LAJMI I FUNDIT:

Thaçi përballet të hënën me Vuçiqin për ushtrinë në Këshillin e Sigurimit

Thaçi përballet të hënën me Vuçiqin për ushtrinë në Këshillin e Sigurimit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq do ta kenë përballjen e parë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të hënën.

Të hënën në mbrëmje, prapa dyerve të mbyllura, Këshilli i Sigurimit mban mbledhje me kërkesën e Serbisë, pas kalimit në Parlamentin e Kosovës të pakos së ligjeve që i jep mandat shtesë Forcës së Sigurisë të Kosovës, merr vesh nga burime të veta Klan Kosova.

Përballja e dy presidentëve do të zhvillohet vetëm dy ditë pas transformimit me ligj të FSK-së në ushtri dhe një ditë pas miratimit në Kuvendin e Kosovës të rezolutës, ligjit dhe Ekipit Negociator për bisedime me Serbinë.


Të premten, me votat e të gjithë deputetëve, përveç atyre të Listës Serbe, kuvendi miratoi tre projektligjet që i japin mandat ushtarak mbrojtës Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Ndërsa sot, deputetët e mazhorancës, sërish pa ata të Listës Serbe, por me votat e Partisë Socialdemokrate, miratuan rezolutën dhe ligjin që rregullon bisedimet me Serbinë, si dhe përbërjen e ekipit që do t’i zhvillojë bisedimet.