LAJMI I FUNDIT:

Tre të tjerë vdesin nga coronavirusi në Serbi, në një qytet situata është shumë e rëndë

Tre të tjerë vdesin nga coronavirusi në Serbi, në një qytet situata është shumë e rëndë

Në 24 orët e fundit në Serbi, tre persona vdiqën si pasojë e coronavirusit, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi.

Ndërkohë, siç raportojnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, zyrtarisht, numri i përgjithshëm i të vdekurve është 277, sipas uebfaqes covid19.rs.


Veç kësaj, të prekur me coronavirus thuhet se janë regjistruar edhe 276 persona të tjerë, ndërkohë në respiratorë janë 42 persona.

Siç thuhet më tej, që nga fillimi i epidemisë, 14.564 raste të infeksionit janë konfirmuar në Serbi.

Mediat serbe shkruajnë se përqindja e të vdekurve është 1,90 për qind ndërsa numri i rasteve aktive është 1,625.

Situata emergjente është në Kragujevac, Novi Pazar dhe Vranje ndërsa situata është serioze në Tutin.

Dr. Mithat Eminoviç, drejtuesi i shërbimit higjieno-epidemiologjik të Qendrës Shëndetësore në Tutin, thotë se situata në atë qytet është shumë e rëndë dhe se ngarkesa në klinikën e të prekurve me COVID-19 është e madhe.

Për shkak të komunikimit të pakënaqshëm midis institucioneve, ai thotë se nuk e di numrin e saktë të të vdekurve dhe të sëmurëve.

“Por vërehet se ndryshimi midis të dhënave të shpallura zyrtarisht dhe situatës reale është i madh”.

Ai shton se tre anëtarë të familjes vdiqën brenda një dite – babai, nëna dhe motra e një punonjësi shëndetësor nga Tutin. Dhe, nënvizon ai, deri më 27 prill, ata nuk kishin asnjë të infektuar. /Telegrafi/