Një qytetar nga Gjakova ka raportuar në polici se bashkëshortja me të cilën bashkëjetonte ka ndërruar jetë.

Ankuesi ka deklaruar se dyshon për trajtim të ndërgjegjshëm mjekësor lidhur me rastin, transmeton Telegrafi.


Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të vdekjes.

Lidhur me rastin ka reaguar Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës.

Në sqarimin e tyre thuhet se pacientja ka pa vetëdije më shumë se tri vite.

"Lidhur me raportimet në media për rastin e ndodhur në Spitalin e Gjakovës, sqarojmë sa vijon: Pacientja M.R. ka qenë në gjendje komatoze (pa vetëdije) për më shumë se tre vite dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë e shtrirë në Kujdes Intensiv Qendror", thuhet në reagim.

Më tej thuhet se, për tri vite me radhë, pacientja është trajtuar nga mjekët dhe infermierët e kujdesit intensiv, në përputhje të plotë me protokollet mjekësore të aplikueshme për raste të tilla.

"Denoncuesi nuk është pjesë e familjes së pacientes. Deklaratat e tij nuk përputhen me faktet dhe paraqesin tentativë të qëllimshme për të njollosur punën e stafit mjekësor, i cili për tri vite ka ofruar kujdes të pandërprerë, profesional dhe të përgjegjshëm. Edhe pse Kujdesi Intensiv operon me rregulla strikte për vizitorët, për shkak të ndjeshmërisë së rastit janë bërë tolerime të kontrolluara, dhe familjarët kanë qenë të pranishëm në Kujdes Intensiv Qendror gjatë gjithë kohës sa ka jetuar pacientja", vijon reagimi.

Në reagimin e spitalit thuhet se "Nuk është detyrë e jona të hyjmë në çështje të brendshme familjare dhe askush nuk mund të përfitojë duke shpifur apo duke manipuluar opinionin me deklarata të pavërteta".

"Kërkojmë që organet kompetente — Inspektorati Shëndetësor, Policia dhe Prokuroria — ta trajtojnë rastin me seriozitet dhe të mos lejojnë baltosjen e punës së punëtorëve shëndetësorë për interesa personale të askujt"./Telegrafi/