Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Mbase keni dëgjuar për neoliberalizmin dhe neokonservatorizmin. Por, tani, mirë se vini në epokën e neoimperializmit.
Momenti më goditës në fjalimin inaugurues të Donald Trumpit, muajin e kaluar, ishte premtimi i tij se ShBA-ja “do ta konsiderojë sërish veten si një komb në zgjerim – një i tillë që rrit pasurinë tonë, zgjeron territorin tonë”.
Janë zbehur shpresat se retorika e Trumpit mbi zgjerimin territorial ishte thjesht një figurë boshe stilistike. Referencat e presidentit ndaj territoreve të huaja që dëshiron të përvetësojë, janë shumë të shpeshta për t’u injoruar apo hedhur poshtë.
Trumpi ka pohuar se Amerika me siguri do të “marrë Grenlandën”. Ai është zotuar të “rimarrë” Kanalin e Panamasë. Shpesh thotë se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i Amerikës. Javën e kaluar, ai madje pretendoi pronësinë mbi Gazën.
Fiksimi i tij për të zgjeruar territorin ka habitur edhe disa nga mbështetësit e tij. Por, ambiciet ekspansioniste të Trumpit janë më të lehta për t’u kuptuar nëse shihen si pjesë e një prirjeje globale. Dy liderët e tjerë botërorë që ai duket se i konsideron si të barabartë – Vladimir Putinin dhe Xi Jinpingun – gjithashtu e shohin zgjerimin territorial si një objektiv kyç kombëtar dhe si pjesë të pretendimit të tyre personal për madhështi.
Zëdhënësit rusë shpesh e përdorin sigurinë kombëtare si justifikim për luftën në Ukrainë. Por, vetë Putini është rikthyer në mënyrë obsesive te ideja se Ukraina nuk është shtet i vërtetë, por pjesë e “botës ruse”.
Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm i Rusisë, dikur i tha një të besuari se, para se të pushtonte Ukrainën, Putini kishte dëgjuar tre këshilltarë: “Ivanin e Tmerrshëm. Pjetrin e Madh. Dhe, Katerinën e Madhe”. Këta sundimtarë mbikëqyrën zgjerimet e mëdha të territorit rus, me Katerinën që avancoi thellë në Ukrainë.
Putini, pa dyshim, do të dëshironte të largohej nga skena historike duke rikthyer kontrollin rus mbi zemrën e ish-perandorisë së tij të vjetër – Ukrainën – dhe ndoshta edhe më në perëndim.
Në mënyrë të ngjashme, Xi e sheh marrjen nën kontroll të Tajvanit si çështje kyçe për fatin kombëtar të Kinës dhe për trashëgiminë e tij historike. Në një fjalim të fundit, ai deklaroi: “Tajvani është një territor i shenjtë i Kinës”.
Xi ka thënë se çështja e Tajvanit nuk mund të kalohet më nga një brez në tjetrin. Përfundimi i “ribashkimit” të Kinës do të ishte një arritje e madhe që mund t’i siguronte atij një status të ngjashëm me atë të Mao Zedongut, themeluesit të Republikës Popullore të Kinës.
Interesi i Trumpit për perandorinë është shfaqur kohëve të fundmit. Këshilltarët e tij po përpiqen me vështirësi të racionalizojnë në retrospektivë deklaratat e tij mbi Grenlandën, Panamanë dhe madje edhe Gazën – një proces që tashmë njihet si sanewashing [përpjekje për të minimizuar radikalitetin e një personi ose ideje për ta bërë atë më të këndshëm për publikun e gjerë].
Ashtu si me Putinin, qasja fillestare e sanewasher-ëve është të ofrojnë një shpjegim të rrënjosur në sigurinë kombëtare. Grenlanda ka minerale kritike; kinezët po hedhin sytë drejt Kanalit të Panamasë. Por, Kanadaja? Gaza? Këtu shpjegimet racionale zëvendësohen me ngritje supesh – ose edhe me të qeshura të përmbajtura.
Meqenëse nuk ka një arsye bindëse strategjike për ambiciet territoriale të Trumpit, shpjegimi më i qartë alternativ është se kjo lidhet me madhështinë e tij personale. Nëse Çmimi Nobel për Paqe mbetet i paarritshëm, Trumpi të paktën mund të arrijë të gdhendë fytyrën e vet në faqen e Malit Rashmor [Mount Rushmore] duke zgjeruar territorin amerikan.
