LAJMI I FUNDIT:

Transformimi i ish-fabrikës së miellit në Fier

Transformimi i ish-fabrikës së miellit në Fier

Ish-Fabrika e Miellit është vepra e parë industriale në Fier, e cila ka mbetur në “këmbë” edhe në ditët e sotme.

Pas rehabilitimit, u kthye në një kompleks arkitektural, tërësisht në shërbim të qytetarëve, duke u tjetërsuar nga simboli i portës së industrializimit në Fier, në një godinë që ruan origjinalitetin historik dhe kulturor të qytetit dhe më gjerë.


Projekti për kthimin e saj në një qendër shumëfunksionale, lindi fillimisht si ide e kryetarit të Bashkisë, Armando Subashi. Ideja u konkretizua në kuadrin e projektit të madh të ndërtimit të Parkut Qendror të qytetit.

Kjo fabrikë u ndërtua në vitin 1936, nga mjeshtrat dibranë me banim në Fier, Ago dhe Jonuz Boriçi. Makineria ishte e importuar nga Gjermania dhe prodhonte miell të cilësisë së lartë. E ndërtuar në një sipërfaqe prej 2,308 metra katrorë nga specialistët italianë, kishte dimensionet 20 metra gjatësi, 6.5 metra gjerësi, 16 metra lartësi. Materialet e ndërtimit, duke përjashtuar inertet, u importuan nga Italia.

Prodhimi i miellit ambalazhohej në thasë 30 kilogramë dhe mbante stampën LTD (Lidhja Tregtare e Drithit). Prodhimet shpërndaheshin në Shqipëri, si dhe eksportoheshin nëpërmjet skelës së Semanit në Itali dhe Greqi.

Në 15 tetor 1944, gjatë tërheqjes së tyre, në këtë fabrikë u paraqit një skuadër gjermane për ta djegur.

“Më vjen keq që do ta digjni”, iu drejtua atyre kryemekaniku i saj, një ish-emigrant i përpara luftës në Gjermani. “Kjo fabrikë”, vijoi ai “është e vetmja shenjë gjermane në këtë qytet”.

Kështu, fabrika shpëtoi dhe është në këmbë edhe sot e kësaj dite, për të dëshmuar aktivitetin e suksesshëm të kësaj dhome tregtie. /atsh/