Që nga fundi i luftës, institucionet e Kosovës kanë qenë vazhdimisht të varura nga bashkësia ndërkombëtare. Sepse nuk kanë pasur tjetër zgjedhje. Meqë kanë qenë të dobët qoftë me përgjegjësi apo edhe me forma tjera të pushtetit, institucionet kosovare janë dashur të ndjekin një “kulturë strategjike” që është karakterizuar me servilizëm, varshmëri të gjerë, si dhe qasje bashkëpunuese ndaj autoriteteve ndërkombëtare. Pra është dashur të krijojnë një frymë e partneritetit substancial me ndërkombëtarët për të arritur në fund pavarësinë. Kjo kulturë strategjike është dashur të ndryshojë që me rastin e shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës vitin e kaluar. Mirëpo, fatkeqësisht kjo kulturë strategjike duket se nuk ka ndryshuar. Si pasojë e kësaj kulture strategjike, institucionet e Kosovës ende janë duke trashëguar edhe sot simptoma të kufizueshmërisë dhe varshmërisë ndaj bashkësisë ndërkombëtare që në esencë nuk përkojnë me rendi e ri kushtetues dhe politik të Kosovës. Mosmarrëveshja e krijuar ndërmjet EULEX-it si dhe Qeverisë së Kosovës ndaj protokollit për bashkëpunim me Serbinë në fushën e sigurisë ka simptoma të kësaj kulture strategjike, që është dashur të ndryshohet më herët.

Pas zhvillimeve të fundit, Kosova metaforikisht tani gjendet si një anie e vogël në oqean ku rrugëtimi i saj drejt tokës është i varur nga shpejtësia dhe kahet e erërave që përfaqësojnë bashkësinë ndërkombëtare dhe ujit në det që përfaqëson qytetarët e Kosovës. Lëvizja përpara e anijes është e varur nga qetësia e ujit si dhe nga erërat në qiell. Meqë erërat ndikojnë në qetësinë e ujit, anija nuk ka tjetër alternative vetëm se të bredh rreth e rrotull. Mirëpo, nëse anija do të kishte motor, me ndihmën e ujit dhe erërave do të lundronte pa problem drejt cakut të synuar. Pikërisht, tani Kosovës i nevojitet një motor që do ta shtynte Kosovën pavarësisht presionit atmosferik të bashkësisë ndërkombëtare. Po për çfarë motori kemi nevojë? Kosova ka nevojë për lider të cilët këmbëngulin në mos nënshkrimin e protokollit të EULEX-it pa pjesëmarrjen e barabartë të Kosovës. Institucione të cilat argumentojnë dhe fitojnë përkrahjen diplomatike të “dragodanisë” si dhe të bindin EULEX-in për qëndrimin unik kosovar ndaj shtetësisë dhe përfaqësimit të saj sovran.

Nëse institucionet kosovare vazhdojnë të insistojë me qëndrimet aktuale të mbrojtjes së pavarësisë dhe rendit kushtetues, ekziston mundësia që kjo kulture strategjike e varshmërisë të ndryshojë. Edhe pse ky protokoll në shikim sipërfaqësor është duke u prezantuar nga EULEX si i rëndësisë teknike, në esencë, ka shumë peshë, për disa arsye. Së pari, çdo marrëveshje ndërkombëtare që synon të zbatohet në Kosovë pa pëlqimin dhe pjesëmarrjen e palës Kosovës është kundër kushtetutës së Kosovës, pavarësisë dhe të gjitha përpjekjeve Kosovare për shtetësi. Së dyti, në kohën kur Kosova ka nevojë për njohje ndërkombëtare si dhe afirmimi në institucionet ndërkombëtare, një marrëveshje që anashkalon autoritetet Kosovare praktikisht nënvlerëson sovranitetin dhe kapacitetet e saj për të hyrë në marrëdhënie regjionale dhe multilateriale. Së treti, lejimi i ndërmjetësuesve siç ka qenë UNMIK dhe tani EULEX që të nënshkruajnë marrëveshje e protokolle në emër të Kosovës, tejzgjatë varshmërinë ndaj bashkësisë ndërkombëtare, si dhe zgjeron hapësirën e Serbisë për të ndërhyrë në Kosovë si dhe për të dëshmuar ndërkombëtararisht rolin dhe prezencën e saj në Kosovë. Mirëpo, përkundër krejt këtyre pasojave të mundshme, konstruktimi i pakos së Ahtisaarit dhe më vonë i misionit të EULEX-it, ju krijon hapësirë këtij të fundit për të vazhduar dominimin dhe ushtruar autoritetin në Kosovë edhe përkundër shpalljes së pavarësisë dhe funksionalizimit të Kushtetutës së re. Edhe përkundër këtyre kushteve, autoritetet kosovare duhet të ushtrojnë presion dhe dëshmojnë se qëndrueshmëria e Kosovës varet nga vetë-qeverisja demokratike vendore, mëvetësia ndërkombëtare, si dhe respektimi i vullnetit të qytetarëve të saj.

