Policia e Shtetit ka bërë të ditur se kanë përfunduar veprimet e para hetimore për dokumentimin e plotë të plagosjes së rëndë me mjet prerës të një 39-vjeçari, ndërsa lidhur me këtë javë vënë në pranga dy autorët.

Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit në Vlorë arrestuan shtetasit D. S., 23 vjeç, dhe G. P., 26 vjeç, banues në Vlorë.


“Nga veprimet hetimore rezultoi se rreth orës 04:30, në lagjen ‘Uji i Ftohtë’, në rrugën ‘Dhimitër Konomi’, gjatë një konflikti për motive të dobëta, këta 2 shtetas kanë plagosur rëndë me mjet prerës (thikë) shtetasin V. K., 39 vjeç, banues në Mal të Zi, duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në njoftim.

I dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë. /Telegrafi/