LAJMI I FUNDIT:

Tre miq diskutojnë për celularin

Tre miq diskutojnë për celularin
Ilustrim

Çapajev Gjokutaj

1.


Bota po shkurton distancat, po bëhet përherë e më e arritshme. Sot sheh live jo vetëm lojëra olimpike jo vetëm kremtime në anën tjetër të rruzullit, por edhe nisjen e një lufte, rrëmujën dhe kaosin pas një akti terrorist etj. Bota është bërë më e vogël dhe shumë më e pranishme në jetët tona. E megjithatë, ka të ngjarë që njeriu ndihet më i vetmuar sot sesa dje.

E ke të afërmin përbri, po celulari ta degdis larg. Rrjetet sociale po na lidhin me të largëtit, por po na largojnë e po na tëhuajësojnë me njerëzit e shtëpisë.

Muret që po ngre interneti mes të afërmve, përditë e më shumë të kujtojnë perden e hekurt. Por, dhimbja kësaj radhe është më zemërbrejtëse, nuk shtrihet mes sistemesh e shtetesh, por mes prindërish e fëmijësh, mes vëllezërish e motrash.

Për t’i ikur vetmisë, miliona vetë bashkohen në rrjete sociale ashtu siç janë bashkuar e bashkohen edhe në komunitete të imagjinuara si kombi, partitë politike, besimi etj.

Por, siç e thotë një burrë i zgjuar, këta mijëra miq fejsbuku, këta miliona bashkëkombës, bashkëluftëtarë etj., nuk mund të të japin intimitetin që të jep një motër e vetme.

Problemi nuk shtrohet të braktisësh rrjetet sociale e të jetosh vetëm në komunitete fizike e intime, as të mohosh kombin e të absolutizosh familjen.

Njerëzimi është i madh e i paanë, ka vend, zemër e vëmendje për gjithçka e për të gjithë. Ashtu siç ka e duhet të ketë edhe sensin e masës dhe aftësinë që, herët a vonë të gjejë ekuilibrin. Çoroditja është moment, drejtpeshimi ka qenë dhe mbetet ligj ekzistence.

Këtë përsiatje e postova në fejsbuk para dy javësh. Mora shumë komente e reagime. Në vijim po bashkëngjis dy prej tyre.

2.

Ti ankohesh se celulari po na lidh me të largëtit dhe po na largon nga njerëzit e shtëpisë. Është akoma më zi, them unë. Celulari, d.m.th. interneti dhe rrjetet sociale, po na largojnë edhe nga vetja. Kështu më shkruan Qaniu dhe vazhdon:

Që ta perceptosh më lehtë, po të tregoj një ndodhi. Para dy vitesh, në rrugën e Medresesë një i ri vrau të dashurën dhe pastaj ia hoqi dhe vetes. Motra e së vrarës, që ishte ca hapa më tej, ia dha kujës. Shumica e të pranishmëve nxorën celularët dhe po fotografonin.

Bashkë me dy-tre të tjerë bëmë të afroheshim. Nuk mund të ndërhynim në skenën e krimit, por u përpoqëm t’i gjendeshim motrës që po lebetitej.

Mbasdite vrisja mendjen: ç’i shtyu ata 10- 12 vetë që, fët e fët, të nxirrnin celularët dhe të filmonin? A e përjetuan llahtarinë e krimit si ne të tjerët apo, të zënë me filmimet, e panë thjesht si imazhin e radhës?

As sot e kësaj dite nuk gjej dot përgjigje të prera për këto pyetje, por një gjë mund ta them me siguri: pak çaste pas vrasjes, sehirxhinjtë ua kanë përcjellë videot miqve në fejsbuk a instagram dhe pastaj kanë pritur me kërshëri like-t dhe komentet.

Kësaj i thonë t’u ikësh përjetimeve reale, të lesh mënjanë drithërimat, frikën, keqardhjen që ngjall vrasja e dikujt para syve të tu dhe të synosh emocionet e zbehta që ngjall aprovimi apo admirimi virtual i miqve.

Me një fjalë, në vend që të shohësh, kërkon të të shohin. Egoizëm safi, por edhe ikje nga përjetimet reale, arratisje nga vetja jote.

E pra, ndruaj se fejsbuku dhe rrjetet e tjera sociale po bëjnë që njeriu t’i ikë vetes. Madje, edhe trupi ngjan se nuk po na hyn në punë, na duhen vetëm sytë, dhjetë gishta, një ekran e një tastierë.

