu i armatosur i tij, NATO-ja.

Përparimi i ushtrisë ruse u ndal madje mori edhe një goditje të madhe, kur autokolona 60 kilometërshe e saj u bombardua dhe u shkatërrua pothuaj e tëra, qysh në ditët e para.

Rusët bombarduan egërsisht edhe Kievin e Harkivin, madje deri centralin më të madh atomik të Evropës, Zaporizhijan.

Gjenocid, masakra dhe krime të tmerrshme lufte, përfshirë deportimin me dhunë të popullsisë ukrainase, apo përdhunime masive, rusët bënë e po bëjnë ende kudo, sidomos në Buça, Herson, Bahmut etj.

Numri i fëmijëve të vrarë i ka kaluar 500, ndërsa numri i përgjithshëm i të vrarëve, sipas burimeve të besueshme i ka kaluar nga 100 mijë për secilën palë.

Të turpëruar dhe të poshtëruar botërisht, Rusia, ushtria e saj me gjeneralët, që shkarkohen me radhë pas disfatave në frontin e luftës, edhe vetë Putini me Shojgunë dhe Gerasimovin, kanë një vit që kanë ngecur në vend në llucën, baltën dhe borën e fushave të paanë të Ukrainës.

Zelenski ka vizituar Uashingtonin, Brukselin dhe kryeqytetet kryesore të Evropës, ashtu si edhe Kievin e kanë vizituar presidenti Biden, krerët e BE-së dhe ata të fuqive të mëdha evropiane.

Lufta e popullit ukrainas është heroike, madje ajo sfidoi të gjithë skeptikët, me qëndresën unikale të saj. Natyrshëm, NATO, ShBA e BE, ndihmuan me miliarda euro e dollarë për Ukrainën (deri tani mbi 100 miliardë dollarë) me ushqime dhe logjistikë, dhe gati me të gjitha armët e sofistikuara raketore, “Javelin”, “Himars”, “Patriot” etj., tanke “Leopard 2”, “Abrams”, “Panther”, mjete të blinduara transporti, sisteme ultramoderne artilerie, helikopterë dhe bëhet gati ta furnizojë edhe me aeroplanët legjendarë F16! Shumë nga anijet flamurmbajtëse të flotës luftarake ruse, krenari e saj, sot janë të shkatërruara dhe në fund të deteve.

Divizionet çeçene me mercenarë të Kadirovit (paradoksalisht në krah të Rusinë e Putinit, që e ka masakruar Çeçeninë), nuk e shpëtojnë dot nga turpi dhe poshtërimi superfuqinë ushtarake, Rusinë dhe ushtrinë e saj, që mbahej si më e forta në botë.

Nga ana tjetër, prestigji, emri dhe forca e ushtrisë ruse u përdhosën keqas, kur Rusia dhe Putini, iu falën për ndihmë Grupit Ushtarak Privat, Wagner, pronar i vërtetë i të cilit është Jevgenij Viktoroviq Prigozhin.

Aktualisht, numri i ushtarëve të këtij grupi ka mbërritur në 50 mijë, prej të cilëve 40 mijë burgaxhinj, kriminelë ordinerë, vrasës, hajdutë, narkomanë, përdhunues, sarhoshë, të degjeneruar, e të degraduar , perversë e maniakë seksualë, të lëshuar pas zbrazjes së burgjeve, si dhe 10 mijë mercenarë.

Po kush është në të vërtetë pronari i Grupit Wagner, Jevgenij Prigozhin?!

I lindur më 1 qershor 1961 në Leningrad (Shën Petëburg sot), ashtu si edhe Putini, Prigozhini u mbiquajt edhe “kuzhinieri i Putinit” nga Agjencia e madhe amerikane “Associated Press”, jo thjesht vetëm si pronar restorantesh luksoze dhe një rrjeti të gjerë kateringu, ku Putini drekon e darkon, apo porosit darka e dreka për personalitete të huaja, delegacione të shumta, mbledhje, konferenca, veprimtari të ndryshme, apo edhe për stafin dhe anturazhin e tij jo të paktë, si edhe furnizohen mensa, konvikte, spitale, shkolla, reparte ushtarake etj., (shpesh me ushqime të skaduara). Ai zotëron edhe një Agjenci të madhe interneti.

Babai, Viktor, me origjinë hebre, ndërsa nëna ruse, Violeta.

Bashkëshortja e tij është farmacistja Lubova Valentinovna Prigozhina, dhe me atë kanë vajzën Polina dhe djalin Pavel.

Vetë Prigozhin ka mbaruar një teknikum fizkulture (shkollë rezervash olimpike) dhe u dënua dy herë me burg më 1979 dhe 1981 si vjedhës, rrëmbyes dhe tutor prostitutash, ndaj edhe shpejt hyri në rrethin e të fortëve të qytetit, sidomos në anarkinë dhe kaosin që përfshiu rënien e regjimit socialist sovjetik dhe me ligjin e më të fortit filloi pasurimin drastik të tij.

Sot, ai zotëron pasuri marramendëse miliarda eurosh, dhe hyn pa mëdyshje tek oligarkët e mëdhenj rusë pranë Carit Putin!

E sfilitur dhe e rraskapitur pas humbjeve të rënda në frontin e luftës në Ukrainë, ushtria ruse po riorganizohet në dëshpërim, për një kundërofensivë.

Bjellorusia e diktatorit Lukashenko, ku opozita si edhe në Rusi burgoset, është nën shantazh të përhershëm, nga i cili nuk shpëton edhe Moldavia.

Putini dhe Rusia “mëmë” e tij, për të spostuar vëmendjen nga agresioni në Ukrainë, po nxit Serbinë në rolin e përhershëm të “bashkëshortes” së Rusisë dhe “dashnores” së Perëndimit, të ndezë edhe njëherë një konflikt të armatosur, si në vitet ‘90 në Ballkan, sidomos në Kosovë.

Por, tani Kosova ka plot 15 vite e pavarur, fitore historike kjo, me luftën heroike të shqiptarëve, paguar me gjakun e 13 mijë të vrarëve (tre mijë dëshmorë) dhe me ndihmën përcaktuese të ShBA-s[ dhe NATO-s, që bombarduan armatën e Milosheviqit dhe Vuçiqit, deri edhe vetë kryeqytetin serb, Beogradin.

Në mënyrën më të habitshme dhe paradoksale, kryeministri Rama konsideron prej vitesh, Vuçiqin, këtë Gebels të kryekasapit Milosheviq, president i Serbisë, si mik të mirë serb.

Si duhet kuptuar ky qëndrim, ndaj mikut të madh të Putinit, Aleksandar Vuçiqit, nga kryeministri Rama?!

Ka vetëm një shpjegim, duhet ta ketë thirrur kushtrimi i të parëve.

Ne shqiptarëve, nuk ka pse të na kthejë internacionalisti Rama në kohën e “Bratstvo i Jedinstvo”, pra “Vëllazërim-Bashkimit” titist dhe serb, se “miqësinë” e tyre e kemi stërprovuar në shekuj.