Ideja se presidenti thjesht dëshiron të rrisë sipërfaqen e Amerikës, u bë më e besueshme pas telefonatës së tij famëkeqe me kryeministren daneze, Mette Frederiksen. Mendohet se ajo i ka ofruar Trumpit pothuajse gjithçka që mund të dëshironte, përveç sovranitetit mbi Grenlandën. ShBA-ja mund të kishte më shumë baza ushtarake ose të drejta mbi mineralet. Por, kjo nuk e qetësoi atë. Ai donte vetë Grenlandën.
Shpresat e Trumpit për të marrë nën kontroll Kanadanë ose Gazën ende duken të pamundura. Por, Kanali i Panamasë dhe Grenlanda janë më të cenueshme: forca ushtarake amerikane do të ishte dërrmuese po të vendosej kundër panamezëve ose danezëve.
Me ShBA-në, Rusinë dhe Kinën të udhëhequra nga burra me ambicie ekspansioniste, pasojat janë të zymta për sistemin aktual ndërkombëtar. Bota mund të kalojë nga një epokë ku shtetet e vogla mund të pretendonin mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar, në një realitet ku, siç thoshte Tukididi, “të fortët bëjnë çfarë duan, të dobëtit vuajnë çfarë duhet të vuajnë”.
Një botë e tillë mund të jetë e pajtueshme me një paqe të brishtë mes fuqive të mëdha, bazuar në sfera ndikimi – me ShBA-në të përqendruar në hemisferën perëndimore, Rusinë në Evropën Lindore dhe Kinën në Azinë Lindore. Gjatë shekullit XIX, fuqitë e mëdha madje organizuan konferenca për të ndarë botën mes vete – si Konferenca e Berlinit (1884-1885), e cila ndodhi në kulmin e “ndarjes së Afrikës”.
Por, një ndarje e tillë do të ishte natyrshëm e paqëndrueshme. Marrëveshjet mes fuqive të mëdha në shekullin XIX, përfundimisht u shpërbënë në luftërat botërore të shekullit XX.
Rritja e ideologjive imperialiste ka gjithashtu pasoja për politikën e brendshme. Perandoritë kanë tendencën të prodhojnë perandorë. Politikat e jashtme ekspansioniste të Putinit dhe Xisë ecin paralelisht me një kult personaliteti brenda vendit dhe me shtypje politike. Ambiciet e Trumpit jashtë vendit shoqërohen me një fokus të ashpër për të shkatërruar “armikun nga brenda”.
Elon Musk, i cili po luan një rol kyç në këtë, ka thënë se çdo ditë mendon për fatin e Perandorisë Romake dhe ka sugjeruar se Amerika mund të ketë nevojë për një “Sula modern” – për diktatorin romak që vrau qindra kundërshtarë, ndërsa reformonte shtetin. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
KQZ shpalli rezultatet përfundimtare, LVV merr 42.30%, PDK - 20.95%, LDK - 18.27%

LDK siguron 20 mandate - emrat e deputetëve që ulen në Kuvend

Protesta masive në Serbi - gjithçka ndodhi dhe po ndodh atje, minutë pas minute

Koalicioni AAK-Nisma pas zgjedhjeve parlamentare, 8 emrat që do të jenë në Kuvend

Rezultatet përfundimtare, këta janë 48 deputetët e LVV-së

Bedri Hamza më i votuari – Lista e 24 deputetëve fitues në PDK

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Ndodhet akoma në Big Brother - publikohet data e koncertit të parë të Gjestit

Zbulohen prapaskena befasuese: Me vetëm një telefonatë, Perez ndikoi që dy lojtarë të Barcelonës ta kalojnë regjistrimin

Ishte apo jo prekje e dyfishtë nga Alvarez? TNT Sports publikon pamje të reja për t'u dhënë fund debateve

Diego Simeone i la të gjithë pa fjalë për pyetjen që bëri në konferencë për media

Ulet pranë Gjestit, Xheneta: Dikush m’i ka puthur këta gishta të këmbës

Republika Serbe miraton një draft të kushtetutës së re - shtet brenda shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës