Është fare e paqartë, madje edhe absurde pse udhëheqja jonë dhe të gjitha mjetet e informimit e bëjnë fajtor për krime gjakpirëse në Kosovë vetëm Milosheviçin e nuk e përmendin fare xhelatin Tito. Kjo bë të dyshojmë se kujtesa jonë ose është sklerozuar tepër, ose jemi njerëz që kemi mbetur ende në mjegullinën e hireve të hirësisë sonë. Kur erdhi Titoja në fronin e vet, shqiptarët që dinin të lexonin shihnin se ishin para dyerve të ferrit dhe mund të lexonin parullën mbi derë “Hiqni çdo shpresë shpëtimi, o mëkatarë!” (Lexo: shqiptarë). Kështu shkruan mbi derën e “Ferrit” të Dantes, kështu shkruante edhe mbi dyert shqiptare.

Kush ishte Titoja? Që në njërën nga mbledhjet e AVNOJ-t, Titoja bëri me dije botërisht se ne, shqiptarët, në Jugosllavi nuk ishim. Jugosllavinë, sipas Titos, e përbënin vetëm serbët, kroatët, sllovenët, malazeztë dhe maqedonasit. Kjo ishte një sinjal serioz se Kosova ose do të ishte Shqipëri, siç ishte, ose se do të realizohej projekti famëkeq i Çubriloviçit - Kosova pa shqiptarë. Dhe, për të dalë kjo e dyta, Titoja bëri e çka nuk bëri për të realizuar besnikërisht planin e Çubriloviçit. Dhe e realizoi më mirë e më egër se sa parashikonte sufleri i tij.


Që në fillim të karrierës së vet Titoja rehabilitoi të gjithë çetnikët dhe i begatoi me ta aradhet e veta partizane. U vëllazëruan dhe e filluan bashkë aktivitetin antishqiptar. Një hero i popullit i Titos urdhëroi të bëhej masakra e Tivarit. Katër mijë e pesëqind viktima. Kjo masakër paralajmëroi masakra të reja në Kosovë. Nëpër të gjitha qytetet e Kosovës u krijuan arena pushkatimesh të pareshtura. Nuk mund të mos e përmend një rast unikal që ndodhi atë kohë më Istog. Ismail Kastrati (Bicaj), sekretar i Komitetit të Partisë në Komunën e Vrellës, nuk u përmbajt më, armatosi mirë një batalion djemsh të ushtruar për luftë dhe rrethoi organet e pushtetit në Istog. Që atë ditë u ndalën represionet dhe pushkatimet në Istog. Por autori i kësaj trimërie pësoi rënd: tërë jeta i shkoi në mjerim. Ende nuk dihet numri i saktë i viktimave kosovare, por ka të dhëna për mbi 50.000 veta.

Të gjitha këto krime represioni Evropa i shikonte me një indolencë të jashtëzakonshme. Na kujtohet Gjyqi i Raselit, i cili u formua për 13 të pushkatuar në Mi Laj të Vietnamit. Për krimet në Kosovë, vetëm heshtje, pra miratim. Burgosjet e pareshtura dhe krimet e papara sikur nuk i mjaftoi Titos për t’i realizuar mirë e si lypsej të gjitha normat e projektit famëkeq të Çubriloviçit. Ai sikur kishte marrë përsipër edhe t’i tejkalonte. Ja një fakt: “Një drekë speciale, e shtruar në Split në mes të diktatorit Tito dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Fuad Kypriliu, në janar të vitit 1953”, “Tito dhe Kypriliu, biseduan për riaktivizimin e konventës jugosllavo-turke të vitit 1938... Marrveshja parashikonte në paketë shpërnguljen e 1 milion shqiptarëve, kurse fillimisht do të shpërnguleshin rreth 250.000 veta” (S. Aliu, “Filozofia e Krrokamës”, fq. 120). Kjo marrëveshje u realizua më vonë, por jo me aq sa thuhet, por me disa milionë më shumë.

Pas vdekjes së Titos u shpall parulla zyrtare jugosllave se “Edhe pas Titos - Tito!” Dhe ashtu doli. Doli edhe një Tito, por me mbiemër tjetër - Milosheviç. Mund të themi lirisht e pa ngurrim se Tito e Milosheviç ishin dy trupa me një shpirt. Dhe Titoja i dytë, me mbiemër Milosheviç kishte armatën e Titos, policinë e Titos, format represive të Titos dhe planet e dëbimit të shqiptarëve nga trojet e veta - titoiste. Po përsëris. Mendoj se është gabim, madje shumë i madh, të fajësohet Milosheviçi për krimet në Kosovë pa ideologun dhe mësuesin e tij Tito.