Presidenti francez Emmanuel Macron ka refuzuar ofertën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për t'u bashkuar me "Bordin e Paqes" të ngarkuar me mbikëqyrjen e hapave të mëtejshëm në Gaza, tha zyra e tij të hënën.

Vendimi u mor për shkak të shqetësimeve se "Bordi i Paqes", i kryesuar nga Trump, do të kishte kompetenca të gjera përtej qeverisjes kalimtare të Rripit të Gazës dhe do të minonte kornizën e Kombeve të Bashkuara, shkruan Politico, përcjell Telegrafi.


Deklarata vuri në dukje se statuti i bordit "shkon përtej kornizës së Gazës dhe ngre pyetje serioze, veçanërisht në lidhje me parimet dhe strukturën e Kombeve të Bashkuara, të cilat nuk mund të vihen në dyshim".

Dhe lidhur me një vendim të mundshëm të Francës, ka pasur një reagim të Trump.

Duke folur me gazetarët të martën, Trump hodhi poshtë ndikimin e udhëheqësit francez, duke deklaruar: “Askush nuk e do atë sepse ai do të largohet nga detyra shumë shpejt”, ndërsa sugjeroi se masat ndëshkuese ekonomike përfundimisht do ta detyronin Macronin të ulet në tryezën e bisedimeve.

Kujtojmë se Trump njoftoi themelimin e bordit - të cilin ai e cilësoi si "Bordi më i Madh dhe më Prestigjioz i mbledhur ndonjëherë në çdo kohë, në çdo vend" - si një pjesë kyçe e planit të tij prej 20 pikash për t'i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Hamasit.

"Bordi i Paqes" i Trump po përballet me një polemikë të veçantë që po zhvillohet në lidhje me tarifën prej 1 miliard dollarësh që vendet anëtare pritet të paguajnë nëse duan të qëndrojnë si anëtarë të përhershëm përtej tre viteve.

Kanadaja do të bashkohet, por nuk do të paguajë për vendin e përhershëm, tha kryeministri Mark Carney.

Trump gjithashtu u ka bërë ftesa për t'u bashkuar me bordin Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe Shqipërisë, Argjentinës, Egjiptit, Hungarisë, Indisë, Turqisë dhe Vietnamit.

Pavarësisht luftës së vazhdueshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Presidenti rus Vladimir Putin ka marrë gjithashtu një ftesë, tha Kremlini të hënën.

Arabia Saudite është ftuar gjithashtu të anëtarësohet në bord, sipas një zyrtari saudit, i cili tha se mbretëria po e shqyrton ftesën.

Komiteti ekzekutiv i bordit do të përfshijë, ndër të tjerë, ish-kryeministrin britanik Tony Blair, Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhëndrin e Trump, Jared Kushner dhe Ajay Banga, kreun e Bankës Botërore. /Telegrafi/