Tri klube të gatshme të paguajnë 40 milionë euro për Brahim Diaz
Real Madridi ka qenë aktiv këtë verë në merkaton e transferimeve, duke sjellë tre përforcime të reja dhe me Franco Mastantuonon që pritet të bashkohet së shpejti.
Të katër lojtarët janë projektuar si pjesë e formacionit titullar nën drejtimin e pritshëm të Xabi Alonsos. Megjithatë, përveç largimeve të Luka Modric dhe Lucas Vazquez, klubi nuk ka regjistruar dalje të tjera të rëndësishme.
Spekulime kanë qarkulluar për të ardhmen e Endrick Felipe dhe Rodrygo Goes, por deri tani asnjë klub nuk ka bërë ndonjë lëvizje konkrete për t’i transferuar nga “Santiago Bernabeu”.
Arabia Saudite synon Brahim Diazin
Sipas burimeve për Football España, tre klube saudite – Neom SC, Al-Nassr dhe Al-Hilal – kanë shfaqur interes të fortë për Brahim Diazin. Xabi Alonso mësohet t’i ketë komunikuar mesfushorit maroken se do të ketë një rol dytësor gjatë sezonit të ardhshëm, çka ka shtuar mundësinë për largimin e tij. Klubet nga Arabia Saudite janë të gatshme të ofrojnë deri në 40 milionë euro për kartonin e tij.
Interesim edhe nga Evropa
Përveç ofertave nga Lindja e Mesme, Brahimi është në vëzhgim edhe nga disa klube evropiane. Fenerbahçe ka treguar interes konkret, ndërsa Arsenal dhe Milani po monitorojnë situatën në rast se lojtari vihet në dispozicion të merkatos. Gjithsesi, në këtë fazë, nuk ka lëvizje konkrete nga ana e tyre.
Kontratë e re në pritje
Vetëm pak javë më parë, Brahim thuhet se kishte arritur një marrëveshje për rinovimin afatgjatë me Real Madridin. Megjithëse akordi është arritur, 25-vjeçari ende nuk e ka firmosur kontratën e re dhe ka edhe dy vite të mbetura në kontratën aktuale.
A do ta shesë Real Madridi?
Nëse asnjëri nga Rodrygo apo Endrick nuk largohet, Real Madridi mund të konsiderojë largimin e Brahimit për të balancuar skuadrën dhe për të përfituar financiarisht.
Megjithatë, çdo transferim do të varet nga vullneti i vetë lojtarit. Ndërsa një ofertë e majme nga Arabia Saudite mund të jetë tundim, lojtari mund të preferojë një klub evropian që i garanton një rol më të rëndësishëm në fushë. /Telegrafi/






























