Presidenti amerikan, Donald Trump e ka falur themeluesin e Binance, Changpeng Zhao, konfirmoi Shtëpia e Bardhë.

Zhao, i njohur edhe si “CZ,” dha dorëheqje nga pozicioni i CEO-së së Binance në vitin 2023 si pjesë e një marrëveshjeje pranimi fajësie që e dërgoi atë në burg për katër muaj në vitin 2024 në Lompoc, Kaliforni, raporton newyorktimes.


Moguli i kriptomonedhave ishte deklaruar fajtor për shkelje të ligjeve amerikane kundër shpëlarjes së parave në këmbimoren më të madh të kriptomonedhave në botë.

“Presidenti Trump përdori autoritetin kushtetues duke lëshuar një falje për zotëri Zhao, i cili u ndjek penalisht nga administrata Biden në luftën e tyre kundër kriptomonedhave”, tha Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Levitt, për Decrypt.

“Në dëshirën e tyre për të ndëshkuar industrinë e kriptomonedhave, administrata Biden ndoqi zotërinë Zhao pavarësisht mungesës së akuza për mashtrim apo viktima të identifikueshme”, shtoi ajo.

“Administrata Biden kërkoi të burgosë zoti Zhaon për tre vjet, një dënim shumë absurd saqë edhe gjyqtari tha se nuk kishte dëgjuar kurrë për diçka të tillë në karrierën e tij 30-vjeçare”, vazhdoi ajo dhe shtoi se “këto veprime nga administrata Biden dëmtuan rëndë reputacionin e Shteteve të Bashkuara si udhëheqës global në teknologji dhe inovacion. Lufta e administratës Biden kundër kriptovalutave ka përfunduar”.

Zhao themeloi Binance në muajin korrik të vitit 2017 pas një ofertë fillestare të monedhave (ICO) që mblodhi rreth 15 milionë dollarë. Pak më pas, Binance u bë këmbimorja më e madh e kriptomonedhave në botë sipas volumit të tregtimit dhe ende mban këtë pozicion.

Por, pavarësisht bazës së madhe të klientëve, Binance nuk përputhej me rregulloret, tha zbatuesi i ligjit amerikan, duke lejuar që fonde të lidhura me vjedhje virtuale dhe terrorizëm të kalonin nëpër shkëmbim pa u zbuluar.

Amerikanët gjithashtu mund të përdornin këmbimoren - e cila lejon njerëzit të blejnë, shesin dhe të vendosin baste mbi çmimin e ardhshëm të monedhave dhe tokenëve kryesorë digjitalë - kur nuk duhej të lejohej.

Ish-CEO-ja Zhao në 2023 u detyrua të largohej nga Binance si pjesë e një marrëveshjeje prej 4.3 miliardë dollarësh mes tij, këmbimores dhe autoriteteve amerikane të ligjit.

Trump kandidoi për president me premtimin për të ndihmuar industrinë dhe mori miliarda dollarë financim nga figura të mëdha të Silicon Valley.

Që kur republikanët morën pushtetin në janar, Komisioni i Sigurimeve dhe Shkëmbimeve ka hequr një numër padish të profilit të lartë të ngritura gjatë administratës Biden kundër kompanive kryesore të kriptomonedhave.

Presidenti Trump gjithashtu ka falur edhe magnat të tjerë të kriptomonedhave - si themeluesin e BitMEX, Arthur Hayes. Zhao konfirmoi në maj se ishte duke ndjekur procesin zyrtar për të kërkuar një falje, por mohoi spekulimet se po ofronte pjesëmarrje në Binance.US për të lehtësuar këtë hap.

Presidenti Trump gjithashtu ka një listë të gjatë të projekteve personale në kriptovaluta; familja e tij thuhet se ka fituar 1 miliard dollarë nga disa biznese të aseteve digjitale.

Këmbimorja e Zhao ka lidhje edhe me projektin World Liberty Financial të mbështetur nga Trump: Stablecoini USD1 i këtij projekti është në dispozicion në një blockchain që fillimisht u krijua nga Binance, BNB Chain, dhe një investim prej 2 miliardë dollarësh në Binance nga fondi sovran i Abu Dhabit MGX u pagua duke përdorur këtë token. /Telegrafi/