Në anën tjetër, Kosova aktuale është projekt ndërkombëtare i shtetëndërtimit me shumë elemente eksperimentale. EULEX nuk ka ardhur në Kosovë vetëm për të mentoruar dhe mbështetur sektorin e sigurisë, rendit dhe sundimit të ligjit. Përkundrazi, EULEX shërben si penda e parë periferike e Bashkimit Evropian për të mbrojtur këta të fundit nga korridoret ballkanike të krimit të organizuar, trafikimin me qenie njerëzore, si dhe agjencitë tjera të rrezikshme që kalojnë nga lindja në perëndim. Për më shumë, protokolli i diskutuar shkon përtej interesave të sigurisë së Kosovë. Ky protokoll i mundëson Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE, që duke shfrytëzuar territorin dhe situatën e brishtë në veri të Kosovë, përmes EULEX-it të përmirësojë bashkëpunimin dhe ndërhyrjen tërthorazi evropiane në Serbi dhe rajon. Kjo qasje me rëndësi të lartë por me mekanizma të ulët (nivel protokolli) i kursen BE të mos përdorur mekanizma shkëmbyes dhe partneriteti zyrtar para integrimeve evropiane me Ballkanin Perëndimor. Këso veprimet gjarpërore vetëm evropianët dinë të bëjnë.

Aplikimi i standardeve të dyfishta të EULEX-it dhe bashkësisë ndërkombëtare dëshmon për interesin e tyre në Kosovë dhe jo interesin ndaj Kosovarëve. Në këtë kontekst, projektet zhvillimor, donacion apo përkrahjet tjera ndaj Kosovës janë aq humane dhe përfituese për bashkësinë ndërkombëtare sa për vetë Kosovarët. Duke krijuar vende pune, Evropa kthen diasporën Kosovare dhe kështu zgjedh një problem të brendshëm të saj. Duke përkrahur sundimin e ligjit dhe rendit, siguron stabilitetin dhe kontrollon krimin e organizuar në kufijtë e afërt të Bashkimit Evropian. Duke tentuar të krijojnë institucionet demokratike, shoqëri civile kritike si dhe pluralizëm partiak, BE gjithnjë do të ketë mundësi për ndërhyrje dhe krijim të partneriteti me këdo në Kosovë. Kjo i mundëson zbatimin e politikave të tyre rajonale – ekonomike dhe të sigurisë, që jo domosdoshmërisht është kundër interesave të Kosovës. Përveç kësaj, BE përmes EULEX-it është duke tentuar të kthej rolin e saj në arenën ndërkombëtare si akter i prodhimit të sigurisë dhe jo vetëm negociatash, e pavarur nga mbikëqyrja amerikane që i ka shërbyer Evropës për siguri gjatë dhe pas luftës së ftohtë.

Përfundimisht, në rast se institucionet e Kosovës dorëzohen ndaj presionit “ajror” të bashkësisë ndërkombëtare, rreziku për shpërthim të pakënaqësive të qytetarëve shkakton tendosjen e valëve të detit që realisht mund ta dëmtojnë lundrimin e anijes. Kosova ka nevojë tani për një motor të përshtatshëm për valët e detit dhe jo të dëmshëm për ujin (qytetarët e Kosovës).