LAJMI I FUNDIT:

Thatësira nuk po ndikon në furnizimin me ujë

Thatësira nuk po ndikon në furnizimin me ujë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit se liqenet akumuluese sipërfaqësore Batllava dhe Badoci kanë shënuar një rënie të lehtë për shkak të mungesës së gjatë të reshjeve atmosferike mbi vendin tonë. Niveli i ujit në liqenin e Batllavës është 3.59 metër nën kuotën maksimale derisa liqeni i Badocit 2.08 metër nën kuotë maksimale.

Banorët në Prishtinë aktualisht janë duke u furnizuar me ujë të pijshëm nga sistemi i tre liqeneve akumuluese, nga liqeni i Ujmanit, Batllavës dhe ai i Badocit.


“Pavarësisht rënies së lehtë të sasisë së ujit në liqenet furnizuese, KRU ‘Prishtina’ është duke shpërndarë ujë të pijshëm në mënyrë të barabartë te secili konsumatorë dhe atë 24 orë pa ndërprerë. Por, që ta ruajmë këtë tempo, atëherë çfarë mund të bëjë secili prej nesh, për të shpenzuar racionalisht ujin e pijshëm në sezonin vjeshtë/dimër, pasi që uji duhet të kursehet në çdo kohë, në çdo moment”, thuhet në njoftimin e kompanisë, përcjell Telegrafi.

KRU “Prishtina” thotë se cilësia e ujit të pijshëm që shpërndahet për qytetarët, është i cilësisë së lartë.

“Cilësia e ujit është e kontrolluar dhe testuar me analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike sipas parametrave të cilët janë në listën A dhe C në Udhëzimin Administrativ për Cilësinë e Ujit për Konsum nga njeriu”, vijon njoftimi.

Në fund, kompania jep disa këshilla se si duhet kursehet uji.

– Mos lejoni të rrjedhë ujë kot nga rubineti juaj
– Mos përdorni ujin e pijshëm për të larë veturat
– Mos përdorni ujin e pijshëm për ndërtime të shumta në qytet
– Mos pastroni trotuaret me ujin e pijshëm
– Mos harroni t’i mbyllni çezmat tuaja, pasi lani dhëmbët
– Paguani rregullisht ujin që konsumoni dhe
– Mos lejoni ndërhyrjet pa leje në rrjetin e ujësjellësit /Telegrafi/