LAJMI I FUNDIT:

Tërmeti në Turqi, MPJD: Tri familje nga Kosova dhe një ekip i mundësve ishin duke qëndruar në zonën e goditur

Tërmeti në Turqi, MPJD: Tri familje nga Kosova dhe një ekip i mundësve ishin duke qëndruar në zonën e goditur

Numri i viktimave në Turqi dhe Siri po vazhdon të rritet pas tërmeteve shkatërruese që goditën këto dy vende të martën.

Aktualisht në Turqi numri i viktimave ka arritur në 4,554 kurse në Siri 1,782.


Institucionet e Kosovës deri më tash kanë konfirmuar se në mesin e viktimave në Turqi nuk ka asnjë shtetas të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në një përgjigje për Telegrafin ka bërë të ditur se kanë arritur t’i identifikojnë dhe kontaktojnë tri familje nga Kosova, ashtu si dhe një ekip të mundësve kosovarë, të cilët kanë qenë duke qëndruar në zonën e goditur nga tërmeti.

“Me qytetarët që kanë qenë atje në kohën e tërmetit, ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është në komunikim dhe e gatshme për t’i ndihmuar për kthim në Kosovë, apo në ndonjë formë tjetër”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Telegrafi ka provuar të kontaktoi edhe me ambasadorin e Kosovës në Ankara, Agron Vrenezi por deri më tani komunikimi me të ka qenë i pamundur.

Kosova i ofroi mbështetje Turqisë pas tërmetit, duke i dërguar pjesëtarë të Forcës së saj të Sigurisë, të trajnuar për operacione të kërkim-shpëtimit.

Tërmeti që goditi Turqinë, kishte fuqi prej 7.8 shkallësh të Rihterit.

Ai ndodhi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit dhe epiqendra ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi. /Telegrafi/