Presidenti amerikan, Donald Trump u ka kërkuar kolegëve të tij republikanë të votojnë për publikimin e dosjeve që lidhen me Jeffrey Epstein.

Presidenti amerikan tha se politikanët nga partia e tij duhet të mbështesin publikimin e dokumenteve të Departamentit të Drejtësisë.


"Nuk kemi asgjë për të fshehur dhe është koha të largohemi nga ky mashtrim demokrat i kryer nga të çmendurit e së majtës radikale me qëllim që të shmangim Suksesin e Madh të Partisë Republikane”, tha Trump.

Bëhet e ditur se mijëra dokumente të Epstein u publikuan nga një komitet javën e kaluar - dhe disa prej tyre përmendën Trumpin.

Shtëpia e Bardhë tha se emailet u publikuan në mënyrë selektive për të “krijuar një narrativë të rreme për të njollosur presidentin Trump”.

Presidenti gjithmonë ka mohuar çdo shkelje dhe tha se u grind me pedofilin shumë kohë përpara se krimet e tij kundër vajzave të mitura të dilnin në dritë.

Megjithatë, presioni për të publikuar të gjitha dokumentet qeveritare në lidhje me Epstein - i cili vrau veten në vitin 2019 - është rritur për shkak të thashethemeve të vazhdueshme për një mbulim të ngjarjes.

Një numër gjithnjë e në rritje i ligjvënësve republikanë dhe mbështetësve besnikë të Trumpit gjithashtu duan që dokumentet të bëhen publike. /Telegrafi/