LAJMI I FUNDIT:

Trari

Trari

Fillimisht, dua t’i siguroj lexueset e lexuesit e mi besnikë të përhershëm, por edhe të herëpashershëm, se titulli i këtij shkrimi nuk ka të bëjë fare, të paktën nga  titulli, me ndonjëudhëzues për ndërtues shtëpish apo vilash të drunjta. Jo, sot po marr shkas nga realiteti politik aq mjeran i qeverisjes po aq mjerane nën drejtimin po aq mjeran të kryeministrit të deritanishëm me emrin Edi Rama.

Me rastin e vizitës në Tiranë të zonjës Vjosa Osmani, presidente në detyrë e Republikës së Kosovës, u lakua, ndër të tjera, edhe emri “tra” në lidhje me Rrugën e Kombit, por jo më në kuptimin “trung druri i gjatë dhe i trashë, që përdoret në ndërtim”, as në kuptimin “trungi gjatë dhe i trashë që shërben për ushtrime gjimnastikore”. Ai u lakua thjesht në kuptimin ndarës, d.m.th. si një objekt horizontal që shërben si kufi fitimprurës mjeran për Republikën e Rrënuar të Shqipërisë së Shkalafitur në kurriz të motrave e vëllezërve kosovarë që vijnë tek kjo qoftë për biznes, qoftë për turizëm, qoftë për t’u çmallur me të afërmit e tyre, nga të cilët i ndau për gjysmë shekulli diktatura e çmendur e Enver Hoxhës, tra ky i paturpshëm, simbol i pragmatizmit të paturpshëm në mendësinë skandaloze të kryeministrit të deritanishëm shqiptar me emrin Edi Rama.


“Trari”! Oh, sa frikë kam se mos ky emër krejt i pafajshëm nga pikëpamja thjesht leksikore pëson sulmin dinak të një shkronje tjetër të alfabetit tonë! “Për cilën shkronjë e keni fjalën më saktë, z. Tupja?”, mund të pyesin (me  ose pa djallëzi) disa lexuese apo lexues kureshtarë. Po iu përgjigjem, pra, në çast këtyre, madje pa më të voglin ngurrim: E kam fjalën, për shembull, për shkronjën “p”, e cila duke zëvendësuar “r”-në e dytë të fjalës “trari”, do ta shndërronte” këtë në “trapi”.

Oh, ç’mrekulli e gjuhës shqipe! Trari i Rrugës së Kombit, falë kësaj magjie të gjuhës sonë, na u kthyeka në “trap”.

Ah, harrova, “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) jep katër përkufizime të fjalës “trap”, nga të cilët në krye këtë që vijon: “e thelluar midis mollaqeve”! Ç’janë mollaqet? I njëjti fjalor na shpjegon se ato janë “tulet e të ndenjurave”, pra “vithet”! Rrjedhimisht dhe për pasojë të pashmangshme e logjike, i bie që trari/trapi në fjalë të vijë, qoftë edhe kohë pas kohe, era… mut! Mirëpo, këtë erë të neveritshme e adhurojnë vetëm koprofilët e skatofagët! Ndokush mund të më pyesë se ç’kuptim kanë këto dy terma, “koprofil” e “skatofag” (në frëngjishte coprophile e scatofage). Për të mos i llahtarisur lexueset e lexuesit e mi fort të ndjeshëm, u sugjeroj atyre të kërkojnë në Internet shpjegimin e këtyre dy fjalëve ose t’i drejtohen ndonjë mjeku, në veçanti psikiatri, me përvojë).

Nga ana tjetër, në një këngë popullore të vjetër nga zona e Korçës, që këndohej e ndoshta ende këndohet nëpër dasma, gjejmë vargjet “Bëmë nënë dhëndëro / se jam djalë i ëmbëlo / s’e pi verën as rakinë / me një tra e mbaj shtëpinë”. Me siguri që një psikanalist do të shihte tek fjala “tra” një simbol falik, pra, që të kujton falusin, d.m.th. penisin. Tani, po të konsiderojmë afërsinë e së thelluarës midis mollaqeve me penisin, mund të mbërrijmë në një përfundim fort interesant për sa i përket trinomit tra-trari-trapi, aq më tepër që, të enjten e kaluar në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, pikërisht në ditën dhe orën kur Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës i kërkonte parlamentit shqiptar të dilte me një rezolutë ku të dënonte zyrtarisht gjenocidin serb në Kosovë, shkëlqeu me mungesën e vet kryeministri i deritanishëm shqiptar me emrin Edi Rama dhe ende jo Edko Ramiq, siç kanë nisur ta quajnë në Shqipërinë e sotme fatkeqe qysh nga lidhja e tij vëllazërore ose, figurativisht, e fillimit të muajit të tij të mjaltit, me presidentin e sotëm serb Aleksandër Vuçiq.

Së fundi, por jo më së paku, lexueset dhe lexuesit e padjallëzuar të rubrikës sime të përjavshme më duhet t’i paralajmëroj se “Trari”, si emër përherë krejt i pafajshëm nga pikëpamja thjesht leksikore, rrezikon sërish të bjerë viktimë e  sulmin të pabesë nga ana e dy shkronjave njëherësh të alfabetit tonë! E kam fjalën për shkronjat “k” dhe “p”. Si është e mundur kjo? Fare thjesht: Shkronja “k” zëvendëson “t”-në, kurse ajo “p” zëvendëson “r”-në e dytë të fjalës “trari” dhe, në këtë mënyrë, fjala “Trari” shndërrohet në “Krapi”. Tani, cilido që i drejtohet fjalorit të lartpërmendur të gjuhës shqipe, do të vërejë se, në mënyrë të figurshme, fjala “krapi” ka kuptimin “njeri i ngathët dhe i trashë nga mendja”, kurse për dikë që e sheh veten në një gjendje pa rrugëdalje (siç është rasti për  kryeministrin e deritanishëm shqiptar me emrin Edi Rama dhe ende jo Edko Ramiq),thuhet se ai ndihet “si krapi në ujë të turbullt”. Në këtë kuadër lind pyetja: Në rrjetën e cilit peshkatar po përpëlitet kryeministri në fjalë?

Në trend

Më shumë
Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Kronika e Zezë
UEFA zbulon lojtarin më të shpejtë për këtë edicion në Ligën e Kampionëve

UEFA zbulon lojtarin më të shpejtë për këtë edicion në Ligën e Kampionëve

Liga e Kampionëve
Zyrtare: Bundesliga me pesë skuadra në Champions duke iu falënderuar Dortmundit

Zyrtare: Bundesliga me pesë skuadra në Champions duke iu falënderuar Dortmundit

Liga e Kampionëve
Pse Jamal Musiala vendosi të mos përfaqësojë Anglinë në nivel të lartë, duke përzgjedhur më pas Gjermaninë

Pse Jamal Musiala vendosi të mos përfaqësojë Anglinë në nivel të lartë, duke përzgjedhur më pas Gjermaninë

Përfaqësueset
U tha se do të vinte në Shqipëri për t'u takuar me Heidin në Big Brother - Massimiliano Varrese vjen me një mesazh në shqip

U tha se do të vinte në Shqipëri për t'u takuar me Heidin në Big Brother - Massimiliano Varrese vjen me një mesazh në shqip

Magazina
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Kalo në kategori