Tentoi ta vriste fqinjin duke e djegur me benzinë, Policia e Shtetit arreston të dyshuarin në Librazhd

Policia e Shtetit ka njoftuar për një rast të rëndë në Librazhd, ku një person dyshet se tentoi të vriste fqinjin e tij duke e djegur me benzinë.
Në njoftim thuhet se si rezultat i veprimeve të shpejta u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit G. O., 32 vjeç.
“Tentoi të vriste duke e djegur me lëndë djegëse benzinë fqinjin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, arrestohet menjëherë pas ngjarjes, autori. Shërbimet e Policisë menjëherë pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Prrenjasit ka shkuar për të marrë mjekim shtetasi S. O., 75 vjeç, dyshuar i djegur me lëndë djegëse, kanë kryer veprimet hetimore dhe operacionale për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit G. O., 32 vjeç”, thuhet në njoftim.
Nga veprimet hetimore rezulton se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 32-vjeçari dyshohet se në ambientet e jashtme të banesës së 75 vjeçarit ka hedhur benzinë dhe më pas i ka vënë flakën ku si pasojë është lënduar shtetasi S. O., 75 vjeç, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/

















































