Vetëm pse u siguroi migrantëve një vend për të fjetur në hotelin e tij në Sombor – qytet në veriperëndim të Serbisë – Sinisha Sevo u etiketua si tradhtar nga ekstremistët e krahut të djathtë dhe u kërcënua me vdekje në mediat sociale.
Fotografia e tij dhe e pesë të tjerëve, plus të dhënat personale, u nxorën në posterët që shpërndau grupi Patrulla e Popullit.
Grupi i akuzon ata gjashtë për përfitime duke siguruar strehim të paligjshëm për migrantët.
“Ky është një qytet i vogël. Dhe, kur dikush ju etiketon kështu, kjo është një gjë e madhe”, thotë Sevo për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Qyteti i Somborit i ka rreth 80,000 banorë.
Policia tha se po heton ngjarjen, por, ndërkohë, Sevo u detyrua të mbyllë hotelin e tij.
Sipas Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR), Serbia strehon aktualisht rreth 5,000 refugjatë dhe migrantë.
Ky vend ndodhet në të ashtuquajturën Rrugë Ballkanike, e cila përdoret nga migrantët dhe refugjatët që ikin nga konfliktet, vështirësitë dhe persekutimet.
Numri i migrantëve që hyjnë ilegalisht në Bashkimin Evropian, duke kaluar Ballkanin Perëndimor, pothuajse është dyfishuar këtë vit, ka thënë në muajin gusht agjencia kufitare e BE-së, Frontex. Shumica e tyre janë nga Siria dhe Afganistani.
Në Sombor, jo shumë larg kufirit me vendet anëtare të BE-së, Kroacinë dhe Hungarinë, refugjatët dhe migrantët janë vendosur në një qendër shtetërore, që nuk ka kapacitet t’i përballojë numrat.
Bujtinat private, si ajo e Sevos, janë shtuar për të mbushur boshllëkun dhe kjo gjë nuk u pëlqen ekstremistëve të krahut të djathtë.
Ata kanë marshuar në Sombor dhe qytete të tjera të Serbisë gjatë vitit të kaluar dhe kanë kryer veprime të tjera, përfshirë kërcënimin e migrantëve, nxitjen e frikës dhe paragjykimeve, thonë vëzhguesit.
Sipas Sevos, gjatë vitit të kaluar, në hotelin e tij kanë qëndruar kryesisht njerëz nga Lindja e Mesme dhe Azia.
Posterët me fotografitë dhe të dhënat e atyre që Patrulla e Popullit i akuzon për përfitime nga kriza e migrantëve, u shfaqën në Sombor më 9 tetor.
Grupi ekstremist i përhapi akuzat e njëjta edhe në mediat sociale.
“Qytetarë të Somborit, këta janë fqinjët tuaj që ilegalisht u japin strehim migrantëve”, shkroi grupi në faqen e tij në Facebook, e cila ka më shumë se 43,000 ndjekës.
Kjo ka shkaktuar urrejtje, thotë Sevo. Ka pasur komente si “varini për pemë”, kujton ai.
Të tjerët i cilësuan ata si “tradhtarë”, duke thënë se ata “duhet të dëbohen nga vendi, së bashku me migrantët”.
Sevo thotë se shqetësimet e tij u rritën, pasi gruaja e tij filloi të merrte mesazhe kërcënuese edhe në mediat sociale.
“Fillimisht, nuk e mora seriozisht, por pas një kohe fillova të shqetësohem, sidomos për familjen time”, thotë ai.
Më 12 tetor, ata që u përmendën në posterë, paraqitën një raport – bashkë me detajet e kërcënimeve që kishin marrë në mediat sociale – në polici. Policia tha se ankesa e tyre do t’iu përcillet prokurorëve vendas.
“Tani ne jemi duke pritur për të parë nëse prokurorët do të ndërmarrin veprime”, thotë Sevo.
Ministria e Brendshme e Serbisë konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se një raport i tillë është pranuar nga policia në Sombor dhe se ai do t’i përcillet prokurorisë për “procedura të mëtejshme”.
Një ditë pasi u shfaqën posterët, Patrulla e Popullit organizoi një protestë. Me thirrjet “Ne nuk duam migrantë”, dhjetëra njerëz marshuan në rrugët e Somborit.
