LAJMI I FUNDIT:

Thënie të Jorge Luis Borgesit: Fakti më i neveritshëm i diktaturës është se sjell idiotësinë!

Thënie të Jorge Luis Borgesit: Fakti më i neveritshëm i diktaturës është se sjell idiotësinë!

Një prej figurave më unike letrare të shekullit XX, Jorge Luis Borges, u lind në Argjentinë më 24 gusht 1899. Si një mjeshtër i tregimeve të shkurtra, Borgesi shkroi për botën kriminale të Argjentinës dhe krijoi botë që rroknin magjepsjen e tij pas konceptit të pafundshmërisë. Poemat e tij përkujtojnë kulturën unike dhe traditat e kryeqytetit, Buenos Aires, ku ai jetoi deri ditën që vdiq, më 1986.

Me një shkollim të kualifikuar, Borges nisi të angazhohej në jetën intelektuale të vendit, duke frekuentuar dhe ambientet e larta ku flitet jo vetëm për politikë. Poezitë që kishte nisur të shkruante herët nisi t’i botonte në revistat letrare të kohës.


Ajo çfarë binte në sy te vargjet e tij ishte një surrealizëm, një pasion për të folur për ëndrrat, filozofinë, apo gjithçka tjetër që dukej e padukshme në jetën reale. Në fillim të viteve ’30 nisi të ngrejë pikëpyetje ekzistenciale në veprat e tij. Kritikja argjentinase, Ana Maria Barrenechea, do ta quante “Ireal”.

Borges do ta ndiente veten të tërhequr nga filozofia e Heideggerit, Sartrit, Juan Ruflos. Duke e kthyer shkrimin në një mjet për të zbuluar botën dhe qenien njerëzore, Borges ka lënë pas një trashëgimi të çmuar letrash, ku çdokush mund të endet dhe t’i japë përgjigje pyetjeve që i enden rreth vetes.

Si një prej shkrimtarëve më të mirë të Amerikës Latine, shumëkush mendon se është padrejtësi që ai nuk mori Çmimin Nobel për letërsinë.

“Ndihem pakëz i turpëruar që marr Nobelin, sidomos duke patur parasysh që Borgesi nuk e mori asnjëherë”, ka thënë shkrimtari peruan Mario Vargas Llosa pasi e fitoi çmimin në vitin 2010.

Më poshtë mund të lexoni disa prej thënieve më të spikatura të Borgesit:

• Dyshimi është një prej emrave të inteligjencës!

• Diktaturat sjellin shtypjen, diktaturat sjellin robërinë, diktaturat sjellin mizorinë: më i neveritshëm është fakti që ato sjellin idiotësinë!

• Vetë jeta është një citat!

• Teksa mendoj për mitet e shumta, është njëri prej tyre që është shumë i dëmshëm dhe ky është miti i shteteve!

• Mos fol, nëse nuk ke për ta përmirësuar heshtjen!

• Lëri të tjerët të krenohen se sa shumë faqe kanë shkruar. Preferoj të mburrem për ato që kam lexuar!

• Të shkruarit nuk është asgjë më shumë se sa një ëndërr e udhërrëfyer!

• Ne e pranojmë me kaq shumë gatishmëri realitetin. Ndoshta sepse ndjejmë që asgjë nuk është reale!

• Të biesh në dashuri do të thotë të krijosh një fe me një Zot të gabueshëm!

• Çdo jetë është bërë nga një moment i vetëm, momenti në të cilin njeriu gjen njëherë e përgjithmonë kush është!

• Kam përfytyruar gjithmonë se Parajsa do të jetë njëfarë biblioteke!

• Në përgjithësi çdo vend ka gjuhën që meriton!

• Asgjë nuk është ndërtuar në gurë, gjithçka është ndërtuar në rërë, por ne duhet të ndërtojmë sikur rëra të ishte gur!

• Koha është lënda prej së cilës unë jam bërë. Koha është një lum që më merr mua me vete, por unë jam lumi; është një tigër ai që më përlan mua, por unë jam tigri; është një zjarr ai që më shkrumbon mua; por unë jam zjarri!

• Të jesh i pavdekshëm është e zakonshme; përveç njeriut të gjitha krijesat janë të pavdekshme, sepse ato nuk e njohin vdekjen; hyjnore, e tmerrshme, e pakuptueshme, është ta dish se je i pavdekshëm!

• Çdo poezi është misterioze; askush nuk e di në tërësi atë që i është dhënë për të shkruar!

• Shtypja e një lajmi në letra të mëdha i bën njerëzit të mendojnë se është padiskutushmërisht i vërtetë!

• Pasqyrat dhe marrëdhëniet e shtratit janë të urryeshme, sepse e shumëfishojnë numrin e njerëzve!

• Më së shumti vlerësoj inteligjencën, sepse ndershmëria dhe guximi i një njeriu nganjëherë nuk ndihmojnë për dialog!

• Jetojmë në një epokë shumë torollake; për shembull, njerëzit blejnë prodhime, shkëlqimi i të cilave mburret nga vetë njerëzit që e shesin. /Tirana Observer/

Në trend Kultura

Më shumë
Arkitektura hermafrodite

Arkitektura hermafrodite

Xhelal Llonçari
Veglat e lashta muzikore dhe roli i tyre në trashëgiminë kulturore

Veglat e lashta muzikore dhe roli i tyre në trashëgiminë kulturore

Kulture
Jeta në komunizmin shqiptar

Jeta në komunizmin shqiptar

Kulture
PALIMPSEST

PALIMPSEST

Poezi
Reportazh nga Shkodra - dashnorja e shekujve (Foto/Video)

Reportazh nga Shkodra - dashnorja e shekujve (Foto/Video)

Agron Shala
NËNA DHE DJALI

NËNA DHE DJALI

Poezi
Kalo në kategori