LAJMI I FUNDIT:

Tepihu i kuq, defaktorizimi i pushkallave dhe faqja e zezë!

Kamikazët e Kurosavës dhe “ ushtarët” e Kosovës:

Vitin e kaluar , me rastin e shënimit të përvjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar të UÇK-së Adem Jasharit nuk pati manifestime të organizuara e as rreshtim të “ushtarëve” të ish-TMK-së e cila ishte bërë gati të shkoi në “ Varrezat e Elefantëve “ meqë ky formacion ishte dënuar me vdekje nga politika ndërkombëtare . Dënimi që u ishte shqiptuar nuk e ndalonte ekzekutimin përkundër disa reagimeve të zërave të heshtur të politikanëve vendorë .

Ndërkombëtarët tashmë na kanë lexuar dhe aspak nuk i marrin seriozisht “kërcënimet” tona andaj, pa asnjë problem i kanë realizuar projektet e tyre politike dhe jo vetëm politike për Kosovën madje edhe shumë më lehtë se që kanë menduar! Në vend të trurit, një numër jo i vogël i politikanëve tanë denoncimin dhe përpjekjen me çdo kusht t’u futen “nën bisht”ndërkombëtarëve e kanë armën më të fuqishme e pse mos të thuhet edhe të vetmen!

Mungesën e vullnetit, vendosmërisë për të punuar për Kosovën dhe qytetarët e saj i kompensojnë me nënshtrim pa asnjë kusht dhe ndonjë karrige që u garanton mundësi për të vjedhur sa t’ua dojë qejfi!

Janë qyqarë të cilët ndonëse nuk rrezikohen nga askush, shoqërohen nga një shpurë shoqëruesish, makinave super të shtrenjta si dhe badigardëve të cilët, përveç arrogancës antologjike, për padronët e tyre kryejnë punë të fëlliqura, që nga rregullimi i jetës së tyre private deri te pastrimi i parave përmes bizneseve të shumta siç janë ndërtimet e banesave kolektive, blerja e lokaleve të shtrenjta në lokacionet atraktive etj. Me një fjalë përdorën si ind lidhës midis strukturave politike dhe krimit të organizuar!

Vitin e kaluar me të drejtë reagoi familja e Komandantit Legjendar sepse çdo vend normal do të mburrej me ta dhe me fanatizëm, do t’i mbronte ato vlera! Kjo është krejt e natyrshme, e moralshme, e lejueshme dhe e domosdoshme!!Hermafroditët politikë dhe moral vënë në dyshim figurën e Komandantit Legjendar meqë, pa të drejtë i paska detyruar të sakrifikohen gratë dhe fëmijët e familjes së tij!!

Ky konstatim është skajshmërisht i pamoralshëm sepse ATA nuk janë sakrifikuar si anëtarë të familjes por si bashkëluftëtarë të Komandantit Legjendar, si ushtarë të UÇK-së!! Pse nuk u sakrifikuat ju që keni qenë plotësisht të vetëdijshëm ?! Andaj, i lëmë moralizimet dhe mos t’i përdorim si fatura për frikën tonë!!

Pas shpërbërjes së UÇK-së , Kosova nuk ka pasur ushtri. TMK e përgjysmuar dhe e tredhur në FSK as që ka qenë ushtri e as që do të bëhet! Është shndërruar në një vend pune dhe mundësi për pasurim përrallor për një grup cubash, dikur luftëtarë të UÇK-së ndërsa tani eunuk të dëgjueshëm! As rrethin nuk e kanë aspak më të mirë! Bërthamën kombëtare, njerëzore dhe profesionale e kanë eliminuar si të papërshtatshme politikisht!

Po mbjellin iluzione te populli se kjo do të jetë ushtri e ardhshme e Kosovës ngase tash është bërthamë e saj! Ende jemi bërthamë, assesi të zhvillohemi dhe të japim fryte! Këtë vit u bë një përpjekje të demonstrojnë se po e luajnë rolin e një shtetit me këtë Gardën e Nderit që u rreshtua para Presidentit, Kryeministrit dhe anëtarit të familjes Jashari!! Për të nderuar dhe kujtuar sakrificën sublime dhe të pashembullt të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarëve të Tij, të katër breznive!

Hakmarrja dhe goditja ishte e menjëhershme! Nga KFOR-i, NATO, Piter Fejt, opozita kosovare dhe disa medie. Unë e kuptoj që për shkak të vardisjeve dhe lëshimeve të mëdha që u bënë serbëve dhe regjimit në Beograd NATO, KFOR-i, Fejti dhe ndërkombëtarët e tjerë janë sjell si janë sjell por më duket paradoksale dhe absurde reagimi i opozitës dhe disa medieve që kanë qenë edhe më të skajshëm në këtë gjykim, aq më parë që këta, në kohën e luftës të lavdishme të UÇK-së kanë bërë luftë heroike dhe janë shquar për guxim dhe sakrificë!!

