LAJMI I FUNDIT:

Turfullimet Vuçiqit për të shpallur luftë

Turfullimet Vuçiqit për të shpallur luftë

Sigurisht e ndjek me interes strategjik, disi edhe me keqardhje, riciklimin e oscilacioneve si dhe trimërimin mbas lufte të z. Vuçiq, të presidentit të Serbisë (ish-ministrit të Milosheviqit), si dhe ushtarit të agjendës së Rusisë putiniste se “do të shpallte luftë për kthimin e gjendjes së mëparshme (para 1999) gjeopolitike në Kosove dhe Metohi”! Ndërsa këto turfullime kanë gjetur një interes të shtuar jo vetëm mbarëkombëtar, por edhe në Uashington, Bruksel etj., do përpiqem të përcjell publikisht disa gjetje dhe mesazhe strategjike jo vetëm ndaj Beogradit.

Së pari, të zgjohet dhe të harrojë ëndrrat neostaliniste në rajon dhe posaçërisht për Kosovën martire, pasi përtej të gjithave, prej datës së çlirimit nga pushtuesit serb (12 qershor 1999) Republika e Kosovës, sigurisht që nuk është, por edhe nuk ka për t’u kthyer më kurrë si pjesë e juridiksionit territorial dhe hartës gjeopolitike të Serbisë. Pikë.

Së dyti, t’i lërë përrallat me/pa mbret që nuk i beson më as Moska, as Dodiku dhe sigurisht as ushtria e radikalëve në Beograd. E vërteta, pra kufijtë dhe harta gjeopolitike e patjetërsueshme janë rrënjosur dhe skalitur me gjakun e dëshmorëve të kombit në shekuj, si dhe nga fuqia ushtarake e Aleancës Euroatlantike më 1999. Kështu, për sa kohë të ketë edhe shqiptarë si dhe prezencë të amerikanëve dhe NATO-s në Kosovë, Serbia ka zero shanse për të shpallur luftë, por edhe ka zero fuqi për të sulmuar ushtarakisht sovranitetin si dhe tërësinë territoriale të Kosovës. Thënë këtë, përsëris thirrjen miqësore për aktorët mendjehapur në Beograd: Të mos lejojnë që qeveria e Vuçiqit etj. të shpenzojnë kot mbi 1.5 miliard euro në vit nga mundi i popullit serb (për armatosjen) pasi e vërteta është se asnjë nga vendet ndërkufitare (përfshirë Kosovën) apo Aleancën nuk e rrezikon sovranitetin e Serbisë.


Së treti, riciklimi maktheve të Millosheviqit apo trimërimi juaj z. Vuçiq, 26 vjet mbas humbjes së luftës gjakatare, mund të ushqejë militantët si dhe agjendën e radikalëve në Beograd; interesat e krimit të organizuar apo laraskat dhe sorrat rreth liqenit Ujmanit, por kurrsesi nuk munden të trembin kombin shqiptar si dhe as fuqinë e sprovuar që gjunjëzoi makinerinë kriminale të Millosheviqit në 1999) – NATO-n.

Së katërti, pa mëdyshje që edhe 26 vjet pas çlirimit të Kosovës apo 31 muajt e luftës neonaziste të Putinit në Ukrainë, oscilacionet e Beogradit zyrtar i gjej të sinkronizuara me interesat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan. Por, Kremlini ka dështuar për të hapur një front të ri lufte si dhe për të mbajtur ndezur frymën antiperëndimore në rajon. Po ashtu z. Vuçiq ka (keq)dështuar për të bërë viktimën apo për të pirë nga pesë nëna (Moskë, Uashington, Bruksel, Pekin, Paris)!

Së pesti, përtej dhe përfshirë këtë rast (kërcënimin për shpallje lufte ndaj Kosovës dhe NATO-s) përsëris se me gjithë përpjekjet dhe progresin 26-vjeçar për t’u larguar nga urrejtja dhe gjakderdhja shekullore, fatkeqësisht paqja, siguria, stabiliteti demokratik dhe ardhmëria euroatlantike për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten ende të kërcënuara kryesisht nga Serbia.

