Thuaj “JO” politikës së deritashme
Humbja e besimit ndaj një legjislacioni tregon qarte se, shoqëria është në krize politike dhe demokratike! Përderisa, intelektualet ende vazhdojnë t’i shohin gjerat sikur po ndodhin përtej bregut!... Unë mendoj se populli, është treguesi kryesor se një Shoqëri është apo nuk është në krizë politike. Pse mendoj kështu? Sepse, nëse një popullit i mohohet dinjiteti dhe e kaluara historike, nëse një populli i grabitet çdo gjë që është shoqërore - personale, nëse një popull plaçkitet dhe dënohet vazhdimisht me mito (haraç) nga poltronët e institucioneve dhe dikastereve te tyre, nëse një popull, jeton i qetë me kundërthënie të pazgjidhura etnike, etike, morale, kulturore etj, etj…, dhe ai popull i kapërdinë të tërat pa bërë as më të voglin kundërshtim, për mendimin time ai popull ka krizë të thelle shoqërore, politike dhe demokratike, ose është skajshëm i stepur nga iluzionet dhe apatia e përhershme…!
Unë jam shume i bindur dhe i sigurt se, nëse një popullit tjetër pa marr parasysh se ku dhe cilit popull në botë, t’i kishte ndodhur kështu si neve, jo të nesërmen, por në të njëjtën ditë e tëra do të përfundonte me kundërpërgjigje të fuqishme deri më luftë qytetare. Sepse për secilin popull në botë, përjashto shqiptarët nga Kosova, simbolet janë faktor krenarie shoqërore dhe pjesë e identitetit, dinjitetit dhe vetëdijes kombëtare. Ndonëse në shoqërinë tonë këta faktor të lartpërmendur shumë të rëndësishëm dhe ngushtë të lidhur me çdo njeri, ashtu siç janë mishi dhe koci i secilit, disi për popullin tonë qe moti ka filluar ta humbin kuptimin dhe peshën e tyre!!!
Unë besoj fuqishëm se si të tillë nuk na do asnjë botë, e assesi bota demokratike. Besoj se, në fund të procesit, do të klasifikohemi si të pa kurriz dhe si të pa cipë. Një popull i pjekur politikisht dhe demokratisht duhej që herët t’i vëren demonët, uzurpuesit dhe shantazhuesit institucional,se kanë devijuar në vija të trasha kombëtare pas interesave personale, që kanë shitur by... për të shpëtuar lëkuren e tyre. Populli ka qenë dashur të vërej se partitë politike janë shndërruar në faktor përçarje dhe se identiteti i tyre lidhet vetëm me shitje, korrupsion, krime dhe urrejtje. Shembuj të kësaj natyre ka shumë, ky proces i humbjes së domethënies dhe kuptimeve është pasojë dhe identifikohet vetëm me dështimet themelore për te bërë shtetin dhe për të vërtetat tjera, nga të cilat jo vetëm që ndërtohen shtetet, por formohen edhe botëkuptimet shoqërore që kanë për qellim digën kombëtare.
Pra, për perandoritë (partitë) tona, nuk ka qytetërim, ka vetëm shpjegimin e llojit vet, i cili argumenton metodat mbi të cilat shkatërrohet çdo cep i formacionit shoqëror dhe nga e tera e tyre sigurohet kohë pas kohe nga një termet politik me pasoja të çarjeve të bashkëqeverisjeve edhe atëherë kur nuk ka kuptim… Vetëm sa për të akuzuar njeri- tjetrin se kinse, ky apo ai ishte i keqi… Tërë kjo për të manipuluar dhe kamufluar popullin e lodhur nga varfëria dhe depresioni, për të kërkuar lojalitetin e qytetarit, ndaj një sistemi i cili në thelb krijon me shumë kriza sesa stabilitet, i cili krijon vetëm paragjykime shoqërore për një dështim të radhës, të cilat dështime po përfundojnë me humbjen e arsyes së ekzistimit të atij shteti që moti e ka humbur luftën me vetveten!!!
Nga e tera e hullive politik në Kosovë, realisht ekzistojnë dy vija të kundërta në hapësirë, të cilat nuk bashkohen as në pafundësi. Njëra është se partitë tona demagogjike (politike) besojnë në një “potez” të vetmin që të rregullohen gjërat në mënyrë spektakulare, si me shkop magjik. Ndërsa vija tjetër është populli shumë i lodhur që kërkon diçka të arsyeshme, diçka të prekshme, diçka për të cilën nuk mund të bëhet pazar. Gjasat për një vazhdim me avazin e vjetër do të jenë të vogla. Zgjedhjet e reja në Kosove, mund të kthehen në një histori të re për popullin tonë, me pasoja për perandoritë (partitë) politike në Kosovë. Ose në një ngjarje pa ngjarje me pasoja për popullin tonë, duke i zgjedhur të njëjtit e që do të mbahet mend në historinë tonë të hidhur…! Histori kjo, kur pasardhësit tanë të hedhin vështrimin pas, do të na mallkojnë në përjetësi.
Në zgjedhjet e ardhshme populli duhet ta kalon provimin e pjekurisë politike dhe vetëdijes nacionale, edhe pse nuk e ka fare të lehtë meqë në vendin tonë populli është fuqishëm i kontrolluar nga forcat ndërkombëtare të cilat janë heterogjene për nga interesat e tyre, interesa nga më të ndryshmet, e që nuk mungojnë edhe ato shume polare… Sidoqoftë, populli duhet dhe mund të përballet me momentin dhe me faktin se ata po jetojnë në shtëpitë e tyre, për të zgjedhur fatin e tyre, për të shënuar fundin e vuajtjeve të tyre.
Sovraniteti kombëtar dhe ndarja e mëtutjeshme e ATDHEUT tonë, mund të mbrohet vetëm me moszgjidhjen e këtyre politikave te sodit. Armiku i ynë i brendshëm dhe i jashtëm janë perandoritë (partitë) politike në Kosovë. Armiku ynë shekullor Serbia, po ecën më shpejtësi drejt pranimit në BE, drejt prosperitetit, i cili si i fuqishëm në të ardhmen, do të na godas pamëshirshëm. E gjithë kjo paperspektivë e jona duhet kërkuar ke partitë politike në Kosovë, nga të cilat u zbeh dhe vazhdon të zbehet imazhi jonë kombëtar, imazh ky i cili kurrë nuk ka qenë kështu i përplasur për toke!!! Të izoluar të mjeruar nga paria jonë dhe nga bota e tërë… Institucionet ekzistuese nuk ishin të afta që ta çonin vendin përpara, ato treguan fytyrën e tyre te vërtetë, fytyrën e çoroditur prej krimineli, nga lakmia dhe abuzimet. Nuk ishin dhe nuk janë te afta të parandalonin krizën e Kosovës së sodit! Atyre ju dhuroj populli besimin mbi dhjetë vite 1999-2010 për te zhvilluar Kosovën, të shkatërruar nga ploja e armikut të shkuar. Kosova është goditur seriozisht nga mjerimi dhe paradokset. Populli i ka borxh Kosovës që t’i japin jetë dhe rend të ri, rend institucional të profilizuar për një BE të bashkuar, një Kosovë evropiane.
Mbetet të shpresohet se populli i Kosovës, në zgjedhjet e ardhshme do të dijë t’i thotë “JO” të madhe politikes së deritanishme, populli do të zgjohet nga premtimet dhe jeta e iluzioneve, sepse populli duke duruar një iluzion të tillë rrezikon realitetin. Kjo është ajo e tëra për të cilën duhet të flas populli sot në Kosovë.



































