LAJMI I FUNDIT:

Torra ‘veneciane’ e Durrësit është ndërtim i sundimit osman

Torra ‘veneciane’ e Durrësit është ndërtim i sundimit osman

Me 4 gusht 1606, një armatë me 26 galera spanjolle u nis nga Brindisi e komanduar nga markezi i Santa Kruzit, Alvaro de Bazan, dhe në orën 1:00 të natës zbarkoi në portin e Durrësit, duke e sulmuar qytetin me 3600 ushtarë. Të zënë në befasi, osmanët – të cilët e kishin pushtuar Durrësin në vitin 1501, u tërhoqën në kështjellë, por u dorëzuan shpejt pas disa gjyleve. Spanjollët, të cilët e cilësonin qytetin si një strofkë piratësh, e plaçkitën atë duke marrë me vete qindra skllevër dhe 40 topa kështjelle. Në largim, spanjollët shpërthyen depot e barutit duke e shkatërruar qytetin. Frika nga përsëritja e një pushtimi të tillë e detyroi administratën osmane të qytetit të marrë masa fortifikuese dhe të ndërtojë një ballinë të re të pathyeshme nga sulmi detar, e cila sipas arkeologut Eduard Shehi përfshin dhe kullën rrethore pranë portit të Durrësit, që gabimisht është identifikuar si veneciane prej gati një shekulli.

“Nga krahasimi i elementeve stratigrafike e strukturore si dhe nga burimet arkivore, Torra është një ndërtim i periudhës osmane”, tha Shehi disa muaj pasi përfundimet e arritura prej tij për fortifikimin u publikuan në revistat e specializuara shkencore “Studime historike” dhe “Monumentet”.


Shehi ngulmon se studimet arkeologjike dhe historike janë një proces evolutiv, pasi ndryshe nga shkencat ekzakte, interpretimi në këtë rast bëhet në bazë të të dhënave që disponohen në një moment të caktuar.

“Saktësimi i datimit të torrës nuk i ul vlerat e saj monumentale si një simbol i qytetit”, nënvizoi Shehi, duke shtuar se “nuk është data e ndërtimit ajo që i jep vlerë dhe jetë një monumenti.”

Arkeologu austriak, Arnold Schober, i cili ka shkuar në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore, duke u bazuar në teknikën e ndërtimit e datoi torrën e Durrësit si kullë të periudhës osmane. Më pas, arkeologu francez Leon Rey, megjithëse i mungonin dokumentet arkivore, ka dhënë me dyshim një datim të mundshëm të periudhës venedikase, bazuar në provat krahasuese me kulla të ngjashme në Selanik dhe Dardanele- të cilat njiheshin si ndërtime venedikase. Edhe profesori Gjerak Karaiskaj, i njohur si një nga studiuesit më të mirë të fortifikimeve në Shqipëri, e ka ngushtuar datimin e torrës brenda dhjetëvjeçarëve të administrimit të Durrësit nga venecianët. Ky koncept ka vazhduar deri në vitet 1990, kur osmanologu Michael Kiel publikoi një sërë arsyesh që e vinin moshën e saj pas pushtimit osman të vitit 1501.

Në vitin 2017, bastioni fotifikues në të cilin bënë pjesë torra u bë pjesë e gërmimeve të shpëtimit pas hapjes së themeleve të projektit ‘Veliera’ në hyrje të portit të Durrësit. Sipas Eduard Shehit, këto gërmime zbuluan se linja juglindore e bastionit, pjesë e së cilës është edhe Torra, ka patur një seri lëvizjesh, shtesash dhe ndryshimesh, që sugjerojnë se torra është ndërtim i periudhës osmane. /reporter.al/

Në trend Kultura

Më shumë
“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

Kulture
XHUBLETA

XHUBLETA

Poezi
FRIKË

FRIKË

Poezi
Didaktikë historie

Didaktikë historie

Kulture
Vepra poetike Kadare!

Vepra poetike Kadare!

Analiza
Shqipja e kërcënuar!

Shqipja e kërcënuar!

Analiza
Kalo në kategori