Turizmi kulturor, shpëtim i Prizrenit
- Një model tjetër për kulturën (dhe trashëgiminë kulturore), me vizion ekonomik -
Sot është 27 Shtatori, Dita Botërore e Turizmit. Që nga viti 1980, Organizata Botërore e Turizmit në kuadër të Kombeve të Bashkuara, ka shënuar Ditën Botërore të Turizmit më 27 Shtator. Kjo datë është zgjedhur, për shkak të miratimit të Statuteve të OBT në të njëjtën ditë më 1970. Qëllimi i kësaj dite është ngritja e vetëdijes mbi rolin e turizmit në komunitetin ndërkombëtar dhe demonstrimi i ndikimit të turizmit në vlerat shoqërore, kulturore, politike dhe ekonomike në mbarë botën. Dhe çdo vit që nga 1980-a Organizata Botërore e Turizmit caktonte temën qendrore të vitit përkatës në lidhje me turizmin. Sivjet, shënohet përvjetori i tridhjetë i kësaj dite (sivjet shtet mikpritës është Gana) nën temën “Turizmi, kremtojmë diversitetin”.
Në vitin 1999, derisa Kosova po përjetonte tmerrin e luftës, bota progresive po përpiqej të zhvillonte turizmin nën temën “Ruajtja e trashëgimisë botërore për mijëvjeçarin e ri”. Pak para se të hynim në mijëvjeçarin e tretë dhe derisa dikush po e promovonte rëndësinë e trashëgimisë kulturore për zhvillimin e turizmit, në Prizren shkatërroheshin vlera të rrala të së kaluarës (Lidhja e Prizrenit, shtëpi të vjetra, etj.). Megjithatë, përfundimi i luftës nuk solli me vete edhe përkujdesjen ndaj trashëgimisë kulturore të Prizrenit. Fatkeqësisht, mund të thuhet se gjendja u përkeqësua. Dhe derisa temat në kalendarin e Organizatës Botërore të Turizmit ndryshonin nga “ekoturizmi” dhe “sporti dhe turizmi” në “turizmi dhe emancipimi i femrës”, Prizrenin, këtë herë me duart tona, po e shkatërronim pa mëshirë. Dhjetë vite rresht të pas-luftës, me një ritëm gradual dhe konstant, anarkitektët e qytetit, ia merrnin një nga një vlerat dhe mundësitë e rralla të Prizrenit për ta zhvilluar turizmin dhe ekonominë lokale. Sot, dhjetë vjet pas lufte dhe një strategjie perfide për degradimin e vlerave të qytetit, Prizreni numëron momentet e fundit para tjetërsimit të identitetit të vet dhe njëherit lëshon thirrjet e fundit për intervenim dhe shpëtim.
Formula e zhvillimit socio-ekonomik të qytetit është mjaft e thjeshtë: Prizreni nuk ka nevojë për intervenime të mëdha nga jashtë, ose teknologji e industri të reja për zhvillim, por nevojitet një qasje pragmatike për mobilizimin dhe shfrytëzimin racional të potencialit ekzistues të komunës. Duke e gjallëruar jetën kulturore, konservuar dhe promovuar trashëgiminë kulturore dhe mbrojtur natyrën dhe ambientin, Prizreni do ta ngrisë ofertën e tij kulturore. Kjo do ta shndërrojë qytetin dhe fshatrat e komunës në atraksione të vërteta për turistin botëror, njëherit duke shërbyer si katalizator i krijimit të vendeve të reja të punës, rritjes së të ardhurave për biznesin e vogël dhe të mesëm dhe pasurimin e arkës së komunës. Turizmi kulturor dhe natyror përbën ndërmarrjen më efikase dhe rrugën më të shpejtë drejt zhvillimit lokal ekonomik të Prizrenit. Kjo mund të arrihet nëse vehet në jetë bashkëpunimi qeveri lokale – komunitet i biznesit – shoqëri civile – komuniteti në përgjithësi. Me këtë qasje, Prizreni mund të shndërrohet në kryeqytet të kulturës, jo përmes platformave dhe ideve të shkruara në letër, por përmes zhvillimit në praktikë të një jete të pasur kulturore. Mbi të gjitha përmes një organizimi të strukturuar gjatë stinëve të ngrohta dhe me aktivitete me karakter ndërkombëtar, Prizreni mund të shndërrohet në kryeqytet rajonal të kulturës. Këtë nivel qyteti do ta arrijë edhe përmes bashkëpunimit me Festivalet Verore të Ohrit, Stambollit, Sarajevës dhe Tiranës, duke u dëshmuar kështu edhe në praktikë se është njëri ndër qytetet më të rëndësishme të krejt rajonit të Ballkanit. Qeveria lokale e Prizrenit duhet sa më parë të themelojë Zyrën e Turizmit dhe paralelisht ta inkuadrojë turizmin kulturor dhe natyror në prioritetet zhvillimore të komunës. Do të ishte mëkat de njëherit rrezik permanent për vlerat e mbetura të qytetit, nëse 27 Shtatori i ardhshëm do na gjejë pa Zyrë dhe Strategji për zhvillimin e turizmit.
(Autori është kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit nga AAK)



































