Dhjetë persona janë në spital, nëntë prej të cilëve besohet se kanë lëndime kërcënuese për jetën, pas një sulmi me thikë në një tren në Cambridgeshire të Anglisë.

Policia tha se dy persona ishin arrestuar në lidhje me sulmin e së shtunës në mbrëmje, pasi një numër "i konsiderueshëm" oficerësh u thirrën në stacionin Huntingdon, ku treni kishte bërë një ndalesë të paplanifikuar.


Autoritetet nuk kanë komentuar mbi identitetin e të plagosurve ose të arrestuarve, apo ndonjë motiv të mundshëm.

Policia Britanike e Transportit (BTP) e ka shpallur një "incident të madh" dhe po heton sulmin me thikë me mbështetjen e oficerëve të antiterrorizmit.

Dëshmitari Wren Chambers tha se ata e kuptuan për herë të parë se diçka nuk shkonte kur një burrë u sul mbi karrocë me një krah të përgjakur, duke thënë "kanë një thikë, ikni".

Wren dhe shoku i tij më pas vrapuan në pjesën e përparme të trenit dhe panë një burrë që ishte shtrirë në dysheme.

Ai tha se ndiheshin "të stresuar dhe mjaft të frikësuar" pasi mësuan se çfarë po ndodhte.

Një tjetër dëshmitar okular, Olly Foster, përshkroi “panik të pastër” në tren dhe tha se kur fillimisht dëgjoi njerëz që bërtisnin “vraponi, vraponi, ja ku është një djalë që po i godet të gjithë me thikë”, ai besoi se mund të kishte qenë një shaka për Halloween.

Ai vlerësoi se sulmi zgjati rreth 10 deri në 15 minuta, por tha se i ishte dukur si “një përjetësi”.

Një burrë që mbante një thikë të madhe u pa më vonë në platformën e trenit.

Kryeministri Sir Keir Starmer tha se incidenti është thellësisht shqetësues.

"Mendimet e mia janë me të gjithë ata që janë prekur dhe falënderimet e mia shkojnë për shërbimet e emergjencës për reagimin e tyre." /Telegrafi/