“T’kom djalë vallahi” - takim i veçantë i Kurtit me loken Xhemile që frymëzoi sloganin “Mos lësho pe”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherit kryetari i LVV-së Albin Kurti, ka ndarë në rrjetet sociale një moment emocional me loken Xhemile Gashi nga Qyshku i Pejës, duke e cilësuar atë si burim frymëzimi dhe force morale.
Kurti ka treguar se lokja Xhemile, pasi kishte përfunduar librin e Marin Barletit “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut”, kishte vazhduar leximin e romanit “Procesi K.” të Rexhep Zogajt.
Ai theksoi se fjalët e saj “Nuk lëshojmë pe” janë shndërruar në slogan.
Në videon e publikuar nga Kurti, dëgjohen fjalët prekëse të lokes Xhemile, e cila gjatë tërë diskutimit ia mbanë dorën Kurtit dhe i drejtohet atij me shumë përzemërsi: “A mujte, a je lodh? Kurrë s’më ka pru kush lule. T’kom djalë vallahi, a je lodh boll, ishalla edhe punët e mira. Unë ty të du prej asaj dite që ke dal nga burgu, të du si me të pas djalë temin”.
Postimi i kryeministrit ka marrë reagime të shumta nga qytetarët, të cilët e kanë vlerësuar loken Xhemile si një figurë që përçon mesazh të fortë qëndrueshmërie dhe besimi. /Telegrafi/


















































