LAJMI I FUNDIT:

Tetova, ‘djepi’ i rezistencës (Foto)

Tetova, ‘djepi’ i rezistencës (Foto)

Tetova është sinonim i qyteteve ‘revolucionare’, qyteti i ndryshimeve, i kthesës arsimore, shoqërore, kulturore dhe politike. Shoqëria tetovare është vlerësuar vazhdimisht e vetëdijshme dhe është gjendur vazhdimisht në një epokë tranzicioni, nga demonstratat për universitetin shqip në Tetovë e këndej. Natyrisht që kërkesat shoqërore janë proces social dhe tranzicioni është i pamundur të përfundojë për një kohë të shkurtër. Pas konfliktit të 2001, Tetova është karakterizuar edhe me disa çështje jetike siç është ajri i ndotur, inicativa kundër EVN-së, gjegjësisht shtrenjtimin e rrymës elektrike dhe iniciativa për Kodrën e Diellit, ku nën orientimin e disa shoqatave dhe iniciativave qytetare janë realizuar protesta dhe bojkote të ndryshme.

Profesoresha dhe njëherit nënshkruesja e demonstratave të para në Tetovë për universitetin shqip në Tetovë por edhe nismave tjera, Myqereme Rusi për Telegrafi Maqedoni vlerëson se janë dy periudha të ndryshme, ajo e para 2001 dhe pas 2001. Organizimin e protestave të atëhershme e sheh nga aspekti i idealit, kurse protestat e tanishme ajo i vlerëson protesta qytetare dhe kjo periudhë është më e zbehur sesa e vitit 2000.

‘Periudha e para vitit 2000-2001, është një periudhë idealiste për ne shqiptarët që ne kemi bërë rezistencë dhe kemi demonstruar për të drejtat elementare që na takonin si popull autokton i këtij vendi. Të drejta që ne fuqimisht besojmë se na takojnë, siç ka qenë ajo e kushtetutës së 1974. Nuk ka qenë që ne kemi protestuar vetëm për universitetin në gjuhën shqipe por edhe për shumë çka tjetër kemi ngritur zërin dhe kemi pasur suksese dhe përkrahje nga masa e gjerë, ku na janë bashkuar edhe partitë politike, por që kishte të bëjë me një ideologji krejtësisht tjetër. Tani prej vitit 2001 e këndej shumë pak kemi hasur në protesta të masës së gjerë shqiptare. Viteve të fundit kemi një vetëdijësim dhe gjithë këta protesta nuk janë më ideale por janë shumë qytetare. Veç më edhe në mënyrë spontane mblidhen njerëzit, për një çështje jetike siç është ajri. Kjo nuk i tangon më vetëm shqiptarëve por të gjithë komunitetet që banojnë në këta vende. Ajo që më vjen mirë janë edhe protestat apo se vetëdijësimi i qytetarëve bëhet në aspektin ekonomik, siç janë protestat kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike por mos të harrojmë edhe diskriminimin në sfera tjera që bëhet në mënyrë tinzare. Unë mendoj se atë idealizëm që e kemi pasur para vitit 2000 edhe tash, ndryshon shumë. Atëherë nuk ka ekzistuar frika, ku ka qenë situata shumë më e rëndë në atë kohë se sot. Tani, nuk e di a nuk ka shumë organizim apo janë lodhur njerëzit apo mos ndoshta edhe u ka humbur vetëbesimi, ka diçka. Unë në atë kohë kam qenë jashtëzakonisht aktive dhe një punonjëse në terren. Kam prekur çdo katund, çdo qytet me programin tonë që e kemi pas. Unë nuk kam folur nga zyra apo karrikja por kam qenë aktive nëpër shtëpi, nëpër xhamia jemi mbledhur me gratë. Domethënë kontakti me popullin duhet të jetë permanent dhe diçka tjetër është se, prepotenca i mbyti njerëzit. Ata që udhëheqin! Kush janë ata që udhëheqin? Populli nuk duhet të frikësohet. Do të ishte shumë absurde nëse njerëzit nuk dalin në protesta për shkak se frikësohen që të mos del nga puna. Ka edhe kështu mendime. Nëse unë kam vlera, kam dije, unë vendin e punës e arsyetoj me punën time. Por jam për një gjë optimiste se ka njerëz shumë të mençur që mendojnë për një vizion’, vlerëson profesoresha universitare.

Ajri i ndotur në Tetovë shkaktoi shumë shqetësim te qytetarët e Tetovës por edhe mbarë Maqedoninë. Arianit Xhaferi nga organizata Eco Guerilla dhe organizator i shumë protestave, vlerëson se protestat u materializuan me përmirësimin e ajrit, gjegjësisht protestat u realizuan me sukses dhe u mbyll kombinati Jugohrom, që vlerësoheshte si faktori kryesor për ndotjen e ajrit. Xhaferi thotë se çdo nismë është për tu përshëndetur dhe se Tetova e ka për borxh ndaj shqiptarëve të Maqedonisë që të punohet sa më shumë rreth çështjeve sociale.

