Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ditët në vijim Kosova do të marr rekomandimin për liberalizimin e vizave.

"Liberalizimi i vizave është një e arritur e vonuar, por vonesa nuk e zvogëlon atë, sepse për shtetin dhe qytetarët e Kosovës përbën një të arritur historike", ka thënë ai, transmeton Telegrafi.


Postimi i plotë i presidentit Thaçi në Facebook:"Të dashur qytetarë, Presim që në ditët e ardhshme Kosova të marrë rekomandimin për datën se kur qytetarët tanë do të lëvizin të lirë në vendet anëtare të Bashkimit Europian. Kosova ka kryer të gjitha obligimet e veta për implementimin e kritereve demokratike. Liberalizimi i vizave është një e arritur e vonuar, por vonesa nuk e zvogëlon atë, sepse për shtetin dhe qytetarët e Kosovës përbën një të arritur historike. Kufijtë europianë do të jenë gjithnjë të hapur për fëmijët tanë. Ata do ta shijojnë lëvizjen e lirë, do t’i takojnë bashkëmoshatarët europianë, do të krijojnë lidhje të reja të miqësisë dhe do t’i forcojnë edhe më shumë lidhjet me familjarët e tyre në diasporë. HTH" (sic), ka shkruar Thaçi. /Telegrafi/