Javën e kaluar Kosova përjetoi një ndër zhvillimet politike më të paprecendenta për shumë vende të botës . Presidenti i saj, Fatmir Sejdiu, dha dorëheqjen nga posti më i lartë i hierarkisë shtetërore në kundërpërgjigje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Akti në vetvete ngjalli debate nga më të ndryshmet duke pasur jo vetëm mbështetës dhe kundërshtarë, por edhe hamendësime mbi faktorët që detyruan presidentin të japë dorëheqje duke marrë kështu një pozicionim 180 gradë ndryshe nga ai i një dite më parë.

Mediet do trumbetonin takimin që presidenti kishte atë ditë me përfaqësuesit e diplomacisë ndërkombëtare në Kosovë që duket se duhej të jepnin miratimin për të qëndruar apo të konfirmonin pajtueshmërinë e tyre me vendimin e gjyqësorit për largim. Natyrshëm, diplomatët janë diplomatë dhe vendimet që ata marrin mund, dhe duhet, të ndryshojnë varësisht nga zhvillimet politike apo sociale. Në rastin konkret, Kuarteti duket se transmetoi atë që pritej. Por historia nuk mbaron këtu. Për ti hedhur edhe më tepër benzinë një zhvillimi që duket se tashmë mund të dërgojë Kosovën drejt zgjedhjeve të parakohshme, deklarimi i ambasadorit Dell e thelloi hendekun politik dhe hedh hije dyshimi mbi qëndrimin kontrovers të ndërkombëtarëve.


Pas interesimit të medieve dhe prononcimit të ish-presidentit Sejdiu, ambasadori Dell pranoi ekzistencën e një marrëveshjeje xhentëlmenësh midis ish presidentit dhe përfaqësuesve të huaj duke mundësuar mbajtjen nga ana e Sejdiut të dy posteve: kryetar i LDK-së dhe President i Republikës. Një veprim i tillë mund të interpretohet si normal në sensin e bashkëpunimit midis institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve ndërkombëtare sikurse mund të shihet si anormal në dritën e respektimit të ligjit dhe dokumentit themeltar të shtetit - Kushtetutës.

Rënia dakord për mbajtjen e dy posteve ka dy problematika: E para - përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar aplikojnë standarde dyfishe duke lejuar mosrespektimin e kushtetutës kur iu intereson atyre. E dyta - duket se presidenti Sejdiu e ka pasur parasysh problemin ne fjalë, përderisa u është kërkuar ndërkombëtarëve të mbështesin një pozicionim të tillë, dhe kjo do të thotë se ish presidenti nuk është i sinqertë kur thotë se “unë kam besuar se mbajtja e të dy posteve nuk përbën shkelje kushtetuese”.

Z. Sejdiu, tashme ish president, është i vetëdijshëm për pasojat që rrjedhin nga shkelje e Kushtetutës prandaj edhe përdor me fanatizëm shprehjen “ To the best of my knowledge” duke përjashtuar kështu veprimet e qëllimshme por duket se deklarimet e vazhdueshme nga aktorët e tjerë nuk ndjekin të njëjtën strategji. Kosova nuk ka presidentin që kishte deri para një jave, por ka një deklarim që ngjall pikëpyetje nëse ato që ndodhin ne Kosovë, përfshi edhe aferat korruptive janë të lejuara nga “marrëveshje midis xhentëlmenësh” që të akuzuarit kanë me përfaqësuesit ndërkombëtarë. U takon këtyre të fundit të tregojnë nëse kanë apo jo dhe kjo do shihet në mbështetjen që do i duhet të marrë sistemi i drejtësisë në Kosovë.