‘Duke qenë se çdo fillim është i vështirë, vlerësoj se dhe nismat e këtilla përballen me një sërë problemesh të cilat ndonjëherë dinë dhe t’i zmbrapsin iniciatorët, por është me rëndësi që kushdo që angazhohet në nisma të këtilla ta kuptojë se iniciativat shoqërore marrin kohë për të marrë përpjetëzën, kërkojnë shumë mund, kohë, dituri, mbi të gjitha nevojitet sinqeritet dhe përkushtim. Në mos për gjë tjetër, Tetova ia ka borxh shqiptarëve të Maqedonisë që të punojë në këso temash sociale, sidomos për faktin që Tetova është qendra e fuqisë politike të shqiptarëve në Maqedoni, aty ku merren vendimet që i kanë shkaktuar një numër të madh të këtyre problemeve. Pra, aktivistët shoqërorë nga Tetova (dhe jo vetëm) përmes këtyrë nismave tentojnë të përmirësojnë gabimet e politikanëve të cilët i kanë selitë kryesisht në Tetovë. Mendoj që disa nga iniciativat janë shumë më të rëndësishme për t’u mbyllur në një guackë lokale, dhe si tema me interes nacional duhet të përqafohen dhe nga aktivistë të qyteteve tjera. Rinia duhet të kuptojë që aktivizmi i tyre është shumë i rëndësishëm në të ardhmen e tyre, prandaj ata duhet të angazhohen, në çfarëdo mënyre që të munden. Jam i sigurtë që nëse ata i përkushtohen një problemi me sinqeritet dhe nëse tregojnë vullnet se duan të punojnë për një ndryshim shoqëror që do përmirësojë jetesën e qytetarit – atëherë do të kenë dhe përkrahje, edhe nga qytetarët edhe nga organizatat e ndryshme që veprojnë në sektorin civil’, deklaron Xhaferi.

Rean Saiti, një ndër gazetarët që i ka kushtuar më së shumti vëmendje zhvillimeve politike të viteve të 90-ta si dhe gazetari që i ka përgatitur dokumentarët që lidhen me protestat për universitetin e Tetovës, thotë se iniciativat e disa viteve të fundit japin shpresë se megjithatë, rinia dhe shoqëria civile janë në rrugë të duhur për ta senzibilizuar opinionin për kërkesat e ndryshme.

‘Rinia tetovare qysh në vitet e 90-ta me protestat studentore dhe me protestat në mbështetje të Kosovës dhe kundër padrejtësive ka dëshmuar se ka ditur t’i prijë proceseve. Kam përshtypjen se ky entuziazëm i reflektuar në ato vite, aktualisht duket i zbehur, por iniciativat e disa viteve të fundit japin shpresë se megjithatë, rinia dhe shoqëria civile janë në rrugë të duhur për ta senzibilizuar opinionin dhe për t’i detyruar organet kompetente që të paktën të reagojnë ndaj problemeve të apostrofuara’, vlerëson Saiti për Telegrafi Maqedoni.

Ai shton se iniciativat e këtilla janë për t’i përshëndetur, aq më tepër kur shohim se ndikojnë tek kompetentët dhe kemi reagime nga ana e tyre.

Hamdi Sulemani nga iniciativa ‘Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit’ thotë se qytetarët e Tetovës kanë qenë dhe do të jenë zëri i lëvizjeve, por frika nga politizimi i tyre çdo herë kishin nje reservë. Vallë si do të përfundoj edhe ky grupacion?! U pa edhe nga këto lëvizjet e fundit (Eco Guerila, ta shpëtojmë Kodrën e Diellit, kundër EVN-së) se ende nuk e kanë mposhtur letargjinë dhe prandaj zëri i tyre është duke bërë jehonë dhe do të jetë zëri revolucionar ndaj të keqes që po bëhet në mënyrë kolektive.

‘Nga dëshpërimet të cilat i takojmë gati çdo ditë në tryezat e ndryshme, se në çfarë gjendje e kemi popullin tonë apo më konkretisht të them ‘lokomotivën e popullit tonë rininë, fatmirësisht po shihet se ngadalë ka filluar një vetëdijësim i masës së gjerë. Iniciativat dhe lëvizjet e ndryshme janë mësim i demokracisë dhe ajo që shohim dhe vlerësojmë se çdo nismë e tillë do jetë ajo e cila do të sjell ndryshime, normal kërkohet përkrahje nga masa, kërkon që të merret me problemin që ka dhe nuk duhet që të merremi me individë, por duhet të shkohet në pika dhe shtigje të sigurta drejt identifikimit të atyre që e shfaqin problemin’, thotë Sulemani për Telegrafi Maqedoni sa i përket iniciativave të tanishme.

Ajo që duhet përmendur është edhe nisma e fundit qytetare kundër EVN-së, gjegjësisht shtrenjtimit të rrymës elektrike. Qindra qytetarë javëve të fundit kanë protestuar kundër EVN-së për shtrenjtimin e rrymës. Anëtari i këshillit të shoqatës Drita, Blerim Fejzuli, thotë se shoqata e tyre ka përpiluar disa kërkesa, edhe atë ‘të hiqet 33% nga fatura, të ulet çmimi i energjisë, të anulohen tarifat industriale, të ndërpretet anulimi i kyçjeve të vjetra me qëllimin të inkasojë për kyçjet e reja në objektet ku kryhet riparimi’, thotë ndër të tjera Fejzuli për Telegrafi Maqedoni.

Fejzuli për iniciativat e ndryshme qytetare thotë se janë pozitive Tetova mjaftë ka duruar për shkeljet që i bëhen pa marrë parasysh nga cila kompani në Maqedoni. ‘Rinia nuk ka pse frikësohet dhe të dorëzohet dhe ta lëshojë vendin dhe të shkojë jashtë. Kjo është në dëm tonin sepse nëse mendon që rinia se frikësohet atëherë për disa vite do të vijë koha që në Tetovë të ngelin vetëm persona të moshuar’.

Sigurisht që nismat qytetare, organizimet, protestat, bojkotet e ndryshme kundrejt një dukurie sociale shpesh herë nga politikanët shihen me rezervë apo se dikush punon prapa shpinës së tyre, por ajo që e bën më të veçantë është se qytetarët i arrijnë qëllimet e tyre dhe vazhdojnë të jetojnë në mirëqenie dhe harmoni të nevojave të tyre jetike. /Telegrafi/