Trump shpërndan shkrimin e The Washington Post: “E parandaloi luftën mes Kosovës dhe Serbisë"

Analisti amerikan Marc Thiessen ka argumentuar se Donald Trump, gjatë mandatit të tij të parë dhe pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, ka ndërmarrë një numër të madh iniciativash që ai i cilëson si suksese historike për paqen globale.
Në analizën e tij për WashingtonPost, Thiessen thekson se Trump arriti katër marrëveshje paqeje në Lindjen e Mesme, të njohura si Marrëveshjet e Abrahamit — marrëveshje që, sipas tij, nuk ishin arritur për më shumë se një çerek shekulli.
Ai gjithashtu përmend presionin ndaj Indisë dhe Pakistanit për të ndalur përplasjet në Kashmir, ndërmjetësimin mes Tajlandës dhe Kamboxhias, si dhe sjelljen e Armenisë dhe Azerbajxhanit në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar një kornizë paqeje për Nagorno-Karabakun.
Thiessen citon pretendimet e Trump se ai ka parandaluar edhe një luftë mes Kosovës dhe Serbisë, duke iu referuar deklarimeve të Presidentit të Kosovës, se Serbia po përgatitej për një sulm në maj, por se Trump kishte ndërhyrë për ta parandaluar.
Në pjesën tjetër të analizës, theksohen pretendimet e Trump se ai ka parandaluar edhe përshkallëzimin e konfliktit mes Egjiptit dhe Etiopisë për digën e Nilit dhe se ka shtruar rrugën drejt një marrëveshjeje të re paqeje midis Izraelit dhe Hamasit, përfshirë këtu një plan prej 20 pikash për rindërtimin e Gazës.
Thiessen shkruan se, sipas Trump, këto nisma e vendosin atë mbi çdo president tjetër amerikan në aspektin e paqebërjes.
Ai përfundon se, nëse këto arritje nuk mjaftojnë për ta nominuar për Çmimin Nobel për Paqe, atëherë “çmimi nuk ka asnjë kuptim”.
Ndërkaq shkrimin e Marc Thiessen, presidenti Trump e ka shpërndarë në rrjetin "Truthsocial"./Telegrafi/

















































