Ushtria amerikane ka vazhduar të grumbullojë trupa në Karaibe, në një kohë kur po qarkullojnë njoftime për një ndërhyrje të mundshme ushtarake në Venezuelë.

Lëvizja e fundit që ka shqetësuar presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, lidhet me dy avionë luftarakë amerikanë që kanë fluturuar të martën mbi Gjirin e Venezuelës.


Venezuelasit dhe mediat e Amerikës së Jugut i kanë ndjekur fluturimet në kohë reale duke përdorur faqe si FlightRadar24, të cilat treguan dy F/A-18 Super Hornet duke fluturuar së bashku në hapësirën e ngushtë të Gjirit të Venezuelës për rreth 40 minuta. Aeroplanët fluturonin në veri të Maracaibo-s, qyteti më i populluar në Venezuelë.

Dy aeroplanë detarë për luftë elektronike EA-18G Growler gjithashtu kanë fluturuar të martën në veri të Gjirit të Venezuelës.

- YouTube www.youtube.com

Venezuela pretendon se gjiri është pjesë e territorit të saj kombëtar. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara historikisht i kanë kundërshtuar përkufizimet kufitare të Venezuelës, duke pohuar se ato prekin ujërat dhe hapësirën ajrore ndërkombëtare.

“Departamenti (i Mbrojtjes) kryen operacione rutinë dhe të ligjshme në hapësirën ajrore ndërkombëtare, përfshirë atë mbi Gjirin e Venezuelës. Ne do të vazhdojmë të fluturojmë në mënyrë të sigurt, profesionale dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për të mbrojtur atdheun, për të monitoruar aktivitetet e paligjshme dhe për të mbështetur stabilitetin në gjithë Amerikën”, thuhet në deklaratën e Pentagonit.

Përveç kësaj, Reuters ka publikuar një video ku shihet ushtria amerikane teksa shkarkon kamionë dhe pajisje të rënda nga anijet ushtarake në një port të Karaibeve.

Pamjet tregojnë mjete të blinduara dhe pajisje të tjera teksa zbarkohen nga anijet, pasuar nga një zbritje masive e marinsave.

Ndryshe, presidenti amerikan, Donald Trump kishte kërkuar që të pastrohet hapësira ajrore venezuelase duke paralajmëruar se mund të ketë edhe sulme nga ajri. /Telegrafi/