LAJMI I FUNDIT:

Thasët e SHIK-ut nga zyrat e Beogradit !!!

-Sikur t’ishte e vërtetë se SHIK-u ka marrë dokumente të rëndësishme me thasë në kabinetet e Tadiqit dhe Koshtunicës do t’ishte Kosova ajo që do t’i zhvillonte agjendat e saja politike në Beograd dhe jo anasjelltas: Qe 10 vite Beogradi po i zhvillon agjendat e veta në Kosovë

Paraqitja e parë publike e Kadri Veselit mund të konsiderohet një uverturë e suksesshme në politikë. Formimi i tij politik nuk dallonte prej zyrtarëve të lartë të PDK-së, madje diku diku dukej më i artikuluar politikisht edhe se vetë shefi i tij Hashim Thaçi. Më suksesshëm se çdo politikan I PDK-së ai e justifikoi veprimtarinë e SHIK-ut. Natyrisht këtë edhe ia mundësoi edhe shtrimi i çështjeve nga intervistuesi Baton Haxhiu i cili nuk bëri “Hard Talk” por bisedë promovuese.


Sidoqoftë kësaj paraqitjeje promovuese tejet të kujdesshme nuk i shpëtoi një gafë e madhe: Thasët nga Beogradi.
Kadri Veseli tha se ne kemi marrë dokumente më thasë nga kabineti i Tadiqit dhe Koshtunicës. Unë më shumë do të dëshiroja që kjo të jetë gënjeshtër në përpjekje për të demonstruar aftësinë e SHIK-ut, se sa t’ishte ndonjë e vërtetë. Nëse kjo do t’ishte e vërtetë atëherë kjo është shumë më e gjasshme që BIA t’i ketë shitur pallavra SHIK-ut se sa që SHIK-u të ketë depërtuar në Beograd.

Që SHIK-u mund të ketë depërtuar në Beograd këtë mund ta besoj vetëm një pjesë e kosovarëve dhe askush tjetër. Veprimtaritë në kuadër të një shoqërie zhvillohen pak a shumë paralelisht. Ne mund të besojmë se spiunllëku është zhvilluar në Kosovë më shumë se gazetaria, mjekësia, shkenca, teknologjia, kultura, sporti etj. Por kjo veprimtari shoqërore (spiunllëku) nuk mund të ketë shkuar shumë përpara veprimtarive tjera. Nëse mjekësia kosovare, shkenca kosovare, teknologjia kosovare, sporti kosovar etj nuk mund t’i sfidojnë veprimtaritë përkatëse serbe as për së afërmi atëherë si paska mundësi që spiunllëku kosovar ta driblojë spiunllëkun serb?

Kulmi i një shërbimi inteligjent është fuqia intelektuale e analistëve brenda shërbimit. Por si mund t’i kishte këta analistë SHIK-u kur ata nuk i ka Kosova si shoqëri. Ose më mirë thënë, ata që I ka nuk janë nivel që përthekojnë inteligjencën në Beograd. Zaten sikur t’ishte e vërtetë se SHIK-u ka marrë dokumente të rëndësishme me thasë në kabinetet e Tadiqit dhe Koshtunicës do t’ishte Kosova ajo që do t’i zhvillonte agjendat e saja politike në Beograd dhe jo anasjelltas: Qe 10 vite jemi dëshmitarë që Beogradi po i zhvillon agjendat e veta në Kosovë.

Apo mos Kadri Veseli donte të thoshte se klasa politike e Kosovës ka qenë aq idiotike sa nuk ka ditur të shfrytëzojë thesaret që i ka ofruar SHIK-u. Pajtohem se edhe po t’kishte ndodhë çudia që SHIK-u t’merrte dokumente me thasë nga Beogradi, klasa politike e Kosovës nuk do të dinte t’i shfrytëzonte ato, por e vërteta është se SHIK-u ka mundur të blejë në Beograd vetëm dokumente që Beogradi ka dashtë me i shitë, nëse kjo vërtetë ka ndodhë.

Natyrisht, kabinetet e Tadiqit e Koshtunicës nuk kanë qenë imune ndaj rrjedhjes së informacionit sekret, por këtë realisht kanë mundur ta bëjnë shërbimet inteligjente amerikane, britanike, franceze, gjermane, ruse, izraelite apo ndonjë tjetër shërbim inteligjent i këtij rangu, por jo një shërbim inteligjent partiak i një vendi që nuk kontrollon çerekun e territorit të vet.

Mund të jetë e vërtetë se SHIK-u ka bashkëpunuar me shërbimet inteligjente perëndimore dhe për më tepër ta kenë financuar SHIK-un. Kjo për arsyen e thjeshtë se shërbimet inteligjente perëndimore për shkak të sigurisë globale kanë pasur drojë se në Kosovë mund të penetrojnë për shumë arsye aktivistë të fundamentalizmit islamik. Natyrisht, kush më mirë se një shërbim vendor me bazë ideologjike trashëgimie të mësimeve marksiste – leniste të shokut Enver Hoxha mund t’i nuhaste gjurmët e fundamentalizmit islamik? Dhe këtë punë, është më së evidente, që SHIK-u e ka kryer me sukses. Kosova u mbajt larg influencës së fundamentalizmit islamik.

Por ky bashkëpunim nuk mund të ketë qenë bashkëpunim mes shërbimeve inteligjente të vendeve sovrane, sepse vetë Kosova nuk ishte vend sovran (shumë pikëpyetje nëse është akoma). E tërë ajo çfarë SHIK-u ka mund të marrë nga shërbimet inteligjente me të cilat ka bashkëpunuar mund të kenë qenë instruksionet, trajnimet dhe paratë.
Nëse CIA, MOSAD-i, BND apo kushdo tjetër ka nxjerrë materiale sekrete nga kabinetet e Tadiqit e Koshtunicës ata nuk ia kanë dhënë këto SHIK-ut, por udhëheqësve politikë të shteteve të veta, dhe ata nëse e kanë parë të nevojshme ua kanë dhënë politikanëve kosovarë në formë të instruksioneve.

Fati i Kosovës ka qëndruar aty se politikanët e saj kanë qenë shumë të dëgjueshëm madje edhe atëherë kur intelekti dhe ndërgjegjja e tyre nuk i ka bërë të mendojnë se po veprojnë për interesat Kosovës.
Kështu që nëse vërtetë SHIK-u ka marrë dokumente me thasë nga Beogradi atëherë për bindjen time këto kanë qenë dokumente që strategjikisht e kanë quar në rrugë të gabuar SHIK-un dhe politikanët kosovarë të informuar nga SHIK-u.

Një intervistues normal do t’ia bënte këtë pyetje Kadri Veselit: Nëse vërtetë keni arritur të merrni dokumente me thasë nga kabineti i Tadiqit e Koshtunicës si nuk arritët t’i vidhnit dokumentet kadastrale të t’paktën një komune të Kosovës që ndodhën nëpër qytete të ndryshme të Serbisë? Sigurisht që këto dokumente do t’ishin më të rëndësishme për Kosovën se sa pallavrat nga kabineti i Tadiqit e Koshtunicës.