Trump drejt Lindjes së Mesme për nënshkrimin e marrëveshjes historike të paqes për Gazën

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të udhëtojë për në Lindjen e Mesme për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së paqes për Gazën në Egjipt, e cila potencialisht shënon fundin e luftës dyvjeçare të përgjakshme midis Izraelit dhe Hamasit.
Gjatë udhëtimit, Trump është planifikuar të vizitojë fillimisht Izraelin, ku është planifikuar një takim me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe një fjalim në Knesset, parlamentin e Izraelit.
Sipas raportimeve të mediave izraelite, Trump ka të ngjarë të takohet me familjet e pengjeve, ndërsa mediat egjiptiane raportojnë se po bëhen përgatitje për të pritur presidentin amerikan.
Ndryshe, udhëtimi i planifikuar i Trumpit në Lindjen e Mesme vjen pas njoftimit të tij të enjten në mëngjes se Izraeli dhe Hamasi kishin rënë dakord për fazën e parë të një marrëveshjeje armëpushimi në Gaza.
Marrëveshja u bë publike pas negociatave të gjata në qytetin turistik egjiptian Sharm el-Sheikh, ku i dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, së bashku me ndërmjetës nga Katari dhe Egjipti, e shtynë Izraelin dhe Hamasin drejt një armëpushimi.
Trump do të pritet në Qytetin e Kuq të Sharm El Sheikh nga presidenti egjiptian Abdel Fattah El Sisi për të marrë pjesë në një ceremoni nënshkrimi së bashku me garantuesit e tjerë të marrëveshjes së paqes në Gaza. /Telegrafi/



















