Aktivistët e krahut të djathtë janë duke përshkallëzuar një situatë tashmë të tensionuar në qytet, ku shumë migrantë detyrohen të flenë në parqe dhe gjetkë, për shkak të mungesës së strehimit.
“Ata po i keqtrajtojnë (refugjatët)… Kërkojnë arsye për t’i sulmuar ata”, thotë Sevo.
Bujtina e tij dhe të tjerat që ofrojnë strehime për migrantët, janë mbyllur nga policia, për shkak të presionit nga aktivistët e krahut të djathtë dhe për shkelje të ligjit serb.
Sipas ligjit në Serbi, vetëm migrantët që aplikojnë zyrtarisht për azil, mund të kenë ligjërisht strehim privat. Me shpresën për të arritur në ndonjë vend të BE-së, shumica e migrantëve nuk aplikojnë në Serbi.
Autoritetet duhet të marrin masa të forta për të kundërshtuar fushatën e nisur në Sombor nga Patrulla e Popullit, thotë Radosh Gjuroviq, anëtar i Qendrës për Ndihmë dhe Mbrojtje të Azilkërkuesve, me seli në Beograd.
“Shprehjet e tilla të paragjykimeve, madje edhe urrejtjes, janë të paligjshme dhe duhet të ndiqen penalisht”, thotë Gjuroviq.
Sipas tij, komunikimi i dobët midis zyrtarëve që drejtojnë qendrat e migrantëve dhe banorëve lokalë ka nxitur frikë dhe paragjykime.
Serbia ka 20 qendra refugjatësh – përfshirë atë në Sombor – që menaxhohen nga Komisariati Serb për Refugjatët dhe Migracionin.
Kjo agjenci nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar situatën në Sombor.
E ashtuquajtura Patrullë e Popullit daton nga viti 2020, kur u shfaq për herë të parë në disa qytete serbe, duke organizuar protesta kundër migrantëve dhe aksione të tjera.
Në shkurt të vitit 2020, Damjan Knezheviq postoi një video në mediat sociale, e cila tregonte një grup burrash që dukej se konfrontoheshin me një grup migrantësh dhe refugjatësh në qendër të Beogradit. Të parët u thoshin migrantëve se “do të kenë probleme nëse gratë dhe burrat serbë sulmohen”.
Edhe pse Ministria e Brendshme e Serbisë konfirmoi më vonë për Radion Evropa e Lirë se policia i ka përcjellë te prokurorët detajet e incidentit, Zyra e Prokurorit të Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për komente. /rel/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Çfarë dihet për varrezat masive në Gaza dhe çfarë ka ndodhur me ato të zbuluara në vende të tjera më parë?
Mbretëria e Bashkuar do ta furnizojë Ukrainën me bomba me laser që mund të godasin “objektivat e buta” ruse
Shtyhet votimi në OKB për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë
A e ka fituar Ukraina fuqinë për të degraduar forcat ruse me raketat e reja amerikane?
Mbretëria e Bashkuar do ta furnizojë Ukrainën me bomba me laser që mund të godasin "objektivat e buta" ruse
Çfarë dihet për varrezat masive në Gaza dhe çfarë ka ndodhur me ato të zbuluara në vende të tjera më parë?
Pak para se të lansonte raketat mbi pozicionet e ukrainasve, sistemi raketor rus Buk-M1 shkatërrohet – goditet direkt
Shtyhet votimi në OKB për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë
Lukashenko: Në Bjellorusi janë vendosur dhjetëra armë bërthamore ruse
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
E jotja është mu koncentru, e karriges Gaming me t’rahatu
Karrige që ta relakson mendjen dhe trupin
Knaqja zemrën vetit: Bli fustanin me zbritje në Melodia Px
Autobusi bon me t’ik, a kjo bluzë me zbritje hiç kërqysh!
Sako nga MelodiaPx që t’shton vetëbesim!
Më të lexuarat
John Terry zbulon historinë e patreguar se si ai udhëhoqi kryengritjen te Chelsea ndaj një trajneri
"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani
Pasuria e guvernatorit të BQK-së, drejtorit ATK-së dhe drejtorit të Doganës
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion
Klopp e donte lojtarin që sot luan për Liverpoolin, por bordi kërkonte një tjetër - si nisi mosmarrëveshja mes tyre