Në shtesë, gjeni edhe tri rekomandime strategjike për faktorët shtetërorë si dhe ekspertët mendjehapur në Prishtinë, Tiranë, ShBA, NATO etj.:

– Përkundër dogmave internacionaliste dhe kakofonisë sovraniste, Prishtina zyrtare kurrsesi nuk do duhej të marrë (pa u konsultuar) vendimmarrje me impakte strategjike që minojnë themelet e besimit me amerikanët dhe NATO-n që prej 26 vjetësh vijojnë të mbajnë peshë kritike për sigurinë dhe ardhmërinë e Kosovës. Për më tepër: riciklimin e dalldisjes/kërcënimeve ushtarake të Serbisë ndaj Kosovës, të mos i konsiderojnë si oportunitete populiste, por si përgjegjësi e lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne, përtej prezencës së NATO-s (që nuk do të jetë e përjetshme) – vendin ku qytetarët, pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin me dinjitet të Kosovës nga konsumatore në kontribuuese për sigurinë, si dhe integrimin e rajonit në NATO dhe BE!

– Tirana dhe Prishtina zyrtare e kanë përgjegjësi të lartë shtetërore dhe historike njëherësh, të zhvillojnë projektin dy shtete Sovrane, një komb i vetëm, duke mos u fshehur pas propagandës egocentrike që vjen nga fuqia e mbipushtetit dhe mbas gishtit të përkujdesjes diplomatike, por duke harmonizuar dhe garantuar se kjo qasje do të kontribuojë për paqen afatgjatë në rajon, sigurisht përfshi edhe Serbinë.

– Aktorëve me peshë strategjike si dhe ekspertëve në rajon, Uashington, Bruksel, etj., do t’i risugjeroja që perspektivën e paqes dhe stabilitetin e rajonit ta kushtëzojnë me rikthimin e vetëm dy Masave të Mirëbesimit Reciprok (CSBM), nëpërmjet të cilave Beogradi të imponohet se: (a) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake duke mos kërcënuar integritetin territorial të Kosovës; (b) nuk do të vendosë instalime dhe as aktivitete ushtarake (25 kilometra distancë ajrore dhe 10 kilometra tokësore), në kufijtë shtetërore mes vendeve. Këto dy kushte gjithsesi duhen të monitorohen nga NATO dhe BE, që mbeten faktorë kritikë për paqen në rajon. Ndërsa, përkundër riciklimit të urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore, besoj edhe më fortë se këto turfullime staliniste për luftë mbeten një kambanë alarmi, për të mbajtur zgjuar kujtesën e popujve të Ballkanit se paqja mbetet misioni i vetëm, në interes të bashkëjetesës paqësore, sigurisë, mirëqenies së qytetarëve si dhe ardhmërisë euroatlantike të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bonje-Hercegovinës dhe Serbisë!

Në trend

Më shumë
Përleshje mes shqiptarëve dhe rumunëve në kantierin ku po rinovohet stadiumi

Përleshje mes shqiptarëve dhe rumunëve në kantierin ku po rinovohet stadiumi "Camp Nou"

La Liga
Momenti kur kamioni devijon rrugën dhe përplaset me disa vetura në Veternik

Momenti kur kamioni devijon rrugën dhe përplaset me disa vetura në Veternik

Kronika e Zezë
Uragani Milton merr formën e frikshme të 'kafkës' pak çaste përpara se t'i afrohet Floridas

Uragani Milton merr formën e frikshme të 'kafkës' pak çaste përpara se t'i afrohet Floridas

Amerika
Trent Alexander-Arnold nuk hezitoi kur përmendi klubin e tij 'të preferuar' - pas Liverpoolit

Trent Alexander-Arnold nuk hezitoi kur përmendi klubin e tij 'të preferuar' - pas Liverpoolit

Premier League
Mbi 160 mijë euro, 696 kilogramë mjaltë e 250 kilogramë fasule ia gjejnë në shtëpi – Policia arreston të dyshuarin në Ferizaj për kontrabandë e tregti të ndaluar

Mbi 160 mijë euro, 696 kilogramë mjaltë e 250 kilogramë fasule ia gjejnë në shtëpi – Policia arreston të dyshuarin në Ferizaj për kontrabandë e tregti të ndaluar

Kronika e Zezë
Verë ‘e majme’ për estradën kosovare: 10 milionë euro qarkullim veç për tre muaj, ATK i dënoi 329 herë

Verë ‘e majme’ për estradën kosovare: 10 milionë euro qarkullim veç për tre muaj, ATK i dënoi 329 herë

Magazina
Kalo në kategori