Termocentrali Kosova e Re, harta e Ballkanit drejt ndryshimit
Nëse qeveria e Kosovës ia arrin të ndërtojë në kohë me anë të financimeve private termocentralin Kosova C, harta energjetike e rajonit të Ballkanit, si edhe çmimi i energjisë në rajon ka gjasa të ndryshojë rëndë, bëhet e ditur nga ekspertë të fushës.
Qeveria e Kosovës prezantoi javën e kaluar detajet për një tender që pritet të zhvillohet së shpejti, për ndërtimin e një termocentrali masiv prej 2 mijë MW, i cili mund të kushtojë deri në 3.5 miliardë euro dhe mund të rrisë prodhimin e energjisë elektrike në rajon me rreth 15 miliardë kWh në vit, ose katër herë më shumë nga eksportet aktuale vjetore të Bullgarisë, vendi i vetëm suficitar i rajonit.
Termocentrali i ri që është planifikuar të ndërtohet pranë Prishtinës, do të shfrytëzojë rezervat e papërdorura ende të qymyrit në Kosovë, gjë që do t‘i japë vendit më të varfër në Europë një ndihmesë të madhe në të ardhura buxhetore dhe vende pune për një periudhë disavjeçare. Biznesi i krijuar nga shfrytëzimi i qymyrit, besohet se mund të shërbejë si levë financiare për zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë së republikës së vogël me dy milionë banorë.
Por ndotja mbetet
Pavarësisht ofertës joshëse nga pikëpamja financiare për një vend ku buxheti i shtetit ka të ardhura prej pak më shumë se 1 miliard euro në vit, termocentrali do të jetë një ndotës i jashtëzakonshëm dhe se sot për sot në botë nuk ekziston asnjë lloj teknologjie për të ulur ndotjen e kësaj natyre.
Qeveria e Kosovës premtoi gjatë prezantimit se "një teknologji e re që kap emisionet e karbonit do të përdoret në termocentralin e ri". Por ekspertët thonë se një teknologji e tillë sot për sot është thjesht marketing. Asgjë konkrete me përjashtim të idesë nuk ekziston në asnjë vend të botës. Në këto kushte, ekspertët shqiptarë mendojnë se Kosova duhet të llogarisë nëse përfitimet nga ky projekt janë më të mëdha se sa kostoja e ndotjes apo jo.
E vetmja e mirë qëndron në faktin se teknologjia e re e termocentraleve me qymyr ka eficensë më të lartë në përdorimin e lëndës djegëse sesa termocentralet e vjetër.
Në rast se termocentrali ndërtohet, Kosova do të dalë jo vetëm si një prodhues i rëndësishëm rajonal i energjisë, por edhe si pikë kyçe e transitit energjetik veri-jug. Prishtina shpreson që blloku i parë i termocentralit do të hyjë në punë rreth vitit 2014-2015.
(Autori është i diplomuar në Departamentin e Shkencave Politike dhe Administratë Publike, në Universitetin e Prishtinës )



