Dhe kështu rrezikojmë të kthehemi në ca qenie virtuale, të tëhuajësuara jo vetëm me ata që kemi pranë, por edhe me veten, madje edhe me trupin tonë.

3.

Sa herë flisni për celularin dhe rrjetet sociale, edhe ti, edhe Qaniu, i bini fyellit në një vrimë. Shihni vetëm gjysmën bosh të gjësë. E bëni celularin djall me brirë dhe lini në harresë anët pozitive që i ka të shumta dhe të çmuara.

Kështu më shkruan Naqja dhe nis e shtjellon qëndrimin e tij. Celulari, thotë, na e bën jetën më të lehtë, kurse marrëdhëniet me të afërmit më funksionale.

Nipin dyvjeçar e takojmë vetëm për fundjavë, se Tirana është bërë e madhe dhe shtëpinë e vajzës e kemi larg. Gati çdo mëngjes, dhëndri na lidh me video-kamerë.

Veç të shohësh mua dhe Verën, pa u larë akoma, ndenjur shesh në krevat dhe ngjitur me njëri-tjetrin, që të na kapë kamera e celularit, i këndojmë e i themi vjersha. Ai dëgjon e gazmohet, bija dhe dhëndri bëhen gati për punë pa çamarrokun nëpër këmbë.

Do më? Baxhanaku im në Amerikë, emigrant njëzet e ca vjet, sa ka dalë në pension. Mërzitem e bëhem derr, thotë. Edhe në metro, mes lumit të njerëzve, ndihem i vetmuar, si të isha në Patagoni. Vetëm kur hap fejsbukun më ngjan vetja sikur jam në Fier. Lexoj statuse e komente, kthej ndonjë përgjigje, të gjitha shqip, dhe më duket se jam atje, mes miqsh e të njohurish. Me njërin përshëndetem, me tjetrin bëj ndonjë batutë nga larg, me të tretin shkoqitem në muhabet. Gjë e madhe fejsbuku.

Në postimin e djeshëm, vazhdon Naqja, Qaniu flet me keqardhje e gati-gati me përçmim për ata njerëz që, kur ndodh ndonjë gjë e jashtëzakonshme, nxjerrin celularët dhe filmojnë. I quan sehirxhinj dhe harron që, jo rrallë sjellin shërbime të çmuara shoqërore e publicistike.

Po të qe për televizionet dhe kamerat profesionale p.sh, pamjet e shpërthimit të Gërdecit, do t’i kishim me llafe. Celularët e dy-tre qytetarëve të thjeshtë e fiksuan shpërthimin gjëmëmadh për ne dhe për historinë. Ose merr një ngjarje të freskët. Opinioni dhe mediat greke u trazuan goxhá për vrasjen e të riut minoritar në Bularat. Fillimisht andej kufirit mbisundoi versioni se u vra meqë ngriti flamurin grek.

Vetëm kur doli videoja që e tregonte të riun në rrugën përbri kafenesë, duke shtirë me armë në lartësinë e trupit, edhe në opinionin grek u shtuan zërat realistë që thoshin se Policia e çdo vendi ka të drejtë të asgjësojë personat që ngrenë armën kundër saj. Kjo video, që bëri ndryshimin, ishte e ‘një sehirxhiu’, që ndodhej në kafene dhe, në vend të rrinte duarkryq e të përjetonte emocionet dhe dridhmat e ngjarjes, siç predikon Qaniu, nxori celularin dhe filmoi. Merret lehtë me mend se ç’vlerë kanë dridhmat e një personi krahasuar me mirëkuptimin mes dy shtetesh fqinjë.

Si ti dhe Qaniu, kulmin e arrini kur fajësoni celularin dhe rrjetet sociale se po na zhytin në një botë virtuale. Në fakt, nuk po bëjnë kurrfarë faji, përkundrazi po na ofrojnë një shërbim të çmuar. Po na ndihmojnë të shuajmë një etje të përjetshme të racës njerëzore.

Në çdo vend e në çdo kohë njeriu e ka të nevojshme që, hera-herës të çlirohet nga realja e të shkojë te virtualja, të arratiset nga e zakonshmja e të strehohet tek e çuditshmja. Kjo është dëshirë safí njerëzore, ndaj çdo kohë ka pasur e ka nevojë edhe për përralla, trillime e realitete virtuale.

Në një pikë jam dakord me ju: ka shumë teprime në përdorimin e celularit, por fajtorë jemi ne e jo instrumenti. Pastaj, më thuaj një dashuri, e cila në hapat e para ruan sensin e masës.