LAJMI I FUNDIT:

Tension në Kuvend, opozita rrethon Ramën në foltore

Tension në Kuvend, opozita rrethon Ramën në foltore

Teksa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po fliste në foltore në përgjigje të akuzave të deputetes demokrate Jozefina Topalli, deputetët e PD kanë rrethuar Ramën në foltore, duke i ndërprerë fjalën.

Deputeti i PD-së, Flamur Noka, i cili ka replikuar gjithë kohën nga vendi ndërkohë që fliste kryeministri, së bashku me deputetë të tjerë të opozitës iu drejtuan foltores duke e penguar fjalën e Ramës.


Ndërkohë nënkryetarja e Kuvendit, Leskaj përsëriti disa herë apelin ndaj opozitës të zinin vendet, por duket se situata është tensionuar.

Ajo që irritoi opozitën ishte fjala e Ramës që i cilësoi ata si një tufë.

“Flamuri u mërzit për fjalën tufë, çfarë po bën tani po provon që është pjesëtar tufe, ji individ jo pjesëtar tufe, shko ulu atje, uluni atje, mos kërkoni sebepe…”- tha Rama.

Por Noka ka vazhduar zë të lartë të thotë se seanca në këtë mënyrë nuk mund të vazhdojë.

Në vend ka ndërhyrë Garda, ndërkohë që nënkryetarja Leskaj ka ndërprerë seancën për 10 minuta pushim. /Panorama/