Trump "qorton përsëri Izraelin" për sulmin ndaj Katarit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e qortoi përsëri Izraelin të dielën për sulmet ajrore që nisi në Doha të Katarit.
"Katari ka qenë një aleat shumë i shkëlqyer. Izraeli dhe të gjithë të tjerët, duhet të jemi të kujdesshëm. Kur sulmojmë njerëz, duhet të jemi të kujdesshëm", u tha Trump gazetarëve.
Trump fillimisht e qortoi Izraelin për sulmin e paprecedentë të së martës në Doha, ku negociatorët nga Izraeli dhe Hamasi kanë punuar për t'i dhënë fund luftës në Gaza.
Sulmi ka nxitur udhëheqësit arabë dhe myslimanë - përfshirë presidentin palestinez Mahmoud Abbas - të mblidhen për një shfaqje solidariteti në Doha.
Dhe kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, i kërkoi botës të "ndalojë së përdoruri standarde të dyfishta" dhe ta mbajë Izraelin përgjegjës.
Sulmi i Izraelit në kryeqytetin e vendit të Gjirit vrau pesë anëtarë të Hamasit dhe një oficer sigurie të Katarit.
Siç kujtojnë mediat, në Katar gjendet baza më e madhe ushtarake amerikane në rajon. /Telegrafi/
















































