Trump vendos foton me Putinin në Shtëpinë e Bardhë

Një fotografi e presidentit amerikan, Donald Trump krah presidentit rus, Vladimir Putin, e realizuar gjatë takimit të tyre në Alaska, është shfaqur së fundmi në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, duke ngjallur reagime dhe interpretime të ndryshme në opinionin publik.
Fotoja, e vendosur në mënyrë të dukshme, pasqyron një moment nga takimi dypalësh që u zhvillua në Alaska, një takim i konsideruar me rëndësi simbolike dhe politike, në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, veçanërisht për shkak të luftës në Ukrainë dhe marrëdhënieve të ftohta diplomatike.
Një detaj që ka tërhequr vëmendjen është se menjëherë poshtë fotografisë me Putinin është vendosur një tjetër imazh i kornizuar, ku Trump shihet duke mbajtur për dore mbesën e tij, raportojnë mediat.
Ky kontrast vizual është interpretuar nga disa analistë si një përpjekje për të zbutur simbolikën politike të fotos me liderin rus, duke e balancuar atë me një imazh familjar dhe personal.
Takimi në Alaska u përqendrua në çështje të sigurisë globale, konfliktin në Ukrainë dhe mundësitë për dialog mes dy fuqive të mëdha. Megjithëse u cilësua nga palët si “i dobishëm”, ai nuk prodhoi marrëveshje konkrete apo njoftime të përbashkëta për hapa të menjëhershëm diplomatikë.
Detaji i ekspozimit të fotografisë në Shtëpinë e Bardhë u vu re fillimisht nga gazetarja Elizabeth Landers dhe është bërë objekt diskutimesh në media, duke rikthyer vëmendjen te marrëdhënia e ndërlikuar Trump–Putin dhe mesazhet politike që mund të përcillen edhe përmes gjesteve simbolike. /Telegrafi/




















































