Transmetimet e Bad Bunny në Spotify rriten 470% në SHBA pas performancës në Super Bowl

Pas performancës historike në pushimin e Super Bowl 2026, Bad Bunny përjetoi një rritje të jashtëzakonshme të transmetimeve në Spotify.
Në SHBA, këngët e tij u dëgjuan 470% më shumë, ndërsa globalisht u regjistrua një rritje prej 210%.
Që nga e hëna, Bad Bunny zuri gjashtë vendet e para në listën e këngëve më të dëgjuara ditore në SHBA të Spotify, shkruan Rolling Stone.

Rritja e shikueshmërisë vjen pas një performance elektrizuese që përfshinte hite të njohura dhe referenca të kulturës latine, si dhe paraqitjet e Ricky Martin dhe Lady Gaga. Martin gjithashtu përjetoi një rritje prej 145% në transmetime në SHBA.
Krahasimisht, reperi Kendrick Lamar kishte përjetuar një rritje 175% të transmetimeve pas performancës së tij në Super Bowl vitin e kaluar, me hitin e tij “Not Like Us” që u rrit 430%.
Këngët më të njohura të Bad Bunny, si “Yo Perreo Sola” (2020) dhe “El Apagón” (2022), panë rritje të jashtëzakonshme, respektivisht 2,170% dhe 1,320%.
Edhe këngë të tjera si “CAFé CON RON” dhe “LO QUE LE PASÓ A HAWAii” u transmetuan më shumë, ndërsa kjo e fundit u performua nga Martin në një moment të veçantë. Përveç rritjes së transmetimeve, “DtMF” u rikthye në Billboard Hot 100 në vendin e 10-të.
Muajin e kaluar, këngët e Bad Bunny u transmetuan më shumë se 1.3 miliardë herë globalisht, duke u përgatitur për performancat në Grammy dhe Super Bowl.
Para ndeshjes, këngët më të dëgjuara ishin nga albumi më i fundit i tij, Debí Tirar Más Fotos, duke përfshirë “DtMF”, “BAILE INoLIVIDABLE”, “NUEVAYoL” dhe “EoO”, ndërsa hiti i njohur “Tití Me Preguntó” nga Un Verano Sin Ti mbeti ndër më të dëgjuarat. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com































































