LAJMI I FUNDIT:

Thaçi në Davos kujton ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, thotë se vendi i tij ka nevojë për mbështetje të komunitetit botëror

Thaçi në Davos kujton ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, thotë se vendi i tij ka nevojë për mbështetje të komunitetit botëror

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se shtete si Kosova kanë nevojë për mbështetje aktive të komunitetit botëror, të atij komuniteti i cili është i interesuar që të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të barabartë në botë.

Këto komente i pari i vendit i ka bërë në takimin e sivjetmë të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku liderët botërorë do të diskutojnë për sfidën e ruajtjes së një narrativi të përbashkët progresiv në një botë gjithnjë e më të përçarë.

Thaçi ka kujtuar kohën kur ai drejtonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilën e cilëson si guerile dhe ditët kur në kohë regjimi i Millosheviqit ushtronte sipas tij, gjenocid mbi popullësinë e pafajshme, duke theksuar se ishin vlerat e përbashkëta që mundësuan çlirimin.


“Edhe atëherë kishte zëra nga ekstremet politike që ishin kundër intervenimit që shpëtoi popullin e Kosovës. E majta ekstremiste nuk ishte në gjendje të distancohej nga ndjenjat anti-NATO dhe e konsideronte ndërhyrjen e Kosovës një projekt imperialist. Ndërkaq e djathta ekstremiste i konsideronte kosovarët si një ‘kolonë të pestë’ të myslimanëve të rrezikshëm në Evropë dhe nuk ishte kundër politikës së Millosheviqit në Bosnjë dhe Kosovë. Në fund, megjithatë, ishin vlerat e përbashkëta njerëzore të shumicës dërrmuese në qendër të spektrit politik që e mundësuan çlirimin tonë. Forcat përçarëse të izolacionizmit, fragmentimit dhe nativizmit nuk ishin asgjë në krahasim me përpjekjet e përbashkëta të të gjitha shtresave politike dhe shoqërore për të mbrojtur vlerat themelore të njerëzimit”, ka thënë ai.

Sipas tij, Në vitin 2008, pas një procesi të negociatave të ndërmjetësuar nga negociatori i OKB-së, Marti Ahtisaari, në koordinim të plotë me demokracitë perëndimore, Kosova shpalli pavarësinë dhe tani njihet si një shtet sovran nga shumica e anëtarëve të OKB-së.

“Ne kemi shënuar rritjen më të lartë mesatare ekonomike për dekadën e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe kemi shënuar përmirësim në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë indikatorët kritikë të qeverisjes së mirë, të lirive ekonomike e politike dhe ndërtimin demokratik të kombit”, ka theksuar Thaçi.

Ai duke folur nga perspektiva e këtyre ditëve, ka thënë se gati 20 vjet pas intervenimi të NATO-s në Kosovë, duhet pranuar faktin sipas tij, se bota ka ndryshuar që nga ato kohëra të ndërhyrjeve ndërkulturore dhe ndërhyrjeve ndërkombëtarë humanitare.

“Me të gjitha mundësitë që ofrohen nga interneti dhe mediat sociale, jam i trishtuar dhe madje i shqetësuar nga anët e tyre të dëmshme. Ekstremistët mund ta gjejnë njëri-tjetrin lehtë në mediat sociale, duke krijuar “eho-dhoma” të fuqishme që po përhapen në të gjithë rrjetin si materie e errët. Kur jemi te kjo temë, unë nuk pajtohem me pikëpamjen se Tëitter-i apo Facebook-u janë burimi i këtij fragmentimi të narrativëve globalë. Jo – duhet thënë qartë dhe guximshëm: tani ekzistojnë forca të fuqishme politike që po përpiqen qëllimisht dhe sistematikisht të anulojnë një shekull të tërë të progresit në botë – dhe në rastin e Kosovës, një dekadë lirie”, ka shtuar Thaçi.

Sipas tij,  forcat që po duan ta ndërpresin progresin në botë, vinë nga Rusia, duke shtuar se përpjekjet e koordinuara nga Moska – në mes të shtetit, kanaleve të propagandës, inteligjencës, hakerëve dhe aktorëve politikë – kanë qëllim të qartë.

“Ata duan të shkatërrojnë lidhjet e shumta të besimit: ndërmjet qytetarëve dhe qeverive brenda shteteve perëndimore, ndërmjet shteteve që i përkasin NATO-s dhe BE-së, por edhe më gjerë. Këto përpjekje nuk janë krijuar apo shkaktuar nga teknologjia. Këto janë forca që gjithmonë kanë qenë aty, në sfond, në ekstremet e diskutimit tonë publik, por të cilat tashmë janë forcuar nga politika të qëllimshme për të shkatërruar vlerat mbi të cilat mbështetet bota e lirë, duke përfshirë komunitetet siç janë BE-ja dhe NATO-ja”, ka thënë Thaçi.

Shefi i shtetit të Kosovës më tutje ka thënë se nuk mund të ndërtohet një narrativë e në një tablo të copëtuar, pa identifikuar qartazi sipas tij, se kush është aktualisht duke sulmuar rendin botëror.

“Dhe ne nuk mund të zhvillojmë mjete të rezistencës kundër lajmeve të rreme apo sulmeve kibernetike mbi sistemet demokratike pa pranuar se këto janë sulme të qëllimshme. Këta nuk janë ishuj virtual të përçarjes, por një arkipelag i ndërlidhur i platformave të ndërgjegjshme të sulmit mbi vlerat tona të përbashkëta. Prandaj Davosi këtë vit do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm pasi po përpiqet të analizojë ndarjet e reja gjeostrategjike, si dhe mënyrat për të rilidhur dhe rizbuluar historinë tonë të përbashkët të progresit njerëzor”, ka përfunduar Thaçi. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
FSK-ja shkoi në veri të vendit për një varrim, Maqedonci u zotua te KFOR-i se nuk kishte provokim

FSK-ja shkoi në veri të vendit për një varrim, Maqedonci u zotua te KFOR-i se nuk kishte provokim

Siguri
Çfarë na bën ajri i ndotur?

Çfarë na bën ajri i ndotur?

Lajme
Vrasja e dyfishtë në Vushtrri, ekspertja thotë se i akuzuari nuk ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore

Vrasja e dyfishtë në Vushtrri, ekspertja thotë se i akuzuari nuk ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore

Drejtësi
Zëvendës-sekretari amerikan sot në Kosovë

Zëvendës-sekretari amerikan sot në Kosovë

Lajme
Prishtina nis vitin 2025 me ajër të ndotur, një nga qytetet më të ndotura në botë

Prishtina nis vitin 2025 me ajër të ndotur, një nga qytetet më të ndotura në botë

Lajme

"Përzierje në kompetenca të rezervuara të NATO-s", ish-ushtaraku flet për mosdërgimn e FSK-së në veri

Siguri
Kalo në kategori