Nuk ia vlen që një e kaluar e lavdishme dhe një luftë shumë e drejtë të zëvendësohet me vardisje për t’i arritur majat e pushtetit! Ikja nga e kaluara e lavdishme për hir të një të ardhme të dyshimtë nën hijen e pushtetit të amshueshëm është një salto mortale morale!!
Andaj, nuk ka pasur këtu as një arsye e vetme për kërkim falje sepse nderimi i vlerave kombëtare është nderim i vlerave njerëzore!!

Ndërkombëtarët duhet të kërkojnë falje sepse po sillen me ne sikur të jemi një Banana Republikë, kanë krijuar një raport tipik kolonialist ku urdhrat e tyre nuk mund të kontestohen por vetëm të zbatohen! Mënyra se si është sjell komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler është jashtëzakonisht nënçmuese dhe fyese për kosovarët, për viktimat e luftës, dëshmorët e kombit dhe për ardhmërinë e qytetarëve të Kosovës!

Ta problematizosh një parakalim me 20 pushkalla dhe t’i fetishizosh 200-300 armë të gjata të FSK-së në kohën kur Serbia po e ndërton një bazë ultra moderne dhe të pajisur me armë të sofistifikuara dhe moderne në kufi me Kosovën (Crepotin) është shumë joserioze dhe joprofesionale kur dihet se Serbia, jo që nuk e pranon pavarësinë e Kosovës por mundohet ta rrënojë atë me çdo kusht!

Gjenerali Bentler sigurisht ka informacione se të gjitha armët e FSK-së mund t’i gjejë në 2-3 pika në Veriun e Kosovës që administrohet nga Serbia dhe ku KFOR-i nuk luan asnjë rol përveç se ka qëndrim neutral për statusin e Kosovës! Dhe këtë qëndrim e përsëritë në çdo 5 minuta!

Kosovës nuk i duhet një Forcë e Sigurisë që është një OJQ e uniformuar por një ushtri e vërtetë e trajnuar mirë dhe e pastruar nga profiterët e kriminalizuar të luftës dhe të politikës! Një ushtri që kontribuon për paqen në rajon duke e mbrojtur shtetin e vet! Një ushtri në përputhje me rrezikun që e kërcënon nga shtetet përkufizuese! Nëse ushtria e Serbisë, e Maqedonisë dhe e Malit të Zi do të shndërrohej në Forcë të Sigurisë si ajo e Kosovës atëherë edhe Kosova le të ketë Forcën e Sigurisë.

Është krijuar një situatë paradoksale, në situatën kur ujqit (ushtria e Serbisë) vetëm forcohen ndërsa qengjit (Kosovës) i janë thyer këmbët! I është pamundësuar edhe ikja pasi nuk ka kush ta mbrojë!

Pastaj, këta 2500 “ushtarë” të FSK-së me këto 200-300 pushkalla edhe nëse që të gjithë do të shndërroheshin në kamikazë të Kurosavës, nuk paraqesin rrezik real për askënd.
Madje, nëse e banalizoj situatën edhe nëse këta 2500 “ushtarë” të FSK-së do ta siguronin nga një mbushje bërthamore “në prapanicën e tyre” nga Ahmadinexhadi i Iranit përsëri nuk do të bëheshin të rrezikshëm!!

Megjithatë KFOR-i arriti qëllimin! I poshtëroi edhe më shumë politikanët tanë dhe e mbyti çdo mundësi të krijimit të një ushtrie të Kosovës dhe në vend të saj po na servir një mishmash multietnik të cilin nuk e ha as qeni! Nuk kërkon profesionalizëm që do të ishte krejt në rregull.

KFOR-i, Sergjo Leone dhe toleranca ndëretnike në Kosovë:

KFOR-i nuk po na përbuzë, përqeshë dhe nënçmon vetëm në aspektin praktik por edhe në atë virtual. E keni parasysh porosinë e fundit përmes mjeteve elektronike vendore dhe bilbordeve anekënd Kosovës: “me tolerancë edhe dimri kalohet më lehtë” që është një pleh super idiotesk!

E kemi një pamje sikur në kohën e Perëndimit të Egër në Amerikë. Një qerre me kuaj ( në kohën e elektronikës dhe digjitalizimit global!!) drejtohet nga një shqiptar i cili rrugës e takon një kalimtar serb (edhe ai në të vërtetë është shqiptar i veshur si serb) i cili mërdhinë nga të ftohtit! Shqiptari me qerre me kuaj ndalon, e merr udhëtarin serbo- shqiptar dhe pastaj nis ajo reklama super-idioteske e KFOR-it që e ceka më lartë për tolerancën dhe bashkëjetesën!!

