Trajneri më i ri në Superligë, Elon Berisha dhe mrekullia e tij me Prishtinën e Re - Nga Liga e Dytë në elitën e futbollit kosovar

Elon Berisha është një histori suksesi, edhe pse nuk ka më shumë se 30 vite jetë dhe ndoshta shumë mendojnë se është shumë i ri për të qenë trajner.
Megjithatë Elon Berisha e ka nisur herët karrierën si trajner, pasi në moshë të re 'u pensionua' nga futbolli për shkak të lëndimeve të rënda.
Por dashurinë që ka për lojën e bukur bëri që ai mos të largohet nga futbolli dhe të vazhdoj karrierën si trajner, ku tani ka arritur kulmin në vendin tonë, duke inkuadruar një skuadër në Superligën e Kosovës.
30-vjeçari Elon Berisha, ka arritur të bëjë historinë me Prishtinën e Re, duke e ngjitur klubin në elitën e futbollit kosovar vetëm për tre sezone.
Prishtinën e Re e mori në Ligën e Dytë, kur në atë kohë kjo skuadër quhej Shkëndija e Hajvalisë, derisa tani është anëtarja më e re e Superligës.
Në një rrëfim të gjatë për Telegrafin, Berisha flet për aventurën te kjo skuadër nga viti i parë e deri më tani.
Kur u emërua trajner në vitin 2022, Elon Berisha mori drejtimin e një skuadre që ndodhej në Ligën e Dytë. Që atëherë, ai ndërtoi një projekt të qëndrueshëm dhe të suksesshëm që kulmoi me inkuadrimin historik në Superligën e Kosovës.
“Kur u emërova trajner në vitin 2022, Shkëndija e Hajvalisë ishte në Ligën e Dytë. Klubi ishte në një fazë ndërtimi, jo vetëm për shkak të nivelit të konkurrencës në atë ligë, por edhe për faktin se duhej të krijonim një mentalitet fitues dhe një kulturë pune të qëndrueshme. Në atë sezon arritëm një sukses të jashtëzakonshëm, duke u shpallur kampion dhe duke u promovuar në Ligën e Parë”, tha Elon Berisha për Telegrafin.
Berisha tregoi se sezoni i dytë i tij në krye të Prishtinës së Re, por i pari në Ligën e Parë solli rritje të mëtejshme për klubin.
"Zhvilluam një tjetër sezon shumë pozitiv, duke sjellë befasi në Ligën e Parë. Ruajtëm strukturën dhe boshtin e ekipit, rritëm kapacitetet brenda klubit dhe arritëm ta përfundonim sezonin në vendin e dytë. Kaluan me sukses barazhin e parë, por fatkeqësisht humbëm finalen e barazhit për Superligë në minutën e 97-të”, vazhdon tutje Berisha.
E ky sezon u dominua frikshëm nga Prishtina e Re në Grupin B të Ligës së Parë, ku si kampion u futën në Superligë.
"Por sot, pas gjithë këtij rrugëtimi, mund të them me krenari se ky inkuadrim në Superligë është fryt i punës së përbashkët dhe i sakrificave të të gjithëve në klub. Kemi kaluar një rrugë të gjatë dhe të vështirë, por ia dolëm falë përkushtimit dhe unitetit”, u shpreh trajneri i Prishtinës së Re.
Bilanci i tij është mbresëlënës për një trajner kaq të ri. “Tre vite me dy tituj kampioni dhe një sezon fantastik me dy ndeshje barazhi janë eksperienca që më kanë shërbyer shumë si në aspektin personal, ashtu edhe në atë profesional”, thotë Berisha.
Gjatë kësaj kohe Berisha kishte oferta të shumta, madje një moment iu afrua edhe Drita që t'i bashkohej në staf Arsim Thaqit, por ai i refuzoi të gjitha për t'i qëndruar besnik Prishtinës së Re dhe projektit që kishte marrë përsipër.
"Është e vërtetë që gjatë kohës sa isha pjesë e Prishtinës së Re kam pasur oferta, pasi për çdo vit që kalonte, klubi, trajnerët dhe lojtarët tërhiqnin vëmendje nga klubet tjera. Megjithatë, klubi që nga dita e parë paraqiti një projekt serioz, i cili çdo sezon dukej më afër realizimit. Kjo më bindi të vazhdoj, edhe pse gjatë rrugës kam pasur disa mundësi shumë të mira për të ndryshuar drejtim”, vazhdon tutje Berisha.
Berisha e cilëson sezonin si pozitiv pas inkuadrimit në Superligë, por edhe shumë sfidues.
"Ky edicion ka qenë shumë pozitiv. Që nga fillimi i përgatitjeve kemi treguar seriozitet dhe organizim të shkëlqyer. E nisëm kampionatin me disa fitore radhazi, duke krijuar një distancë prej pesë pikësh me rivalët tanë. Kjo diferencë u ngushtua në vetëm dy pikë në fundin e sezonit, pas një humbjeje me rivalin direkt dhe një barazimi".
"Fundi i kampionatit ishte shumë sfidues, sepse çdo ndeshje kishte peshë vendimtare për titullin. Presioni ndikoi edhe në performancën ekipore, por të gjithë si kryesia, stafi dhe lojtarët e menaxhuam situatën në mënyrë profesionale dhe e kurorëzuam punën me inkuadrim në elitën e futbollit vendor", vazhdon tutje Berisha.
Kontrata me Prishtinën e Re i skadon trajnerit të ri, por sigurisht që klubi do ta blindoj me kontratë të re afatgjate arkitektin e këtij suksesi historik.
Ai ka folur edhe për pritshmëritë që ka në Superligë, ku thotë se objektivi primar duhet të jetë stabilizimi i klubit në elitën e futbollit kosovar në dy vitet e para, pastaj pas një periudhe 3 deri në 5 vjeçare të synohet edhe Evropa.
"Kam kontratë deri në fund të majit dhe kemi filluar bisedimet e para me klubin. Ka vullnet nga të dyja palët për vazhdim, dhe do të shohim se si do të rrjedhin negociatat".
"Prishtina e Re, në çdo ligë ku është inkuadruar, ka synuar stabilizim dhe ambientim të qëndrueshëm, si një qasje më e shëndetshme dhe racionale. Do të përpiqemi të ruajmë boshtin e skuadrës, siç kemi bërë çdo vit. Me seriozitetin që ka treguar klubi, them me bindje se brenda një afati prej 3-5 vitesh, me shumë punë dhe përkushtim, Prishtina e Re do të synojë dhe do të shijojë Evropën”, përfundoi Berisha. /Telegrafi/

























































