LAJMI I FUNDIT:

Vlerësohet lart figura e heroit Sali Çekaj

Vlerësohet lart figura e heroit Sali Çekaj

Krerët e shtetit sot me një akademi përkujtimore përkujtuan heroin Sali Çekaj në 19 vjetorin e rënies në Betejën e Koshares.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se po nderojnë jetën e një bashkëluftëtari dhe bashkatdhetari që tërë energjinë morale, intelektuale dhe fizike i vuri në shërbim të vendit.


“Dita e rënies së komandat Sali Çekaj shënohet si dita e veteranëve këtu e 19 vjet më parë në brigadën 138 ‘Agim Ramadani’. Në këtë rast shprehim nderimet më të larta shtetërorë për dëshmorët e rënë në luftën e Kosovës. Po ashtu shprehim respektin për të gjithë invalidët dhe veteranët e Kosovës. Po kujtojmë dhe nderojmë jetën e një bashkëluftëtari dhe bashkatdhetari që tërë energjinë morale, intelektuale dhe fizike i vuri në shërbim të vendit”, ka thënë presidenti i vendit Thaçi.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se heroi i kombit, Sali Çekaj, është një dimension i hershëm, që flet për gjithë parametrat e një atdhetari të shquar, intelektuali, por edhe një njeriu që dinte me çka po përballej.

“Këtu flitet për përcaktimin e tij, shohim e gjejmë tek ai, një luftëtar që është në parametra shumë të lartë, intelektual e kombëtar, por që është i gatshëm poashtu të mbetet në përgjegjësi, edhe kur këto përgjegjësi kërkojnë sfidën më të rëndë, luftën dhe që i ekspozohesh edhe flijimit”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Flijimi i tij në luftë për liri, e mbyllë kapitullin e një luftëtari shqiptar të shquar dhe i cili me vetëdije të plotë i ka kaluar etapat, nëpër të cilat është ndodhë populli i tij.

Kryeministri Haradinaj, gjithashtu tha se nëse sot jemi të bashkuar për t’i përmbyllur çështjet e hapura të atdheut tonë, Kosovës, ashtu i shërbejmë amanetit të dëshmorëve.

Ndryshe, akademia përkujtimore e 19-të vjetorit të rënies së Sali Çekaj u mbajt nën patronatin e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj. /Telegrafi/