Shqiptarët, serbët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një infrastrukturë moderne (si Gjermania e gjeneralit të KFOR-it), për arsim cilësor, shëndetësi që siguron një shëndet të mirë, programe zhvillimore, zbutje të varfërisë, vende të rejat të punës, e jo kthim në kohën e Perëndimit të Egër, ku nën muzikën e Sergjo Leones nga filmi “Për një Grusht Para” ose “One Dollar More”, shqiptarët dhe serbët portretizohen si gjysmë të egër, të paemancipuar, jashtë kohe dhe kontekstit modern!

Kërkoni falje zoti Bentller për këto reklama fyese dhe idioteske sepse nuk jemi të tillë! Apo, si pikë referuese i merrni politikanët e korruptuar “për një grusht para, euro, dollarë apo çfarëdo valute” dhe këtë e shndërroni në dukuri andaj i lejoni vetës komoditet të na fyeni paskajshëm!! Edhe ne jemi pjesë e Evropës territorialisht dhe mendërisht, si pjesë e Botës!!

Idealisti vdes një herë, realisti (karrieristi) miliona herë:
Më ka rastis ta lexoj një shkrim të mrekullueshëm të mikut tim Bajrush Behramit për fatin e ish të burgosurve politikë që kontribuuan shumë për lirinë e Kosovës dhe tash, të shndërruar në raste sociale presin vdekjen në kushte të padinjitetshme duke u vizituar vetëm nga idealistët e ngjashëm të cilët janë shumë të paktë dhe të cilët i pret fati i këtij idealisti për të cilin Bajrushi e bëri një shkrim pa dorëza fare.

Edhe unë e vizitova këtë idealist së bashku me Bacën Adem dhe ime shoqe! Dhe, atë çka mund ta them është se u tmerrova shumë! Ish i burgosuri politik Rrahman Bahtiri dergjej i shtrirë në një shtëpi që më shumë i ngjante një kasolle se një ambienti normal për të jetuar. Sidomos për të vdekur!

I rrethuar vetëm nga kujdesi familjar dhe një numri të vogël të shokëve që i kishin mbetur! Larg spitaleve për VIP që është rezervuar vetëm për një pjesë të kastës politike dhe më të dashurve të tyre! Larg përkujdesjes institucionale! Rrahman Bahtiri po e paguan çmimin për idealizmin e tij për të cilin ka luftuar dhe sakrifikuar tërë jetën!

Ka pasur mundësi të bëhet realist-karrierist dhe të jetonte në rrethana krejtësisht tjera! Jetën gjithsesi do ta kishte ndryshe por edhe vdekjen! Si realist-karrierist do të vdiste miliona herë ndërsa idealisti vdes vetëm një herë dhe jeton miliona herë!

Nëse si shoqëri nuk reflektojmë si duhet ndaj rasteve si Rrahman Bahtiri e kësi raste ka ende, atëherë si individë duhet të skuqemi dhe të ndjehemi të turpëruar aq më parë që dikur , përveç qelive të burgjeve jugosllave edhe ëndrrat i kemi pasur të përbashkëta!

Tash çdo gjë po na ndanë! Sidomos vdekja! Një shoqëri që nuk i respekton vlerat që kanë kontribuar që kjo shoqëri të bëhet e vlefshme mund të mburret vetëm me të kaluarën që e kanë ndërtuar këto personalitete me vlera! Ardhmërinë nuk mund ta ndërtojnë me antivlera që ndërtojnë karrierë duke u thirrur në ato vlera që pikërisht i mohojnë në praktikë!

Mohimi i vlerave të vërteta kombëtare dhe atyre që, përmes sakrificës personale dhe familjare kontribuuan më së shumti për lirinë e Kosovës do t’u kthehet si bumerang pikërisht mohuesve të këtyre vlerave të cilët, pasi u rehatuan mirë e mirë për veten dhe familjarët e tyre po distancohen nga e kaluara duke i lënë anash idealet e tyre të dikurshme. Idealet u shndërruan në xhirollogari, morali në politikë, nderi dhe dinjiteti në tenderë duke bërë përpjekje që ta kontrabandojnë të kaluarën në ardhmëri!

Rrahman Bahtiri dhe shumë ish të burgosur politikë nuk e kishin Gurin Filozofik që brenda natës do t’i bënte milionerë! Edhe po ta kishin, nuk do ta përdornin. Është mrekulli të lindësh njeri por është edhe më e mrekullueshme ta përfundosh jetën si njeri! Vetëm ajo mbetet në kujtesë!

(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNj-ë. Pikëpamjet në këtë shkrim janë personale)