LAJMI I FUNDIT:

Themelohet Oda Ekonomike Kosovë-Zvicër

Oda Ekonomike Kosovë - Zvicër

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, po qëndron në shtetin e Zvicrës, ku së bashku me Ministrin e Ekonomisë së Zvicrës, Guy Parmelin, zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj dhe zëvendësministren Rejhan Vuniqi bënë inaugurimin e Odës Ekonomike Kosovë Zvicër.

Oda Ekonomike Kosovë Zvicër ka për qëllim kryesor sjelljen e investitorëve nga ky shtet në Kosovë, dhe anasjelltas, përmes bashkëpunimin të ngushtë me diasporën.


Ministri Lluka gjatë fjalimit inaugurues falënderoi të pranishmit për iniciativën dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim, duke potencuar avantazhet që ka Kosova në krahasim me vendet tjera të Evropës.

Ai iu drejtua diasporës duke kërkuar nga diaspora që investimet e tyre të orientohen nga patundshmëria në prodhim dhe shërbime, pasi këto të fundit kanë efekt pozitiv afatgjatë në ekonominë e vendit duke marrë shembull investimin e realizuar në Gjilan nga biznesmeni Fehmi Fetahu me projektin Vali Ranch Resort & Congress Center që ka dhjetëra të punësuar.

Gjithashtu, ministri Lluka ka potencuar se Zvicra është një ndër 3 vendet kryesore që ka investuar në Kosovë si me donacione, ashtu edhe me investime direkte, gjë që tregon se raportet në mes të dy vendeve janë të shkëlqyera dhe iniciativat e tilla do të fuqizojnë këtë raport edhe më tej.

Ministri, Valdrin Lluka, ka zhvilluar takime të ndryshme me të pranishmit të cilët ishin në këtë ngjarje ku së shpejti do të vijnë delegacione nga Zvicra në Kosovë me qëllim që të njoftohen për afër me potencialet që ofron Kosova. /Telegrafi/