LAJMI I FUNDIT:

“Tërheqja” e iniciativës për formimin e Ushtrisë: Ku gaboi Hashim Thaçi?

“Tërheqja” e iniciativës për formimin e Ushtrisë: Ku gaboi Hashim Thaçi?

Mungesa e një strategjie dhe angazhimit më të madh dhe të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, ishte gjëja që detyroi presidentin e vendit, Hashim Thaçi, që të “tërhiqet” nga iniciativa për transformimin e Forcave të Sigurisë në Kosovës (FSK) në Ushtri.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, ka theksuar se iniciativa e presidentit Thaçi ka krijuar një momentum të ri, por “që kërkonte përpjekje intensive e gjithëpërfshirëse”.


“Nuk ishte punë e kryer dhe nuk duhej të jepej në publik si diçka e kryer. Këto konstatime i kemi bërë edhe në SPRC, përmes Memos për institucionet, partnerët dhe shoqërinë civile, më 15 mars 2017”, ka theksuar Ramadani, duke shtuar se ata kanë “rekomanduar si të bëhej hapi i dytë”. “Pra, mirë që u tentua. Mirë që Thaçi tentoi, por keq që kjo nuk u përcoll me një plan konkret dhe gjithëpërfshirës, si hap i dytë. Dhe, pikërisht hapi i dytë mungoi. Mungesa e këtij plani të veprimit e dështoi edhe hapin e parë. Pas kësaj, duhet rinisur përpjekjet përmes një strategjie të qartë dhe efektprurëse. Pra, të rinis hapi i dytë, tash kur hapi i parë është anuluar”.

Analisti Imer Mushkolaj mendon se presidenti Thaçi provoi ta krijojë përshtypjen se e ka përkrahjen amerikane dhe të NATO-s për bërjen e Ushtrisë nëpërmjet ndryshimit të Ligjit. Por, sipas tij, mesazhet e qarta nga Washingtoni bënë që ai të tërhiqet.

“Që nga fillimi, Thaçi e ka ditur se nuk është e mundur që Ushtria të krijohet pa mbështetjen e serbëve, sepse duhet të jetë Ushtri për të gjithë. Por, provoi të mblidhte poenë politik. Ai u tregua dinak kur përmendi dorëheqjen, sepse ka qenë i sigurt se Ligji nuk do të procedohet fare në Kuvend për votim”, ka shtuar Mushkolaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet një letre dërguar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, ka kërkuar që iniciativa e tij ligjore të mos vihet në rend dite edhe për pak kohë, derisa të sigurohet përpjekja e fundit që transformimi i FSK të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese. /Telegrafi/